E shtunë, 27 Korrik, 2024

SINDIKATAT E PESË UNIVERSITETEVE PUBLIKE NË RMV SOT PROTESTOJNË PËR PAGA MË TË LARTA

Sindikatat e pesë universiteteve publike, “Goce Dellçev” – Shtip, Universiteti i Tetovës, “Shën Kliment Ohridski” – Manastir, “Nënë Tereza” – Shkup, “Shën Apostol Pavle” – Ohër, të hënën, në orën 13:00 do të organizojnë protestë për shkak të mosnënshkrimit të marrëveshjeve kolektive, transmeton KDP.MK. Sindikatat njoftojnë se ndjehen të diskriminuara për shkak se nga ky muaj, pagat do të rriten për 22% vetëm për të punësuarit e Universitetit Shën “Kirili dhe Metodi”.

Sindikatat e përshëndesin zbatimin e Marrëveshjes Kolektive nga ana e Qeverisë me UKIM-in, por njëherësh janë edhe kundër standardeve të dyfishta, diskriminimit dhe pabarazisë ndaj universiteteve të tyre, pasi e gëzojnë të njëjtin status dhe se shteti padrejtësisht i ka lënë anash”, thuhet në njoftim.

Sindikatat theksuan se nuk janë kundër askujt dhe protestat nuk kanë kurrfarë ngjyrimi politik, por ato organizohen për kthimin e dinjitetit, integritetit dhe drejtësisë së shkelur e të nëpërkëmbur nga ana e organeve kompetente vendimmarrëse.

Sindikatat vlerësojnë se janë injoruar dhe diskriminuar nga Qeveria dhe Kuvendi në raport me punëtorët e Universitetit “Shën Kiril dhe Metodi”, të cilit me kontratën kolektive të nënshkruar nga ky muaj do të kenë rritje të pagave prej rreth 22 për qind.

Nisma e nënshkrimit të Marrëveshjeve Kolektive ka filluar, gjegjësisht propozim teksti i Marrëveshjeve Kolektive prej të gjitha universiteteve publike është dorëzuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut shumë më herët para shpalljes së zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale, prandaj si përfaqësues të sindikatave konsiderojmë se padrejtësisht dhe jo me fajin tonë të njëjtat nuk janë nënshkruar me themeluesin, Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thonë sindikatat e universiteteve.

Ky vendim i sindikatave vjen si reagim ndaj Qeverisë dhe Kuvendit në lidhje me rritjen e rrogave për 22 përqind për të punësuarit në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi”.

Kujtojmë se me 28 shkurt të këtij viti Qeveria e RMV-së miratoi nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive të Lidhjes së Sindikatave të Punonjësve të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup dhe kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri në emisionin 10 minuta në Tv21 deklaroi se asnjëra nga sindikatat nuk është drejtuar tek Ministria e Arsimit. Ai tha se të gjitha elementet juridike të ligjit duhet t’i kenë parasysh në mënyrë të përbashkët si dhe do ta mbështesë iniciativën për rritjen e pagave te të gjithë universitetet publike.

“Edhe unë kam insistuar si ministër të gjithë institucionet tjera publike sa më shpejtë në periudhën e vitit 2022, sa më shpejtë të përfundojnë të gjithë llojet e procedurave të cilat u takojnë nga aspekti juridik për të themeluar sindikatat e kështu me radhë, sepse unë jam dhe i qëndroj qëndrimit me marrëveshje të mos jetë vetëm për një institucion të arsimit të lartë publik në rastin konkret, por të vlejë për të gjithë universitet e tjera të cilat sa më shpejtë të kompletojnë procedurat. Kur jam tek kjo periudhë unë tani nuk i di mundësitë dhe dispozitat ligjore deri kur është dorëzuar kërkesa, a është dorëzuar nga të gjithë institucionet tjera publike në vend, sepse edhe palë negociuese nuk jam, edhe palë nënshkruese në këtë pjesë nuk jam, vetëm jam palë e cila duhet të jap qëndrimin në rastin konkret”- deklaroi Jeton Shaqiri – Ministër I Arsimit Dhe Shkencës.

Ndryshe, punonjësit në universitetin më të vjetër shtetëror në Maqedoninë e Veriut „Shën Kirili dhe Metodi“ në Shkup, nga Marsi pritet të marrin paga më të larta mesatarisht për rreth 22 përqind, ndërsa në formë retroaktive do t’ju paguhet edhe dallimi për muajt janar, dhe shkurt.

 

Të fundit