E hënë, 29 Prill, 2024

HISEN TAIRI, MJESHTRI I PICAVE I KAMPIONATEVE BOTËRORE

Hisen Tairi  nga Tetova, është një mjeshtër i picave që ka arritur suksese të shkëlqyeshme në skenën ndërkombëtare. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e Kampionatit Botëror të Picës në Itali në të cilin marrin pjesë mbi 600 pjesëmarrës nga i gjithë globi. Tairi sfidoi normat me një picë që bashkonte kuzhinën franceze me atë italiane, duke krijuar një miks shijesh që e çoi atë në vendin e tretë. Ai për KDP.MK, thotë se procesi i përgatitjes së picës ka qenë i detajuar dhe i kujdesshëm, duke përdorur disa lloje miellrash. Pavarësisht suksesit të tij, ai për lexuesit e KDP.mk, ndan edhe momente stresuese nga ky kampionati.  Kurse për preferencat e shqiptarëve, që picës t’i hedhin ketchup, apo majonez, pas gatimit, Tairi na sjell perspektivën italiane: “Italianët do të thoshin ‘ma perché’ dhe pastaj ‘no ketchup or ananas in pizza please”, shprehet ai, duke qeshur. Për ata që dëshirojnë të marrin pjesë në kampionate të tilla, Tairi e rekomandon pjesëmarrjen si një mundësi për të mësuar dhe për të përmirësuar aftësitë. Pas suksesit në kampionat, ai ka për qëllim të hapë picerinë e tij, duke ndjekur ëndrrën për të qenë një mjeshtër edhe më i suksesshëm i picave.

Intervistoi: Enis Shaqiri

KDP: Kush është Hisen Tairi, një biografi e shkurtër?

Hisen Tairi: I lindur në Tetovë, Maqedoni e Veriut në vitin 1992. Shkollën fillore, të mesme dhe universitetin i kam kryer në Tetovë, pastaj kam vazhduar shkollën profesionale në Tiranë (1 vit akademik), dhe më pas gjithashtu shkollë profesionale për pica në Koçan, Maqedonia e Veriut. Gjatë viteve kam punuar në sektorin e shërbimit, menaxhimit të restorantit dhe në fund fokusi ishte pjesa e kuzhinës/picave ku edhe vazhdoj dhe punoj ende.

KDP:  Së fundmi keni qenë pjesë e Kampionatit Botëror të Picës që mbahet në Itali ku edhe e fituat vendin e tretë? Mund të na thoni se cila është pica që zgjodhët për të gatuar në kampionat dhe pse zgjodhët pikërisht atë?

Hisen Tairi, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve – fotografia nga profili i tij në Facebook.

Hisen Tairi: Picën me të cilën u radhita në vendin e 3-të ishte në kategorinë “Pizza&Beer”, pra duhej t’i kombinohej picës dhe një birrë. Kam përdorur krem kërpudhash, djathë mozzarella, rukolë, roast beef, domate, qershi gjysmë të thata dhe reduktim të verës së kuqe (të gjitha produktet që i përmenda janë Homemade përveç djathit (mozzarella). E zgjodha këtë lloj pice pasi e kam ndërlidhur pjesën e kuzhinës franceze të themi me atë italiane, dhe e dija se do pëlqehej edhe nga gjyqtarët e turneut, gjithashtu edhe birrën e kam zgjedhur gjermane të errët (paulaner).

KDP: A mund të na tregoni për procesin e përgatitjes (recetën) e picës tuaj që e përgatitët për këtë kampionat?

Hisen Tairi: Mundet në pika të shkurta: kam përdorur 2 lloje miellrash, tip00 dhe tip0. Tip00 është miell më i rafinuar dhe ka sheqerna natyralë më shumë se tip0, por ka më pak proteinë dhe fuqi. Andaj tipo00 më ka ndihmuar për ngjyrën e picës (e artë) dhe shijen, ndërsa tipo0 për fuqinë e brumit dhe fermentimin. Kam shkuar hidratim 65% dhe fermentim 24 orë.

KDP: Çka ka të veçantë kjo lloj pice?

Hisen Tairi: Të veçantë ka ndoshta se është unike, jo e kopjuar, e kam krijuar veç për kampionat dhe siç edhe e ceka më lartë ka miks 2 kuzhinat, atë italiane dhe franceze.

KDP:  A patët ndonjë sfidë me të cilët u përballët gjatë garës? (Ndonjë moment stresues kur menduat se përgatitja nuk është se po shkon edhe aq mirë)?

Hisen Tairi, gjatë një interviste, duke shpjeguar përmbajtjen e picës Marinara, picë kjo me të cilë edhe garoj në Kampionatin Botëror të Picës në Itali. Fotografia nga profili i tij në Facebook

Hisen Tairi: Moment stresues mund të them, pasi kishte ndodhur një gabim teknik dhe në të njëjtën kohë më thirrën të performoj në kategori të ndryshme, gjë që nuk është e mundshme, por u rregullua shpejt ky gabim nga vetë organizatorët.

KDP: Ne shqiptarët i adhurojmë shumë picat, por që pas gatimit ju shtojmë (ekstra- sos) ketchup, majonezë, ose trendi i fundit, pica me ananas. Çka do të thoshin Italianët për këtë fenomen?

Hisen Tairi: Italianët do të thoshin “ma perché” dhe më pastaj “no ketchup or ananas in pizza please” (qesh). Realisht, ketchup, mayo & ananas, it’s a NO NO në pizzë.

KDP: Cilat janë disa këshilla që do t’i jepnit ‘’picamanëve’’ të rinj që dëshirojnë të marrin pjesë në kampionate të tilla?

Hisen Tairi: Do ua rekomandoja me patjetër, sepse nga aty e sheh edhe veten ku je dhe ku ke nevojë për përmirësim në të ardhmen!

 

Pica Marinara e gatuar nga Tairi me  brumë napoletan. Përmban salcë domateje, ansjovë dhe ullinj, si dhe disa gjethe të freskëta borziloku.

KDP: Cilat janë disa nga objektivat tuaja për të ardhmen pas kësaj përvoje, si mjeshtër i picave?

Hisen Tairi: Objektivi im i ardhshëm është që të hap një piceri timen, por vendin ende nuk e kam vendosur.

KDP: A keni ndonjë gjë tjetër që dëshironi të ndani me lexuesit tanë rreth përvojës suaj në Kampionatin Botëror të Picës?

Hisen Tairi: Ndoshta është një eveniment që më ka rritur profesionalisht, pasi takon PizzaChefat më të mirë në botë dhe ka momente ku mund të diskutosh me ato dhe mëson shumë nga ajo kohë që je me ata.

 

Të fundit