E shtunë, 27 Korrik, 2024

ZOT, NDIHMONA TË DALLOJMË INTERESIN PUBLIK NGA “XHEPI” I KLIKIMEVE!

Në dhjetëra lajmet e ditës mbi “dhunën” e “shtetit” ndaj shpinës së kërrusur të shqiptarëve, që po u ndalohet të jetojnë me dinjitet në tokë të vet, po i ndajnë nga fëmijët për së gjalli, po u marrin shtëpi e prona pa gjyqe, po u kërcënojnë jetën me gjyqe, po u shkurtojnë ditët e perëndisë me ndotje të lartë, ushqime të pakontrolluara dhe shëndetësi copë e çmim të lartë, po i varfërojnë e telendisin publikisht si maskarenj, që nuk meritojnë më shumë, po u marrin peng jetët e po u tradhtojnë besimin, po i përçudnojnë në çdo formë gjersa t’u shtrembërohet shtylla kurrizore me breza dhe e gjitha nën shikimin e dëshminë personale të secilit.

Pra në këtë habitat “pjellor” revolte publike e personale, media zgjodhi të merret me dy video personale, pak sekondëshe, të një konflikti, që askush nuk di të thotë qe shkak a pasojë, të një raporti ish-bashkëshortësh brenda katër mureve, të një situate nisur vite para videos, në rrethana krejt të paqarta të videos, për çështje, që as nuk preken në videon e bërë nga dikush, për qëllim të paditur, për një jetë të vetën, që e dinë veç protagonistët.

Ka 100 kamera “Big Brother”, në çdo skutë bashkëjetese, 24 orë “live” i përgjuar, qysh nga nisja e jetës së përbashkët, me mundësi sqarimi përmbi çdo fjalë, akt e veprim të dokumentuar dhe nuk ia del dot publiku të bjerë dakord se kush ka të drejtë e kush gabim.

Me dy video disa sekondëshe, marrë s’dihet kur, në ç’pjesë të konfliktit, pa kontekst, pa njohje rrethanash para e pas, të një familjeje, që nuk ia njohim as hallet, as huqet, me pamje që turp i madh kush i “shkarkoi” në media si kocka për “ujqit” e uritur të rrjetit, kemi marrë përsipër të bëjmë gjyqin e plotë, duke ndarë pretenca e verdikte si gjykata ambulante.

Zot ndihmona të mbledhim mendjen, të shkoqisim hallin tonë nga dallavaret e të tjerëve, të ndajmë grurin e jetës sonë nga kashta e dramave të të tjerëve, të mbajmë hundën tonë jashtë punës së të tjerëve, të dallojmë “show”-n nga jeta reale, telenovelën nga skena e përditshmërisë lodhëse, të ruajmë energji për çfarë na duhet e bën mirë, të mos mbushim egon tonë me fatkeqësitë e tjetrit dhe mos zbrazim qetësinë tonë me xhelozinë ndaj tjetrit, të dallojmë interesin publik nga “xhepi” i klikimeve dhe të mësojmë të meritojmë jetën që ndërtojmë e jo mbijetesën, që na imponojnë.

Kaq vend jemi, kaq njerëz kemi mbetur. Ia morëm erzin sho-shoqit./CNA 

Të fundit