E shtunë, 22 Qershor, 2024

DEKORIMET E FRANKFURTIT NË PRAG TË RAMAZANIT

Në qendër të Frankfurtit për herë të parë do të vendoset ndriçim special me rastin e muajit të agjërimit. Në këtë mënyrë Ramazani shënohet si një simbol tolerance mes feve, shkruan DW, transmeton KDP.MK

Për herë të parë qyteti i Frankfurtit do të dekorojë me ndriçim një pjesë të hapësirës publike me rastin e muajit të agjërimit  –  Ramazanit. Nga e diela (10 mars), rruga e madhe Bockenheimer  në qendër të qytetit, e njohur edhe si “Freßgass“, do të ndriçohet me dekorime në formën e gjysmëhënave, yjeve dhe fenerëve, me fjalët “Gëzuar Ramazanin”.

Model për këtë lëvizje nga autoritetet e qytetit ishte Londra, e cila vitin e kaluar me rastin e Ramazanit filloi praktikën e dekorimit dhe ndriçimit të hapësirës publike pranë Piccadilly Circus. Sipas informacioneve të gazetës “Bild”, Frankfurti do të jetë qyteti i parë gjerman që do ta bëjë këtë.

Dekorimet në Londër në prag të Ramazanit, vitin e kaluar.

Vendimi është marrë vitin e kaluar

Vitin e kaluar, parlamenti i qytetit të Frankfurtit vendosi të instalojë ndriçimin. Kërkesa është paraqitur nga fraksionet e qeverisë së qytetit, të Gjelbërve, SPD, FDP dhe Volt. Në shpjegim thuhet se në Frankfurt jetojnë nga 100.000 deri në 150.000 myslimanë, që përbën pothuajse 15 për qind të popullsisë së përgjithshme. Ramazani i këtij viti zgjat deri më 9 prill.

Presidentja e Këshillit Bashkiak Hilime Arslaner (Të Gjelbërit) shpjegoi se gjatë Ramazanit, njerëzit kujtohen dhe reflektojnë për gjëra të rëndësishme në jetë. “Këto janë shtyllat themelore të bashkëjetesës njerëzore, të mësuara nga të gjitha fetë,” tha Arslaner. “Jam i lumtur që këto shenja të paqes së Ramazanit janë të dukshme dhe kanë marrë jetë në Frankfurtin tonë.

Kryetari i bashkisë: “Shenjë e bashkëjetesës paqësore”

Ndriçimi është “një shenjë e bashkëjetesës paqësore të të gjithë njerëzve në Frankfurt”, tha kryebashkiaku Nargess Eskandari-Grünberg (Të Gjelbrit). Ai është gjithashtu përgjegjës për diversitetin, anti-diskriminimin dhe harmoninë sociale. “Këto janë dritat e bashkëjetesës, kundër paragjykimeve, kundër diskriminimit, kundër racizmit anti-mysliman, por dhe kundër antisemitizmit.

Dekorimet në Frankfurt

Në kohë krize dhe lufte, dekorimi është “një shenjë shprese për të gjithë njerëzit dhe forcon kohezionin në shoqërinë tonë të larmishme urbane”, tha Eskandari-Grünberg. Kostoja e blerjes së dekorimeve, siç tha zëdhënësi i kryebashkiakut të Frankfurtit për agjencinë e lajmeve dpa, arriti në 75 mijë euro.

Reagimet pozitive të myslimanëve

Myslimanët në Frankfurt reaguan pozitivisht ndaj dekorimit të planifikuar të qytetit. “Unë mendoj se është një nismë e mirë dhe mund të shërbejë si shembull,” tha të martën Mohamed Seddadi, president dhe drejtor i Komunitetit Islamik në Frankfurt. Ndriçimi publik është i rëndësishëm për myslimanët dhe përshtatet me “qytetin multikulturor”.

Ndriçimi ndjek zakonet në vendet arabe dhe në Turqi, ku rrugët janë zbukuruar me fenerë dhe simbole të tjera gjatë Ramazanit, tha Seddadi. Dekoratat publike në Frankfurt simbolizojnë: “Ne të gjithë i përkasim një shoqërie”.

Edhe zëdhënësi i komunitetit gjerman Ahmedia, Naweed Ahmad, lavdëroi autoritetet e qytetit: “Mezi pres me padurim këtë shenjë njohjeje për muslimanët,” tha ai për epd. Rruga Bockenheimer është zbukuruar dhe ndriçuar edhe gjatë Krishtlindjeve dhe festës hebreje të Hanukkah. Prandaj kjo lëvizje me rastin e Ramazanit, siç tha ai, është shenjë e të njëjtit respekt ndaj feve.

Reagimet në rrjete

Në rrjetet sociale janë shfaqur komente të ndryshme lidhur me vendosjen e ndriçimit të Ramazanit në Frankfurt, transmeton RTL. Ato dallojnë nga kontestimi i këtij vendimi deri tek mbrojtja e vlerave civilizuese.

“Duhet të ndalohet”, “Happy Doom” apo dhe “i tmerrshëm”, janë vetëm disa nga komentet e shumta në rrjete.

Përdoruesi i rrjeteve Eriku shkruan: “Të gjitha zakonet tona të vjetra po hiqen, ndërsa ato të atyre po përhapen.”

Në një nga reagimet ndaj këtij komenti, thuhet: “Se Krishtlindjet tashmë janë hequr – këtë nuk e kam dëgjuar! Pemët e Krishtlindjeve, tregjet, adventi…- ah të mos harroj dhe verën e zier – të gjitha këto i kam parë në dhjetorin e kaluar. Dhe një pyetje tjetër për ju: Kur thua “të tyre”, me siguri mendon për mua që kam ardhur nga Rusia Ortodokse në vitin 1992 apo jo? Apo e ke fjalën për miken time të dashur Günes, e cila ëshë rritur në Berlin? Është interesant fakti që vetë njoftimi se do të bëhet diçka shkakton kaq shumë panik. Tani Perëndimi me siguri do të dështojë, apo jo? Dhe për të gjithë ata që kërkojnë të bëhet diçka e ngjashme në Turqi, unë rekomandoj që të vizitojnë Stambollin gjatë Krishtlindjeve. Atje mund të shihni shumë fenerë, por edhe pemë të Krishtlindjeve dhe madje edhe një treg Krishtlindjesh. Udhëtim të mbarë. Mos u shqetësoni, sepse as Pashkët dhe as Krishtlindjet, nuk do të shfuqizohen.”/DW/

 

 

 

 

Të fundit