E premte, 13 Dhjetor, 2024

ZGJEDHJET E PARAKOHSHME NUK JANË AS DRAMË DHE AS TRAUMË, JANË ZGJIDHJE

Nga Lorenc Vangjeli

Shqipëria e ka provuar dy herë eksperimentin e zgjedhjeve të parakohshme për dy arsye të ndryshme: në 1992-shin dhe 1997-ën. Herën e parë, mbas fitores së zgjedhjeve të para pluraliste, socialistët e kishin të pamundur të mbanin pushtetin në kohën kur qartazi ishin pakicë në vend, të refuzuar nga popullsia urbane e vendit dhe me demokratët në revansh dhe herën e dytë, mbas rrëzimit të firmave piramidale, kur shqiptarët refuzuan kthimin në identitetin komunist të ish-komunistit të shndërruar në demokrat Sali Berisha. Shqipëria mund të kishte qenë shumë ndryshe nëse do të ishte lejuar të zgjidhte me zgjedhje krizën qeverisëse në prill 2013. Maxhoranca e Sali Berishës ra mbas largimit të Ilir Metës nga koalicioni dhe bashkimit të tij me socialistët e Edi Ramës. Atë kohë, në vend që t’i drejtohej burrërisht dhe politikisht shqiptarëve, Berisha zgjodhi të ndjekë instiktin e frikës dhe i plotësoi numrat e tij me tre “renegatë” të PS-së për të vazhduar të mbajë zyrën deri në shtator të atij viti. Atëherë kur e dorëzoi detyrën mbas një humbjeje poshtëruese, të detyruar nga vullneti i një milion shqiptarëve. Berisha gjithashtu do t’i kishte humbur zgjedhjet e parakohshme, por me të gjitha gjasat, do të kishte pasur një diferencë shumë më të ngushtë nëse do të udhëhiqej nga morali dhe jo nga meskiniteti, nëse do të kishte pranuar fundin e tmerrshëm dhe jo tmerrin e transferuar thjesht në kohë. Në një rast të ndryshëm, do të kishte pasur një ekuilibër më domethënës mes palëve dhe e majta nuk do të kishte atë epërsi që i garantoi revansh të plotë. E shkuara nuk mund të gjykohet nga pasojat që ajo sjell më pas, por politika është art i parashikimit dhe veza e garantuar në të tashme, si rregull, shqyen pjesë domethënëse të aktorëve që sillen si pula të trembura në politikë. Dhe që rëndësinë e fundshpinës vetjake e shenjojnë vetëm me llojin e karriges ku e ulin atë.

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë as dramë dhe as traumë. Ato janë një mekanizëm i mrekullueshëm për të shmangur më të keqen, shfryjnë tension në nivel praktik dhe i japin avantazh teorik atij që i provokon ato. Një vit përpara takimit kushtetues të shqiptarëve me kutitë e votimit, vetë Rama, me një shumicë domethënëse që nuk i kërcënohet nga kundërshtari, ju ka përmendur disa herë të vetëve mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Drejtues i një ansambli politik me një shkretëtirë dëshpëruese individualitetesh politikë, me një parti të përfshirë në rivalitete të egra mes protagonistëve që i shkelin syrin shpinës së tij duke bërë aleanca fluide me kundërshtarët në PD, por dhe me bashkimin e opozitës rreth Sali Berishës, dhe mbi të gjitha, me SPAK-un që ka nisur gjuetinë në maxhorancë, lëvizja e rradhës e Ramës mbetet ende enigmë. Ai e di që në situatën paradoksale që ka hyrë vendi, me erën e parashikimeve mbas velave të pushtetit të tij, është i vetmi njeri që mund të provokojë zgjedhje të parakohshme. Tetori mund të jetë muaji më i përshtatshëm për ta bërë një gjë të tillë.

Kjo mundësi teorike është një gur me thepa që vret më shumë se dy zogj të dobishëm. Ajo do të binte si gur në stomakun e uritur të opozitës që po për paradoks, do t’i kundërshtonte ato për shkak të gjendjes në të cilën ndodhet. E paorganizuar, me liderin e saj në arrest shtëpie dhe me aleatin kryesor Meta në situatë delikate përballë drejtësisë, opozita do ta konsideronte një gjë të tillë provokim dhe do të donte ta shtynte shortin e paracaktuar të humbjes së rradhës.

Zgjedhjet e parakohshme në tetor do të ndodhnin një muaj përpara zgjedhjeve në SHBA, kur opozita pret në mënyrë naive e gënjeshtare që një fitore e mundshme e zotit Trump, do të ndryshonte qëndrimin e saj ndaj fatit të Berishës. Realpolitika, edhe pse çalon në moral, dëshmon se Rama edhe në këtë pikë, është shumë pikë përpara garës për zemrën e zotit Trump. Ideja se transaksioni për Sazanin, mund të përdoret si simetri në betejën presidenciale në SHBA, do të ndikojë shumë pak në Tiranë. Vënia e shenjës së barazimit në SHBA – nesër kjo do të jetë shumë më e dukshme – mes akuzave ndaj djalit të presidentit Biden që dyshohet se ka marrë para nga Ukraina dhe Kina dhe dyshimeve për marrëveshje jo morale fitimi parash të dhëndrit të zotit Trump në Shqipëri e Serbi me para arabe, mund të ndikojë në një fashë votuesish amerikanë, por nuk do të ndryshojë gjë në vullnetin e votuesit shqiptar. Edhe sikur Sazani të ketë një faturë të ngjashme apo më të madhe me çështjen McGonigal.

Në këtë ekuacion SPAK është gjithashtu një enigmë e madhe. Një kastë drejtorësh anonimë apolitikë që pritet të shkëmbejë vilat me qelitë, “legjendat” urbane për hetim ndaj disa personazheve të rëndësishëm politikë në maxhorancë dhe mundësia për të shmangur ndikimin prej “flugeri” të një partie inekzistente në politikë, por të rëndësishme në deformimin e votës, partisë së Tom Doshit, janë karburant për idenë e rilindjes së katërt nga katarsisi të Ramës në tetor.

Mund edhe të mos ndodhë asgjë. Varësisht momentit kur Rama do të gjykojë se cili version i maksimalizon përmasën e fitores së tij, tek e cila nuk dyshojnë se do të ndodhë edhe miqtë, edhe kundështarët e tij. Mundet që Rama ta tërheqë zvarrë situatën deri në prillin e ardhshëm dhe të hyjë në zgjedhje me një kod që i jep gjithashtu avantazh. Atëherë zgjidhjet që do të jepinin zgjedhjet do të ishin të mërzitshme dhe aspak interesante. Opozita do të merrte traumën e rradhës, kurse Rama do të fitonte një mandat të katërt dramatik duke mos bërë për arsye të tjera atë që duhej të kishte bërë Berisha në 2013-ën. Që nuk kuptoi se zgjedhjet e parakohshme nuk janë as dramë dhe as traumë, por janë vetëm realpolitikë me pak më shumë përmasë morali. Ato janë një lojë shahu, ku mjeshtrat kuptojnë se çfarë po ndodh në fushë, ndërkohë që amatorët thjesht venë bast kuturu.

Të fundit