E enjte, 9 Maj, 2024

FUSHATË E “MEME-ve”, FABRIKIMEVE DHE RETORIKAVE TË FORTA

Në kohën kur po afrohen zgjedhjet presidenciale dhe paralamentare në Maqedoninë e Veriut, në hapësirë publike, sidomos në rrjetet socaile po shfaqen polarizimet politike. Retorika e ashpër, lajmet e rreme, dezinformatat, gjuha e urrejtjes, dhe akuzat reciproke, ndërkohë po rrisin intensitetin, duke shënjestruar jo vetëm opononentët politikë, por edhe fjalën e lirë. “Këto fushata denigruese nuk i kanë në target vetëm funksionarët dhe politikanët rival, por fjalën e lirë dhe gjithkënd që mendon ndryshe partisë së tyre. Forma më e përdorur dhe `inovative` këtë fushatë janë të ashtuquajtirat `MEME` të cilat vendosin forografi ose situata qoftë reale apo imagjinare”, thotë Sefer Selimi, drejtor ekzekutiv në Democracy Lab. Në anën tjetër, profesori i gazetarisë  Sefer Tahiri, beson se periudha para zgjedhjeve do të karakterizohet nga një shumëllojshmëri e dezinformimeve dhe gjuhës së urrejtjes, e cila vjen si rezultat i keqpërdorimit të hapësirës së mediave, veçanërisht atyre online që nuk janë të rregulluara nga ligji. “Kjo vërehet tek plasimi i dezinformatave të ndryshme lidhur me koalicionet e mundshme, por edhe tek takimet e fshehta të paqena, si dhe tek fabrikimet dezinformative, siç ishte rasti i kryeministrit Talat Xhaferi, i cili u tha se në fshatin e tij, Forinë ka festuar me mbështetje të njerëzve të cilët kanë brohoritur: Çamërina, Ilirida, Kosova etj., e që në fakt ka qenë një montim klasik i një ngjarje festive”, thotë Tahiri.

Shkruan: Enis Shaqiri

Ekipi për marrëdhënie me publikun i Presidentit Stevo Pendarovski të mërkurën kërkoi saqrim nga partia opozitare VMRO-DPMNE, në lidhje me përdorimin e retorikës së gjuhës së urrejtjes në rrjetin X, (dikur Twitter). Nga ekipi i presidentit Pendarovski, akuzojnë partinë opozitare VMRO-DPMNE, për posedim të 200 llogarive në rrjetin X, ku vazhdojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes. “Të njëjtat profile tregojnë mbështetje të fortë për partinë VMRO-DPMNE”, thuhet në një reagim për media nga ekipi për marrdhënie me publikun i presidentit Pendarovski.

Retorika nxitëse është evidente mes partive maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) e cila do të garojë me presidentin aktual, Stevo Pendarovski në zgjedhjet presidenciale të 22 prillit, dhe VMRO DPMNE-së, të cilat kanë akuzuar njëra-tjetrën për “politika ruse”, “qeverisje një etnike”, e akuza tjera. Përpos bllokut politik maqedonas, edhe partitë politike shqiptare e kanë ashpërsuar retorikën nxitëse. Zëvendëskryeministri Artan Grubi nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Izet Mexhitit nga opozita shqiptare dhe kryetar i Lidhjes Demokratike, në rrjetin social Facebook kishin etiketuar njëri-tjetrin.

Analisti politik Sefer Selimi, nga Democracy Lab, në një prononcim për KDP.MK vlerëson se fushatat e errëta aktualisht nuk janë të orientuara vetëm kah funksionarët dhe politikanët rival, por edhe kundër fjalës së lirë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga partia e tyre. Ndërkaq, intensiteti i tyre, sipas Selimit, është shtuar dukshëm pas krijimit të bllokut opozitar të bashkuar në “VLEN” (Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa, Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit).

Fushata e zezë, lajmet e rrejshme dhe dezinformatat janë në kontinuitet duke u përhapur, nderkaq intenziteti i tyre është rritur dukshëm pas formimit të bllokut VLEN. Këto fushata denigruese nuk i kanë në target vetëm funksionarët dhe politikanët rival, por fjalën e lirë dhe gjithkënd që mendon ndryshe partisë së tyre”, thotë Selimi.

Ai gjithashtu shton se forma më e përdorur gjatë kësaj fushate janë “MEMET”, të cilat siç thotë përdoren për të për të bërë qesharake një situatë ose person të caktuar.

Forma më e përdorur dhe “inovative” në këtë fushatë janë të ashtuquajturat “meme” të cilat vendosin forografi ose situata qoftë reale apo imagjinare në kontekst tjetër për të përcjell një mesazh politik apo për të përqeshur një situatë apo person të caktuar. Siç duket partitë politike në mungesë të rrezultateve, programeve apo edhe te integritetit të tyre e kanë më të lehtë të denigrojnë, ofendojnë dhe akuzojnë për njëri-tjetrin”, përfundon Selimi.

Në anën tjetër, profesori Sefer Tahiri, shpreh bindjen se rezultati i kësaj gjendjeje është se hapësira mediatike, veçanërisht sfera online, nuk është e rregulluar me ligj. Dhe kjo sipas tij, vërehet tek plasimi i dezinformatave të ndryshme, siç ishte rasti i kryeministrit Talat Xhaferi, ku u pretendua se ai në fshatin e tij, në Forinë, gjatë përzgjedhjes si kryeminister ka festuar me mbështetje të njerëzve të cilët kanë brohoritur: Çamërina, Ilirida, Kosova etj

Mendoj se kjo është rezultat i faktit që partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre e keqpërdorin hapsirën mediatike, sidomos atë të sferës online që nuk është e rregulluar me ligj. Kjo vërehet tek plasimi i dezinformatave të ndryshme lidhur me koalicionet e mundshme, por edhe tek takimet e fshehta të paqëna, si dhe tek fabrikimet dezinformative, siç ishte rasti i kryeministrit Talat Xhaferi, i cili u tha se në fshatin e tij, Forinë ka festuar me mbështetje të njerëzve të cilët kanë brohoritur: Çamërina, Ilirida, Kosova etj., e që në fakt ka qenë një montim klasik i një ngjarje festive”, thotë ai.

Ndryshe, gjatë vizitës së kryeministrit Talat Xhaferi në fshatin e tij të lindjes, Forinë, muaj më parë parë, në disa media u publikua një video material i cili përmbante audio me thirrjet “Ilirida, Çemeria, Kosovë”, por këto thirrje nuk ishin nga pritja e kryeministrit Teknik, por  të modifikuara në video, njoftoi Vërtetmatësi. Tekstet e këtyre mediave raportuan se po përhapen pakënaqësi për këtë pritje nga qytetarët.

Tahiri  thotë se periudha parazgjedhore do të jetë e tillë sa që do të ketë edhe më shumë dezinformata dhe shpifje, fyerje, apo edhe gjuhë të urrejtjes.

Gjithashtu, mund të vërejmë edhe përdorim të gjuhës së urrejtjes, por edhe shpifje dhe fyerje, të cilat mendoj se më shumë u bëjnë dëme vetë përfaqësuesve, por edhe partive politike që i prodhojnë”, thotë Tahiri.

Ndryshe, komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi të martën ka shprehur shqetësimin lidhur me gjuhën e urrejtjes që po shfaqet nëpër tubimet partiake dhe qëndrimet e tyre në rrjetet sociale.

Drejtuesit e komisionit u kanë bërë thirrje partive politike, kandidatëve për president, bartësit të listave të partive politike për deputetë që të “përmbahen nga retorika nxitëse dhe gjuha e urrejtjes pasi vetëm në këtë mënyrë mund të kontribuojmë për zgjedhje të lira dhe demokratike

Ne i ndjekim rrjetet sociale dhe mediat tradicionale bazuar në kapacitetet tona dhe veprojmë ndaj çdo rasti apo individi që denoncon gjuhën e urrejtjes. Veprojmë pa marrë parasysh se do të përçojë gjuhë të urrejtjes dhe përdor fjalor shqetësues. Unë i bëj thirrje çdokujt që vëren fenomene të tilla, që t’i paraqesë para Komisionit për veprim të mëtejmë. Puna jonë është që të kërkojmë nga personat që publikisht të distancohen nga përdorimi i fjalorit të tillë, në të kundërtën, këtë ua përcjellim institucioneve të tjera”, ka deklaruar Igor Jadrovski, kryetar i Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi.

Fushata zgjedhore për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të zhvillohen më 24 prill, fillon më 4 prill dhe zgjat për 20 ditë. Ndërsa, raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale do të mbahet më 8 maj, në të njëjtin ditë me zgjedhjet parlamentare.

 

Të fundit