E shtunë, 4 Maj, 2024

HARRESA E RREZIKSHME E INTEGRIMIT EVROPIAN

Për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut kemi një periudhë parazgjedhore, ku integrimi në Bashkimin Evropian (BE) nuk përdoret si premtim për të mbledhur vota. Ndërkohë që Propozimi Francez po mbulohet nga pluhuri në sirtarët e Parlamentit, partitë politike sillen sikur gjithçka është në rregull dhe se zgjedhjet e 8 majit do të sjellin edhe numrat për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Fakti se integrimi evropian gati nuk përmendet në diskursin parazgjedhor është një rrezik që duhet të ndezë alarmin te të gjithë ata që dëshirojnë një perspektivë më të mirë për shtetin dhe popullin e tyre. 

Shkruan: Xhelal Neziri

Kjo harresë e integrimeve evropiane mund të sjellë rimendimin e orientimit strategjik të vendit, anipse nga viti 2020 është anëtar i NATO-s. Dhe kjo harresë e ka burimin te rritja e euroskepticizmit, apo te rënia e mbështetjes për integrimin në BE, si pasojë e bllokadave të njëpasnjëshme.

Menjëherë pas pavarësimit të shtetit, në vitet e 90-ta, përkrahja për BE-në ka qenë gati absolute. Të pyetur nëse nesër do të mbahej referendum dhe do të duhej të vendosej për integrimin e vendit në BE, afër 90% janë shprehur “pro”. Më pas, për shkak të mungesës së perspektivës së qartë evropiane dhe vetos nga Greqia, kjo mbështetje ka filluar gradualisht të bjerë. Sipas anketave të Institutit për Demokraci “Societas Civilis” të publikuara në fund të dhjetorit 2023, në vitin 2014 kjo mbështetje ka qenë 80%, kurse sot ka rënë në 60%. Trajektorja e rënies është ngadalësuar në vitin 2018, kur vendi zgjodhi problemin 30-vjeçar të emrit me Greqinë, kurse një vit më herët nënshkroi Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë. Në këtë vit niveli i mbështetjes për BE-në ka qenë 72%, vetëm 1% më i ulët se në vitin 2017. Në vitin 2019 mbështetja bie në 65%, pra bëhet fjalë për vitin kur Franca bllokoi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut për shkak të ndryshimit të metodologjisë. Tejkalimi i problemit dhe hapja e rrugës për fillimin e negociatave rezultoi me një ngritje të lehtë të mbështetjes për BE-në në vitin 2020, kur 69% thanë se janë për integrim në Union. Megjithatë, në këtë vit është shënuar përqindja rekorde e atyre që janë kundër BE-së, e cila arrin në 22%. Nga ky moment fillon rënia e ngadaltë e mbështetjes për BE-në shkaku i vetos nga Bullgaria, e cila vazhdon edhe më tej njëjtë siç nuk arrihet të hapen kapitujt e parë. Në vitin 2022 ajo ka rënë në 49%, që në vitin 2023 të rritet pak dhe të shkojë në 52.60%. Megjithatë, shkaku i pamundësisë së përmbushjes së kushtit për hapjen e kapitujve të parë, pra mungesa e ndryshimeve kushtetuese në Maqedoninë e Veriut, sërish ka kthyer pesimizmin te qytetarët. Nëntori ishte caktuar të jetë afati i fundit i miratimit të ndryshimeve, muaji kur edhe përfundoi faza e skriningut, por partitë kryesore nuk arritën marrëveshje me qëllim që të sigurojnë dy të tretat e votave në Parlament, të nevojshme për të miratuar ndryshimet e Kushtetutës. Kjo ka ndikuar edhe më shumë në rritjen e euroskepticizmit, me ç’rast anketa e fundit e publikuar nga Instituti për Demokraci tregon se gjenerata e re e qytetarëve (18-23 vjet) ka përqindje më të ulët të mbështetjes së BE-së, edhe atë vetëm 52%.

Hulumtimet e fundit tregojnë se, jo vetëm që bie mbështetja për BE-në, por ndër qytetarët e Maqedonisë së Veriut rritet përqindja e atyre që mendojnë se vendi ka alternativë të integrimit në BE. Gati gjysma e qytetarëve mendojnë se një union tjetër alternativ (BRICS, për shembull) do të ishte një alternativë e mirë e BE-së. Rezultatet e fundit të anketave kredibile thonë se vetëm një e treta e maqedonasve etnik pajtohen me konstatimin se “Integrimi në BE është një punë e mirë”, kurse te shqiptarët pajtimi është 84.2%.

Pra, janë tri vetot nga anëtaret e BE-së janë faktori kryesor që kanë rritur euroskepticizmin në vend dhe kanë zvogëluar në pikën më të ulët mbështetjen ndaj Unionit. Kjo politikë e vetove ciklike më pas prodhon politikanë jo aq të përkushtuar dhe të motivuar për reforma, siç është edhe qeveria aktuale në Shkup. Sa më e lartë është mbështetja për BE-në, aq më i madh është presioni qytetar mbi politikën në përmbushjen e kritereve për anëtarësim, apo për europianizimin e shtetit dhe shoqërisë.

Fakti se ka dallime të mëdha etnike kur bëhet fjalë për perceptimin dhe mbështetjen e integrimeve evropiane, e bën këtë çështje të rëndësishme edhe për sigurinë dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Në rast se Shqipëria do të vazhdonte përpara në procesin e negociatave e vetme, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të ndiheshin të frustruar për shkak të “pritjeve të gjata të shkaktuara nga maqedonasit etnik”. Kjo, më pas, mund të hapë agjenda tjera politike te shqiptarëpt etnik në Maqedoninë e Veriut, që mund të ndërlidhen edhe me epilogun e bisedimeve Prishtinë-Beograd.

Të fundit