E premte, 3 Maj, 2024

RUFI OSMANI: FITORJA E OPOZITËS MAQEDONASE RREZIKON PROCESIN E INTEGRIMIT, SHQIPTARËT TË JENË TË KUJDESSHËM!

Kandidati presidencial i bllokut opozitar VLEN, Arben Taravari, ka zhvilluar të martën një takim me ekspertë të fushave të ndryshme elitare, në funksion të hartimit të Programit të tij zgjedhor. Vëmendjen kryesore në takim ka tërhequr paraqitja e profesor Rufi Osmanit i cili, sikurse dihet, ka një të kaluar të bujshme, si në skenën politike, ashtu edhe atë parlamentare të vendit.

Përgatiti: KDP

Mesazhet e përçuara nga Osmani, njofton kdp.mk, duket se nuk janë vetëm për strategjinë e opozitës shqiptare, por edhe të forcave të tjera politike pro-perëndimore të vendit.
Pa ia përmendur emrin opozitares VMRO-DPMNE, ai ka lënë të kuptohet se fitorja e saj, sipas tij, Maqedoninë e Veriut mund ta çojë në qorrsokak:
“Ajo që është thembra e Akilit e këtyre zgjedhjeve është se ne tash ballafaqohemi me rrezikun të na kthehet në pushtet partia politike e cila e mbajti të bllokuar procesin e integrimit të vendit më shumë se dhjetë vite. Dhe, ky rrezik politik është shumë i madh, dhe ky rrezik, faktikisht, mund të na sjellë në një qorrsokak të ri dhe ta lë Maqedoninë në shoqëri vetëm me shtetin më problematik – Serbinë, si aleate kyçe të Rusisë… Pata rast të analizoj katër shtyllat e Programit të doktor Arbenit (Taravarit) dhe ajo që për ne duhet të jetë konsensus i përgjithshëm është se të gjithë ne duhet, edhe me doktor Arbenin, po edhe nesër, me deputetët që do i zgjedh ky koalicion, fuqishëm të përkrahim kartën e ndryshimit të Kushtetutës për t’u integruar në Unionin Europian. Pa keqkuptim, jam dakord për heqjen e 20-përqindëshit, për demokraci konsensuale, po për ato çështje nuk ka klimë dhe, mbi të gjitha, nuk ka numra aktualisht. Ju lutem, nëse është kështu, ne duhet të flasim konkretisht, praktikisht. Pra, mesazhi im do kishte qenë që në veçanti edhe në rrethin e dytë për President, po më pas edhe kur të bëhet parlamenti i ri, ky kriterium si kriter veto, duhet të jetë kyç dhe, pse jo, të mund të bëhet një bllok që të parandalohet rikthimi i partisë që do e bllokojë procesin e integrimit dhe, dihet ajo si quhet, pa keqkuptim, dhe ne të jemi bashkëfajtorë për një bllokadë që, dikur e kam thënë ‘nëse këto ngelin në pushtet 20 vjet, nuk ngel shqiptar’, për fat të keq nëse ata do të na humbin edhe nja dhjetë vjet, ne atëherë nuk do të kemi me cilin të bisedojmë. Se, jo të rinjtë, do të na ikin edhe gjeneratat tona!…Unë kam besim dhe shpresë se doktor Arbeni, së bashku edhe me ekipin e tij dhe me partitë tjera politike që e përkrahi, do bëjnë një prezentim dinjitoz të ideve, të programit. Do flasim për të tashmen dhe për të nesërmen, po mbi të gjitha ‘to be or not to be’ është formula që të ndryshohet Kushtetuta dhe të debllokohet procesi i integrimit në Unionin Europian i cili do të ketë benefite të jashtëzakonshme ekonomike, financiare, investive e kështu me radhë. Dhe, nëse kjo do të arrihet, sepse nëse nuk arrihet, atëherë mund t’ju them miqësisht, ne rrezikojmë të futemi në skenarin e Republikës së Bullgarisë. Ata kishin zgjedhje para dy muajsh, tash do të shkojnë në zgjedhje tjera, e kështu me radhë e kështu me radhë. Unë besoj se ka një problem te pala maqedonase: kompleksi që ata e kanë viza-vi aspiratave të shqiptarëve. Dhe, është mirë që në këtë fazë ne të kërkojmë atë që ju përmenda…” – ka thënë ndër të tjera prof Rufi Osmani në takimin e kandidatit presidencial të VLEN-it Arben Taravari, me grupin e personaliteteve të shquara nga jeta universitare, akademike dhe fusha të tjera./KDP/

Të fundit