E martë, 23 Prill, 2024

IMAMI NGA MAQEDONIA QË ҪMENDI GJITHË PARLAMENTIN ZVICERAN

Të jesh Imam me karizëm nuk është të kesh potencial intelektual, të jesh pragmatik ose kozmopolit. Karizma e një individi do të thotë të jesh një figurë ose personalitet. Ligjëratat dhe predikimi i Imamit në shumë fusha, në rrafshin e shkencave islame jep një dituri burimore dhe inspirim për xhematin. E them këtë pasi si xhemat më ka bërë përshtypje, që në ligjërata kam hasur duke zbërthyer “Ajete kuranore” dhe hadithe të Profetit.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Në fillim të viteve shtatëdhjetë, ishte një fluks i madh punëtorësh, që erdhën nëpër shtetet e Europës Perëndimore. Kurse në Zvicër, në fillim të viteve tetëdhjetë ishte periudha e një ekspansioni të një gjenerate të tërë që erdhi në këto alpe të bukura, dhe shtet parajsë i Europës Perëndimore. Shqiptarët nga Kosova, Maqedonia dhe Presheva, më parë kishin punuar nëpër ish Republikat Jugosllave. Punë krahu nëpër kanale, ishin të diskriminuar dhe si qytetarë të rendit të dytë. Ata kur erdhën në perëndim kishin një status më të mirë. Në fillim ata kishin ardhur vetëm si emigrant, me shumë peripeci dhe vuajtje që kanë jetuar të ndarë nga familja dhe fëmijët. Për emigrantët në fillim ishte mit të ndërtojë një shtëpi jo vetëm për vete por për gjithë familjen. Në fillim të viteve nëntëdhjetë ata sollën familjet e tyre. Shqiptarët edhe në perëndim, si ҫdo popull, bartën tiparet, atributet, vlerat e trashëguara kulturore dhe shpirtërore. Pasi ҫdo religjion është identitet, kulturë, qytetërim dhe kohezion social dhe ata vazhduan ruajtjen e vlerave kombëtare, kulturore dhe shpirtërore.

Në fillim duke falënderuar komunitetin turk, që më herët kishin hapur xhamitë, ku shqiptarët vazhduan të ushtrojnë ceremonitë dhe ritet fetare, bashkë me vëllezërit musliman turq nëpër xhamitë e tyre. Me kalimin e kohës lindi nevoja që shqiptarët dhe boshnjakët të hapin xhamitë e tyre. Në vitin 1993, disa individë nga Tetova morën iniciativën vullnetare dhe guximin pa asnjë interes të hapin një xhami në qytetin e Wilit të Kantonit Sant Galen. Një ndër protagonistët, dhe aktorët ishte Xhelal Ademi. Më në fund ai gjeti përkrahje nga shokët dhe miqtë të fshatrave të malësisë dhe fshatrave të fushës së Pollogut. Kërkesa për një faltore sipas kushtetutës, që shteti zviceran garanton liritë fetare të gjitha komuniteteve u pranua. Xhelal Ademi rrëfen, në fillim ishte një punë dhe përgjegjësi e madhe, mirëpo ne të gjithë me shokët bëmë një sakrificë, për hir të Zotit Fuqiplotë dhe Mëshirues.

Akoma edhe sot xhemati i xhamisë së Wilit janë mirënjohës për individët që ҫanë akullin dhe bënë vepër të madhe. Dekada me radhë, duke iu falenderuar anëtarëve dhe kryesisë së xhamisë, xhamija e Wilit u bë vatër, përveҫ ritualeve dhe ceremonive fetare, ajo shërben si institucion, në shumë fusha. Dekada me radhë ka qenë vatër për kauzën e kombit shqiptar. Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë dhe fillimi i luftërave Ballkanike në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur populli shqiptar gjendej në momente të vështira të historisë, xhamia e Wilit ndihmoi me qindra mijëra franga zvicerane. Anëtarët dhe të gjithë emigrantët e rrethit të komunës së Wilit dhanë kontribut dhe gjithë kjo demonstroi virtyt, dinjitet dhe humanizëm. Kur e kërkonte nevoja edhe pse me hallet e tyre ata ҫdo herë kanë qenë të gatshëm të ndihmojnë për vendlindjen. Pas viteve dymijë gjenerata e dytë pati një potencial dhe numri i shqiptarëve u rrit në Zvicër.

Xhamija e Wilit figuronte me shumë xhemat dhe anëtarë në gjithë rrethinën dhe qytetin. Para pesë viteve kryesia dhe Imami Bekim Alimi, morën një iniciativë ku ishte vizioni dhe avantazhi për ndërtimin e xhamisë. Në fillim ky projekt ishte një fryt I iluzionit pasi kishte dhe individë që talleshin. Gjetiu në Zvicër, të gjithë komunitetet kishin marrë me qira ose kishin blerë objekte që shërbenin si kulte fetare ose faltore. Por të ndërtosh një xhami një kult ose tempull, deri atëherë ishte tabu. Kishte zëra hipokrit që merreshin me shpifje dhe intriga se ne nuk kemi nevojë për xhami mirëpo atyre nuk ua merrnin në konsideratë fjalët që thonin, ata me kalimin e kohës ngelën të margjinalizuar. Është një frazë e shkëlqyer arabe “ Qentë le të lehin, karvani ecën përpara”. Më në fund kjo ëndërr, ky projekt madhështor, kjo vepër gjigante, me shumë punë, me sakrifica, lodhje dhe peripeci u realizua. Më 26.8.2015 u bë inagurimi, dhe u vu gur themeli i xhamisë së parë të shqiptarëve musliman në Zvicër. Të gjithë emigrantët, pikësëpari falënderojnë popullin liridashës si dhe shtetin me tradita demokratike shekullore, shtet i së drejtës dhe begatisë. Kur unë vura këmbën në këtë shtet, shijova lirinë e parë në jetën time, që nuk e kisha ditur se ҫfarë është ajo. Ky tempull dhe kult i shenjtë do te mbetet një trashëgimi shpirtërore dhe kulturore për brezat që do të vijnë, që kanë lindur dhe do të lindin, për nipat dhe stërnipat tanë. E vetmja në të ardhmen, për ruajtjen e trashëgimisë, identitetit kombëtar shpirtëror dhe kulturor, do të jetë kjo xhami që me shekuj do të ngelet një thesar i çmuar për gjithë komunitetin musliman në Zvicër. E them me shumë emocione, ndoshta pasardhësit tanë, nipat dhe stërnipat, duke kaluar do t’ju vijnë ndërmend se në këtë tempull, gjyshi apo stërgjyshi im ka lënë gjurmë ose ka vënë një tullë. Do të vazhdojnë të bartin virtytet dhe trashëgiminë, do të vizitojnë këtë xhami dhe do të na kujtojnë se gjyshërit tanë që erdhën nga Ballkani këtë thesar të ҫmuar, këtë tempull të shenjtë që na e kanë lënë nuk duhet humbur.

ERDHËM PËRKOHËSISHT DHE MBETËM PËRGJITHMONË

E them me shumë bindje, që ne si qeniet e para u shkëputëm nga toka, gjaku dhe fisi, dhe duke jetuar me shpresë dhe iluzione se do të kthehemi, bartëm mbi supe dhe shpatulla peshën më të rëndë. Ndërtuam shtëpi dhe pallate, kontribuuam për vendlindjen, dërguam para të majme shtetit, që nuk na mbështeti kurrë. Nuk duhet ta marrim tragjike, se kemi qenë viktimat e para, ose si plagë emigrimi. Gjithë organizmat lëvizin dhe shtegtojnë, në këtë planet të bukur gjithë njerëzimi është i lirë, të jetojë ku të dojë. Si gjeneratë e parë që erdhëm, dalëngadalë jemi duke u plakur, duke u shterur, duke e humbur nga një të afërm, nga një mik dhe nga një shok. Koha gëlltitë ҫdo krijesë. Një dijetar islam Anvari i shekullit njëmbëdhjetë shkruan: Kur arrin pleqëria, në fund, në qoftë se pyesni njerëzit se a doni t’i ktheheni kësaj jete dhe të jetoni siҫ keni jetuar, shumica e njerëzimit nuk duan ti kthehen kësaj jete, kësaj botë kaotike, me shumë dhimbje dhe vuajtje dhe shumë pak gëzime dhe lumturi. Shpirti nuk do të kthehet kurrë në labirintin e kësaj bote. Në qoftë se na pyesin edhe ne, se a doni të ktheheni përsëri, sigurisht që jo.

Më në fund kthehemi, të rraskapitur e të zhgënjyer, të sëmurë. Kthehemi si anija duke lundruar nëpër oqeane dhe dete, dhe më në fund mbërrijmë në port, me shina të ndryshkura dhe vela të prishura.

Kthehemi si shqiponja që fluturon e vetmuar, pa pasardhësit, dhe pa zogjtë e saj! Kthehemi me arkivole në tokën mëmë që na lindi, të prehemi afër varreve, të gjyshërve dhe prindërve tanë!

IMAMI KARIZMATIK NGA WILI

Të nderuar lexues! Këtë pasazh të fundit e përmbyll duke ia kushtuar punës së palodhshme imamit të xhamisë së Wilit, Bekim Alimit, dhe kryetarit Abdulla Mustafa. Dua të bëj një ilustrim, nuk dua që t’i lartësojë, dua të jemi racional, edhe pse dikush do të jetë kritik më në fund unë shpreh mendimin tim, pa asnjë imponim. Para shumë vitesh hasa në një gazetë zvicerane në një artikull në faqe ishte titulli “Imami karizmatik nga Wili”.

Të jesh Imam me karizëm nuk është të kesh potencial intelektual, të jesh pragmatik ose kozmopolit. Karizma e një individi do të thotë të jesh një figurë ose personalitet.

Imami në fund hapi “Kutinë e Pandorës”. Hapja e kutisë së Pandorës sipas mitologjisë greke është dalja e gjithë të këqijave, mëkateve dhe të ligave. Por me hapjen e kutisë, doli “Elipsi” shpresa, imami që tronditi gjithë parlamentin zviceran dhe më në fund u mbyll kapitulli me referendum. Ligjëratat dhe predikimi i Imamit në shumë fusha, në rrafshin e shkencave islame jep një dituri burimore dhe inspirim për xhematin. E them këtë pasi si xhemat më ka bërë përshtypje, që në ligjërata kam hasur duke zbërthyer “Ajete kuranore” dhe hadithe të Profetit. Disa nocione, maxima dhe sintagma në mënyrë dialektike i ngjanin frazave të Sokratit, Aristotelit, Platonit, Dekartit dhe Emanuel Kantit. Kanti në një maximë të famshme shkruan për Zotin: “ Zoti, liria dhe pavdekësia”. Të gjithë këta filozof besonin në Krijuesin, në një Zot, ishin monoteistët e parë. Emërimi ishte i shumëllojshëm.

Të fundit