E mërkurë, 12 Qershor, 2024

BE: ZGJEDHJET NË RUSI TË BAZUARA NË “SHTYPJE DHE FRIKËSIM”

Reagimet në BE e Gjermani pas rezultatit të zgjedhjeve në Rusi janë të qarta. Zgjedhjet në Rusi nuk ishin të drejta e të lira. Ministrja e Jashtme gjermane, Baerbock i cilësoi ato si “zgjedhje pa zgjedhje”, transmeton DW, përcjell KDP.MK

Për Bashkimin Europian zgjedhjet presidenciale në Rusi nuk ishin të drejta e të lira. Putini u rizgjodh për shkak të “shtypjes dhe frikësimit”, tha i ngarkuari i BE për politikën e Jashtme, Josep Borrell të hënën para takimit të ministrave të Jashtëm të BE në Bruksel. “Ato nuk ishin zgjedhje të lira dhe të drejta.”

Sipas ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock zgjedhjet presidenciale në Rusi me fitoren e presidentit Putin ishin “zgjedhje pa zgjedhje”. Para një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Baerbock tha se “mënyra e zhvillimit të zgjedhjeve tregon jo vetëm veprimin pa skrupuj të Putinit kundrejt popullit të vet, por edhe kundrejt Kartës së Kombeve të Bashkuara.” Ajo vlerësoi qytetarët rusë, që shprehën gjatë zgjedhjeve protestën e tyre kundër Putinit.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kritikuan pas zgjedhjeve në Rusi mungesën e standardeve demokratike. Shtetet miqësore me Rusinë, si Kina e uruan Putin për fitoren. Edhe Irani, Venezuela, Nikaragua, Kuba dhe Bolivia e uruan kreun e shtetit rus.

Putin bën thirrje për bashkim

Por në televizionin rus, interpretimi i zgjedhjeve ishte i qartë: Shoqëria ruse bashkohet rreth presidentit Putin. Këtë e thanë si moderatorët në televizionet ruse ashtu edhe tre politikanët konkurres pa asnjë shans për fitoren, të cilët ndodheshin të shkruar si emra në fletët e votimit. Me më shumë patetikë u shpreh kandidati i Partisë Komuniste, Nikolai Charitonov. “Populli është sot më i bashkuar se kurrë më parë dhe beson në fitoren tonë prandaj edhe konsolidimi rreth presidentit Putin” , tha Charitonov. “Në kufijtë e vendit tonë vdesin njerëz. Shpresa është e madhe dhe Partia Komuniste me presindentin në fuqi bën gjithçka që të fitojë mbi fashizmin në Ukrainë.”

Presidenti rus, Vladimir Putin arriti një rezutat me më shumë se 87% të votave, sipas Komisionit Zgjedhor. Në mbrëmjën e vonë të dielën ai doli para kamerave dhe u përbetua edhe njëherë për unitetin e vendit. “Para nesh qëndrojnë detyra të mëdha. Por nëse ne qëndrojmë të bashkuar, besoj se këtë e kanë kuptuar të gjithë, atëherë nuk mund dhe nuk do të na frikësojë dhe shtypë askush. Kjo nuk ka ndodhur kurrë, nuk ndodh dhe nuk do të ndodhë. Të gjitha planet tona madhështore do të realizohen pa dyshim dhe qëllimet do të arrihen patjetër.”

Autoritetet bënë fjalë për një pjesëmarrje 74% në zgjedhjet presidenciale, më e larta e shënuar ndonjëherë në historinë ruse. Kremlini ka akuzuar perëndimin për përzierje nga jashtë në këto zgjedhje, drejpërdrejt Ukrainën dhe SHBA për sulme kibernetike. Me gjasë që nga fillimi i vitit ka pasur më shumë se 8 milionë sulme kibernetike kundër faqeve të Komisionit Zgjedhor rus. Sipas palës ruse nuk pati pengime serioze të zgjedhjeve.

Një shtetas rus, para se ta hedhë votën në kutinë e votimit

Vëzhguesit e pavarur rusë të organizatës “Golos”, sipas të dhënave të veta kanë regjistruar 1600 parregullsi në zgjedhje. Në zonat ukrainase u zhvilluan po ashtu zgjedhje, një votim që konsiderohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Ende pa u mbyllur qendrat e fundit zgjedhore u bënë të ditura rezultatet e para. Pikërisht nga një rajon në lindje të Ukrainës, nga zona e pushtuar Donjeck u njoftua, se 95% e qytetarëve aty kanë votuar për presidentin Putin.

 

Të fundit