E hënë, 29 Prill, 2024

PLATFORMA #1198: MICKOSKI PREMTON HEQJEN E “BALANCUESIT”, POR JO EDHE TË “20 PËRQINDSHIT”

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, prezantoi programin e partisë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 8 maj, të titulluar “Platforma #1198”. Mickoski tha se programi përmban 1198 projekte “për zgjidhjen e një numri të madh të problemeve të qytetarëve”, përcjell KDP.

Midis projekteve që premtoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, është edhe heqjen e balancuesit, me të cilin sigurohet përfaqësim proporcional të shqiptarëve dhe etnive tjera gjatë çdo punësimi në institucionet publike dhe shtetërore. Ky mekanizëm buron nga Marrëveshja e Ohrit, e cila ndali konfliktin e vitit 2001.

Në një intervistë të dhënë për gazetën Koha në shkurt të këtij viti, Mickovski ka përmendur heqjen e Balancuesit dhe Badenterit si këmbim për heqjen e “20 përqindëshit”.

“Nëse bëjmë një reformë të tillë, del jashtë kornizës së Marrëveshjes së Ohrit, atëherë unë do doja të bisedoj edhe për disa pjesë të tjera të cilat ndoshta popujve të tjerë, siç është shumica në Maqedoni do ta kishin me rëndësi, jo vetëm të asaj shumicë që është maqedonase, por edhe të tjerët, ajo është të bisedojmë për Badenterin dhe Balancuesin. Të shohim nëse Badenteri dhe Balancuesi disi e kaluan kohën e tyre dhe nëse tani në këtë moment edhe Badenteri edhe balancuesi janë më shumë frenues sesa “rrahje shpinës”. Unë mendoj se janë më shumë frenues sesa “rrahje shpinës”. Shihni se çfarë po ndodhë. Sot në opinion ju keni institucione shtetërore ku shqiptarët paraqiten si maqedonas, maqedonasit si shqiptarë, e kështu me radhë…pse, sepse ekziston rregulli Balancues dhe rregulli Badenter. Unë mendojë se nëse bëjmë një reformë të tillë që do të del jashtë kornizës së Marrëveshjes së Ohrit, atëherë do të duhet pak më shumë ti qasemi”, ka thënë Micskovski.

Në bazë të përditësimit të të dhënave të Ministrisë për Shoqëri Informative dhe Administratë, në përputhje me Ligjin për të punësuarit në sektorin publik në institucionet e shtetit, shqiptarët duhet të përfaqësohen në administratë me 30 për qind në përputhje me të dhënat e regjistrimit të realizuar në tetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës më 30 mars, numri i përgjithshëm i popullsisë rezidente dhe jorezidente në Maqedoninë e Veriut është 2.097,319, prej tyre 54.21 për qind janë deklaruar maqedonas, 29.52 për qind shqiptarë, 3.98 për qind turq, 2.34 për qind nga komuniteti rom, 1.18 për qind serbë, 0.98 boshnjakë dhe 0.44 vllahë.

Ndërkohë, si popullsi rezidente pa përfshirë këtu qytetarët me shtetësi maqedonase që jetojnë në diasporë, Maqedonia e Veriut ka vetëm 1.836,713 banorë, prej tyre 58.44 për qind maqedonas dhe 24.3 për qind shqiptarë.

Gjatë paraqitjes së Platformës #1198, Mickoski kërkoi mbështetje nga partitë për një Parlament me 90 deputetë, për një njësi zgjedhore dhe njoftoi se nëse VMRO-DPMNE merr pushtetin, riorganizimi i institucioneve dhe Ministria e re e Energjisë. dhe Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.

Fjalimit të Mickoskit i kanë paraprirë pesë debate partiake për fusha të ndryshme.

“Në tërësinë e saj, Platforma 1198 është një plan politik që mbështetet në një qasje moderne dhe precize për menaxhimin e burimeve, cilësinë e jetës dhe zhvillimin dinamik ekonomik”, tha Mickoski.

Programi mbështetet në disa shtylla kryesore: një luftë aktive dhe e vazhdueshme për një standard jetese cilësor, hapja e një fronti kundër korrupsionit, sigurimi që institucionet të punojnë sipas ligjeve, sigurimi i një sistemi funksional për qytetarët, patriotizmi i përbashkët dhe respektimi i palëkundur i lirive dhe të drejtave të njerëzve.

Siç tha Mickoski, ekonomia ka kuptimin më dominues në program.

“Me platformën 1198 ne angazhohemi për rritjen e PBB-së deri në 5% në vit, normën e ulët të inflacionit jo më shumë se 2,0%-2,5% në vit, deficiti buxhetor do të ulet gradualisht në një nivel nën 3,0% të PBB-së, uljen e papunësisë në 7,5%, gjegjësisht krijimi i 55 mijë vendeve të reja të punës”, tha Mickoski.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahet më 24 prill, ndërsa raundi i dytë së bashku me zgjedhjet parlamentare më 8 maj.

Të fundit