E shtunë, 27 Korrik, 2024

ARBEN TARAVARI SHPRESON TË KALOJË RAUNDIN E PARË

Kandidati i opozitës shqiptare për president në Maqedoninë e Veriut, Arben Taravari thotë në një intervistë për Zërin e Amerikës se krahas votave të elektoratit shqiptar pret mbështetjen edhe nga komunitetet e tjera etnike dhe se mundësitë për të kaluar në balotazh janë reale, përcjell KDP.

“Kemi bërë disa analiza me partnerët e koalicitonit të opozitës shqiptare, e cila quhet VLEN dhe na rezultonte se ka gjasa reale që një shqiptar të kalojë në raundin e dytë, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Veriut. Duke konstatuar se me disa kandidatura që i analizuam me anketa mund të fitohen edhe vota të kombësive të tjera, që jetojnë në Maqedoni, në përkrahje të kandidaturës time, do të shohim nëse do të mund t’i thyejmë barrierat që “një maqedonas nuk mund të votojë një shqiptar”. Gjërat kryesore të cilat për të cilat do të flasim janë hapja e Kushtetutës dhe unë mendoj se burim i krizës në Maqedoni është Kushtetuta, e cila u votua në fillim të viteve të ‘90 vetëm me mbështetjen e votuesve maqedonas, po gjithashtu ta shfrytëzojmë rastin të heqim përdorimin e “20%” prej gjuhës shqipe; pastaj zgjedhjen e presidentit. Do të kërkojë që ta zgjedhim presidentin në kuvendin e Maqedonisë së Veriut, por edhe ndryshimin e gjithë Kushtetutës. Pse të mos e mendojmë Kushtetutën e vitit 1974 kur kishte decentralizim të mirëfilltë në Republikën Socialiste të Maqedonisë, ku gjuhë zyrtatre kanë qenë ajo maqedonase, shqipe dhe turke dhe askush nuk ishte bërë pengesë”, thotë Taravari.

Ai thotë se beson se mund të kalojë në raundin e dytë, ndërkohë që thotë se kjo do të ishte edhe më e sigurt nëse nuk do të kishte kandidat edhe prej partisë tjetër shqiptare, BDI-së.

“Unë mendoj se kandidati shqiptar mund të shkojë në raundin e dytë, por edhe në këtë garë jam shumë optisimist, duke marrë parasysh mbledhjen e nënshkrimeve që e bëmë, për gati 36 orë u mblodhën 10 mijë nënshkrime. Unë e bazojë këtë edhe në zgjedhjen time në postin e kryetarit të komunës së Gostivarit, për të cilën mora përkrahjen e të gjitha komuniteteve, sidomos të shqiptarëve, por edhe të votuesve maqedonas”, thotë Taravari.

Taravari, një nga dy garuesit shqiptarë për zgjedhjet e 24 prillit, thotë se burim i krizave në Maqedoninë e Veriut është Kushtetuta e vendit, e cila, sipas tij, duhet ndryshuar. Ai thotë se rruga e integrimi evropian është alternativa e vetme për Maqedoninë e Veriut.

“Absolutisht. Ne mendojmë se kjo është e domosdoshme. Maqedonia nuk ka alternativë tjetër dhe nuk njoh parti politike në Maqedoni që ofron një opsion tjetër. Në qoftë se nuk i bëjmë ndryshimet kushtetuse ne mbesim jashtë mundësisë për të filluar negociatat dhe do të këmbëngulim me çdo kusht dhe ky të jetë kushti ynë për të qenë pjesë e një shumice të re. Pra, që ndryshimet kushtetuse të ndodhin brenda një afati kohor të kufizuar dhe që të fillojnë negociatat me BE-në.”, thekson Taravari.

Ai thotë se koalicioni VLEN do të vazhdojë të jetë edhe pas zgjedhjeve.

“Pa dyshim që po. Ne kemi një marrëveshje e cila duhet të zgjasë 4 vjet, por partitë e kalocionit janë autonome dhe kanë identitetin e tyre politik. Kështu që bashkëpunimi absolutisht do të vazhdojë, por identitetin tonë politik natyrisht që duhet ta ruajmë. Në qoftë se ka eventualisht mundësi të bëjme zgjerime të caktuara, unë mendoj se shqiptarëve nuk iu duhen kaq shumë parti. Ka gjasa reale që pas zgjedhjeve të bashkëbisedojmë dhe të gjejmë metoda të përbashkëta veprimi. Mund të kemi bashkëpunim më të ngushtë me disa prej partive politike pavarësisht nëse ato janë opozitë apo jo.”, thotë Taravari në intervistën për Zërin e Amerikës.

 

Të fundit