E diel, 16 Qershor, 2024

KRYEMINISTRI PALESTINEZ NË ARDHJE ME PLAN PËR RINDËRTIMIN E GAZËS

Kryeministri palestinez në ardhje tha se ai do të emërojë një Qeveri teknokratike dhe do të themelojë një fond të pavarur mirëbesimi që do të mbikëqyrë rindërtimin e Gazës.

Në një deklaratë dërguar Associated Press, Mohammad Mustafa shpalosi një plan të gjerë për llojin e një Autoriteti Palestinez të rivitalizuar, për të cilin kanë bërë thirrje Shtetet e Bashkuara si pjesë të vizionit të tyre të pasluftës për zgjidhjen e konfliktit.

Por, Autoriteti Palestinez nuk ka fuqi në Gazë, që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – dëboi forcat e Autoritetit më 2007, dhe ka autoritet të kufizuar në pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka hedhur poshtë mundësinë e rikthimit të Autoritetit Palestinez në Gazë dhe Qeveria e tij kundërshton ashpër shtetësinë palestineze.

Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, e caktoi Mohammad Mustafa në postin e kryeministrit javën e kaluar. Ekonomist i shkolluar në SHBA dhe këshilltar i kamotshëm i Abassit, ai është i pavarur dhe nuk ka prapa vetes asnjë parti politike.

Mustafa tha se ai do të emërojë një Qeveri “jopartiake, teknokratike që mund të fitojë edhe besimin e popullit tonë, edhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar”.

Ai premtoi reforma të gjera në institucionet e Autoritetit Palestinez, duke shtuar se do të ketë politika të zero tolerancës ndaj korrupsionit.

Ai tha se do të kërkojë ribashkimin e territoreve dhe krijimin e një “agjencie të pavarur, kompetente dhe transparente për fondin e mirëbesimit për rindërtimin e Gazës, që do të menaxhohej ndërkombëtarisht”.

Në vizionin e tij nuk përmendet Hamasi, që kishte fituar në zgjedhjet e fundit kombëtare palestineze më 2006.

Abbas, që ka kontrollin e Autoritetit Palestinez ka mbetur në pushtet pavarësisht se mandati i skadoi më 2009 dhe ka refuzuar që të mbajë zgjedhje të reja, duke u thirrur në kufizimet izraelite. Sondazhet vazhdimisht kanë sugjeruar se pjesa dërmuese e palestinezëve duan që ai të japë dorëheqje.

Mustafa tha se Autoriteti Palestineze synon të mbajë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale, por nuk dha në afat kohor, duke thënë se gjithçka varet nga situata në terren në Gazë, Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, territore që Izraeli pushtoi më 1967 dhe ku palestinezët duan që të jetë shteti i tyre në të ardhmen.

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor pasi grupi radikal palestinez sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me ofensivë tokësore dhe ajrore në Rripin e Gazës. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi, si pasojë e luftës janë vrarë mbi 31.000 persona, shumica gra dhe fëmijë./REL/

Të fundit