E premte, 10 Maj, 2024

RRITET BILANCI I VIKTIMAVE NË MOSKË

Së paku 93 njerëz u vranë, ndërsa mbi 140 të tjerë kanë mbetur të plagosur, pasi sulmues të armatosur qëlluan mbrëmjen e së premtes një sallë koncertesh në periferi të Moskës, thanë zyrtarët rusë. Grupi militant, Shteti Islamik, ka marrë përgjegjësinë për sulmin, – përcjell kdp.mk njoftimet e agjencive të lajmeve.

Drejtori i Shërbimit Federal të Sigurisë në Rusi, tha të shtunën se 11 persona janë ndaluar lidhur me sulmin në Moskë, përfshirë katër sulmues të armatosur.

Reuters dhe agjenci të tjera të lajmeve thanë se grupi militant, Shteti Islamik (IS), ka marrë përgjegjësinë për sulmin në disa kanale në Telegram, të lidhura me të. Sipas deklaratës së IS-it, sulmuesit “janë tërhequr në bazat e tyre”.

Ndërkohë, Ukraina, që aktualisht është në luftë me Rusinë – ka mohuar çdo përfshirje në këtë sulm, – njofton BBC. Kremlini ka bërë të ditur se presidenti Vladimir Putin është informuar për atë që ka ndodhur – ai nuk i është drejtuar drejtpërdrejt kombit, por sipas një deputeti rus u ka uruar të plagosurve shërim sa më të shpejtë. Në të gjithë Rusinë janë rritur masat e sigurisë, janë anuluar të gjitha manifestimet, kurse garda kombëtare ruse është vënë në kërkim të sulmuesve. Hetuesit janë në vendin e ngjarjes.

Shteti Islamik përmes një postimi në platformën Telegram mori pëgjegjësinë për sulmin. Më herët zyrtarët rusë thanë se incidenti po hetohej si sulm terrorist, një nga më vdekjeprurësi në Rusi në shumë vite.

Shtetet e Bashkuara kanë informacione zbulimi që konfirmojnë marrjen e përgjegjësisë nga Shteti Islamik për sulmin vdekjeprurëse në Moskë, – tha të premten një zyrtar amerikan.

Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara e kishin paralajmëruar Rusinë në javët e fundit për mundësinë e një sulmi.

“Ne i paralajmëruam rusët në mënyrë të duhur”, tha zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, pa dhënë asnjë detaj shtesë.

Autoritetet ruse thanë se persona të armatosur hynë në sallën e koncerteve “Crocus City Hall” afër Moskës dhe qëlluan me armë automatike në drejtim të turmës, që po ndiqte koncertin e grupit muzikor “Picnic”. Më pas ata hodhën eksplozivë brenda ndërtesës, duke shkaktuar një zjarr të madh.

Mykhailo Podolyak, këshilltar i Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky mohoi përfshirjen e Kievit në sulmin ndaj sallës së koncertit në Moskë.

“Ukraina kurrë nuk ka përdorur metoda terroriste. Gjithçka në këtë luftë do të vendoset vetëm në fushën e betejës”, tha ai përmes një postim në platformën X.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për çështjet e sigurisë kombëtare, John Kirby tha të premten se ai nuk mund të fliste mbi detaljet e sulmit, por theksoi se “imazhet nga sulmi janë të tmerrshme dhe të vështira për t’u parë”.

“Mendimet tona janë me viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm me armë”, tha zoti Kirby.

Sulmi vjen disa ditë pasi Presidenti Vladimir Putin çimentoi kontrollin e tij në vend, duke orkestruar një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale në Rusi.

Sulmi ishte më vdekjeprurësi në Rusi që nga rrethimi i shkollës në Beslan, në vitin 2004.

Të fundit