E shtunë, 27 Prill, 2024

PSE BERISHËN PO E BEZDIS HEROIZIMI I “PENXHERES” SË TIJ

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje nga shumë aktorë të opozitës, të cilët në fakt e kanë bezdi të shkojnë poshtë penxheres së Berishës tek Rrugica, që të glorifikojnë shfaqjen e përditshme të Berishës, dhe skenat poshtëruese ku poshtë tij e dëgjojnë një tufë të gjysmakësh, shumica e të cilëve I çojnë aty devijimet mendore dhe jo qartësia politike.

Për të shmangur bashkimin me ta me sa duket aktorët e rinj të opozitës, të cilët pasi shpallën bashkimin po përpiqen të fitojnë dhe besimin tek elektorati I Berishës, shkojnë qytet më qytet apo dalin ekran më ekran dhe lavdërojnë shfaqjen e Berishës majë penxheres si një gjë heroike e pashembullt.

Në fakt e pashembullt është, por është qesharak. Dhe më mirë se të gjithë këtë e di Berisha.
Ajo që atë e shqetëson nuk është vetëm mungesa e tyre poshtë penxheres, por fakti që përpiqen ta justifikojnë atë duke u shfaqur si udhëheqës të opozitës.

I pari që po e bën me shumë zell këtë është Ilir Meta. Ai edhe pse ka marr male e kodra me vrap, asnjëherë se ka mbajtur vrapin tek rrugica. Edhe pse ka hipur mbi çdo hekur që i del para kurrë nuk është ngjitur deri tek penxherja. Dhe tani po përpiqet ta therorizoj Doktorin majë penxheres.

Të njëjtën gjë po bën Gjekmarkaj, Gazmend Bardhi dhe të tjerë që e kanë vërtet bezdi atë shkuarjen poshtë penxheres. Gjithandej flasin për Berishën dhe për shfaqjen e tij maj penxheres si një I dërguar nga zoti “majë penxheres” për opozitën e tyre.

E duan aty maj penxheres, ndërkohë që ata mendojnë se duke glorifikuar poshtërimin e tij, janë në rregull me elektoratin e tij.

Është kjo arsyeja që Berisha po bezdiset dyfish prej tyre. E para që përdorin poshtërimin e tij si një mënyrë për tu identifikuar me të dhe e dyta që po përpiqen ta zëvendësojnë atë në fushën e betejës, ndërkohë që ai betejën e do poshtë penxheres , tek rrugica.

Ndaj dhe nuk është e largët dita që do ta lëshojnë nervat.

Aksioni I tij politik nuk ka të bëj as me normalizimin, as me prodhimin e udhëheqësve të rinj, as me talljen me bashkimin. Ai do që opozita të jetë në dorë të tij dhe jo në dorë të atyre që bëjnë sikur I qajnë hallin. Dhe që të jenë në dorë të tij duhet të vijnë çdo natë poshtë penxheres. Dhe nuk është e largët dita që do tua heq vështrimin dhe bekimin për të shkuar qytet më qytet duke I qarë hallin atij majë penxheres pa ardhur kurrë poshtë penxheres.

Ndryshe nga ata Berisha nuk e do bashkimin e opozitës për të mundur Edi Ramën, por për mos tu dukur vetëm. Që të mos duket vetëm I duhen poshtë penxheres, jo duke I marrë atij pushtetin duke lavdëruar shfaqjen e tij majë penxheres.

Ndaj është mirë që ata që nuk shfaqen poshtë penxheres, t’ia kursejnë lëvdatat për shfaqjen majë penxheres. Se përveçse I duket sikur tallen me një plak të mbyllur brenda , I duket sikur po I futen në pronën e vet në parit, përmes penxheres së tij.

Të fundit