E shtunë, 27 Korrik, 2024

PSE QEVERIA E KOSOVËS HESHT NDAJ KËRKESËS SË HOVENIERIT PËR ASOCIACIONIN?

Gjykata Kushtetuese e Kosovës nuk mund ta shqyrtojë draft-statutin për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe derisa ta dekretojë Qeveria e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë profesori i së Drejtës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, njëherësh ish-gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, përcjell KDP.

Rreth katër muaj më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pranoi në parim një draft-statut për formimin e këtij asociacioni, të cilin e hartoi Bashkimi Evropian. Ngjashëm e pranoi edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Atë duhet ta shqyrtojë edhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës, për të vërtetuar kushtetutshmërinë e tij, por Qeveria e Kosovës nuk ia ka përcjellë ende.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të jetë hapi i parë drejt harmonizimit të mundshëm të këtij statuti, pranimit përfundimtar të tij dhe themelimit të Asociacionit.

Asociacioni do t’iu sigurojë, pastaj, serbëve në Kosovë të drejta më të mëdha në vendimmarrje dhe menaxhim.

Më 29 shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri edhe një herë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta përcjellë draft-statutin te Gjykata Kushtetuese.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës se pse nuk e ka përcjellë ende dhe kur do ta bëjë këtë, por nuk mori përgjigje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha të premten se BE-ja nuk është kompetente t’i propozojë Kosovës draft- statut për formimin e Asociacionit, por se e kupton kërkesën e ambasadorit amerikan për t’ia përcjellë atë Gjykatës Kushtetuese.

“Ndoshta, zoti Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft për Asociacionin. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e keni kuptuar ju”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Profesori Kryeziu thotë se dinamika e këtij procesi, në fakt, varet nga Qeveria dhe kryeministri Kurti.

Politologu serb, Ognjen Gogiq, thotë se teksti i draft-statutit, fillimisht, është dashur të dakordohet në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Rreth dhjetë ditë pasi të dërguarit ndërkombëtarë u dorëzuan palëve draft-statutin, në tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumenti është shkruar me kujdes, në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta shqyrtojë atë.

Por, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Kurti tha se Kosova duhet të jetë autore e statutit dhe sugjeroi që atë ta shkruante vetë, në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Përndryshe, draft-statuti që iu dorëzua Kosovës dhe Serbisë, u hartua nga BE-ja, pasi palët e pranuan paraprakisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, po ashtu, u propozua nga BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut.

Më pas, në janar të këtij viti, Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioriteti kryesor” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se çështja e statutit nuk duhet të ndahet nga marrëveshja.

Në një bashkëbisedim me gazetarët e disa mediave në Kosovë, përfshirë ekipin e REL-it, më 29 shkurt, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se pret që Qeveria e Kosovës ta iniciojë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Hapi i parë është që ta përcjellim statutin, që tashmë e kemi, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe konfirmim”, tha ai dhe shfaqi shpresën që diçka e tillë të ndodhë sa më shpejt.

“Do të merrej përgjigjja nëse [statuti] është kushtetues ose jo, a ka kompetenca ekzekutive apo jo… Ne mendojmë se këtë vlerësim mund ta japë vetëm Gjykata [Kushtetuese]. Kjo do të krijonte një dinamikë tjetër, si dhe përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet e saj”, tha Hovenier.

 

 

Të fundit