E mërkurë, 12 Qershor, 2024

SINDROMA BALLKANIKE

Filozofi i Greqisë së lashtë, Eskili, ka një fabul të shkëlqyer. Kur fatin, kauzën e një populli mbajnë njerëz të paditur, injorantë, të pa arsimuar dhe të pa emancipuar, fillon kaosi, anarkia dhe kataklizmi. Kurse njerëzit me mendime të ngritura, të moralshëm, të virtytshëm dhe me shpirt kritik, mbesin inferiorë, pasivë dhe të papërfillshëm. Liderët dhe politikanët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur mostër, prototip të ish-liderëve dhe politikanëve nacional-komunistë, të brumosur dhe të dalë nga kuzhinat e despotëve, tiranëve të regjimeve totalitare dhe autoritare.

Shkruan: Merxhan Jakupi

Më se tri dekada, shtetet e Ballkanit Perëndimor lëngojnë nga sindroma dhe plagët e pashëruara të së kaluarës. Në skenën politike sundojnë lidershipë, politikanë, pseudo-intelektualë, dekadentë, njerëz të paditur, pa diploma ose me diploma të rreme. Në këto shtete, e vetmja mënyrë për t’u bërë i pasur dhe përfitues, pa hyrë në rrezik, pa mund dhe pa investime, është të kyçesh në subjekte politike. Ata, pas mbarimit të zgjedhjeve, fitojnë pozita, poste dhe privilegje. Aty ka me dhjetëra subjekte e parti politike, të cilat janë shndërruar në një inxhiniering që i bën politikanët biznesmenë dhe padronë. Parimet dhe narrativi i tyre janë mbrojtja e interesave individuale, klanore dhe partiake. Ndërkaq, klasa intelektuale, mendja dhe pena të ngritura, njerëz me etikë, të emancipuar dhe të kulturuar, me vlera dhe virtyte, kanë mbetur në margjina, inferiorë dhe pasivë. Nga ky soj i prototipave ka shumë pak të kyçur nëpër parti dhe funksione të larta. Kjo klasë e njerëzve të moralshëm, të devotshëm, paguajnë shumë shtrenjtë lirinë, për ta më shumë vlejnë parimet, drejtësia dhe morali, sesa pjesa materiale.

POLITIKANË INJORANTË DHE ARROGANTË

Filozofi i Greqisë së lashtë, Eskili, ka një fabul të shkëlqyer. Kur fatin, kauzën e një populli mbajnë njerëz të paditur, injorantë, të pa arsimuar dhe të pa emancipuar, fillon kaosi, anarkia dhe kataklizmi. Kurse njerëzit me mendime të ngritura, të moralshëm, të virtytshëm dhe me shpirt kritik, mbesin inferiorë, pasivë dhe të papërfillshëm.

Liderët dhe politikanët e shteteve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur mostër, prototip të ish-liderëve dhe politikanëve nacional-komunistë, të brumosur dhe të dalë nga kuzhinat e despotëve, tiranëve të regjimeve totalitare dhe autoritare.

Gjeneratat e lindura post-komuniste, akoma nëpër televizione, media, panele, debate, janë duke i ndjekur liderët e viteve 90, si Sali Berishën, Edi Ramën, Alelsandër Vuçiqin, Millorad Dodikun, Bakir Izetbegoviqin e të tjerë. Për popujt e Ballkanit Perëndimor, vlerat, virtytet, liritë, begatitë dhe standardet e shteteve të BE-së, akoma mbeten utopike, ëndërr dhe iluzion. Shtetet dhe popujt e Ballkanit Perëndimor, edhe në këtë çerek shekull, dominohen dhe qeverisen nga këta liderë alla-ballkanas. Shtetet e Evropës Lindore ishin në kampin dhe bastionin stalinist, por këta popuj shumë shpejt e kaluan tranzicionin dhe u integruan në rrjedhat evropiane.

Pas shpërbërjes së Federatës Jugosllave, vetëm Sllovenia dhe Kroacia hynë në BE, kurse Serbia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali Zi, së bashku me dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën, akoma nuk e kanë përfunduar tranzicionin dhe janë larg integrimit në BE.

SHPRESAT DHE ZHGËNJIMET

Më se tri dekada, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë të kapur nga lidershipi, shabllonet dhe strukturat e vjetra. Elita politike nuk është reformuar apo evoluar me ide pragmatike, konceptuale dhe rinovuese, ndërkaq disa vlera nga  periudha moniste janë hedhur. Kur vinë disa gazetarë apo reporterë nga shtetet perëndimore në vizitë shteteve ballkanike, ata mbeten të trishtuar. Kudo nëpër lagje shohin plehra, qenë endacakë, lumenj me deponi hedhurinash, ndërtesa  pa plan urbanistik, pa parkingje, pa parqe dhe gjelbërime. Bien në sy ajri i ndotur, spitalet dhe shkollat e vjetruara, sisteme të dështuara shëndetësore e tjerë.

Dekada të tëra, populli është i politizuar, i polarizuar dhe i dëshpëruar, duke pritur dhe shpresuar se me ardhjen e zgjedhjeve të reja, liderët dhe politikanët do t’i përmbushin premtimet dhe do të sjellin ndryshime për një ardhmëri më të mirë. Kjo gjendje nuk është fare cinike dhe paradoksale, gati se është bërë normale që nga zgjedhje në zgjedhje, fjalimet e njëjta, stereotipe, fraza me retorikë të njëjtë. Këta liderë dhe politikanë gënjejnë votuesit dhe elektoratin se me marrjen e pushtetit, do të sjellin të mira materiale dhe shoqërore, por, mjerisht, ata rrotullohen vetëm nëpër sallone dhe s’bëjnë asgjë për popullin prej nga e morën votën.

Në këto shtete nuk ka opozitë konstruktive, me vizione pragmatike, prandaj edhe ajo kur e merr pushtetin, i bën po ato gabime si paraardhësit e saj. Shtetet e Ballkanit Perëndimor vuajnë nga mungesa e liderëve pragmatikë dhe karizmatikë. Njerëz të këtyre kalibrave, me bagazh të pasur, që do të mund ta ndryshojnë gjendjen, ende nuk kanë dalë në skenë, andaj të rinjtë, të vetëdijshëm për këtë gjendje, gjithnjë e më shumë po ikin në shtetet perëndimore.

 

 

Të fundit