E premte, 26 Korrik, 2024

ZELENSKY: KREMLINI PATI NJOHURI PËR PLANET E KUNDËROFENSIVËS UKRAINASE!

Në ditën e 734-t të invadimit rus në Ukrainë, presidenti Volodimir Zelensky ka deklaruar se Rusia ka pasur njohuri mbi planet e kundërofensivës ukrainase më 2023 edhe para fillimit të saj, dështimi i së cilës i dha një goditje të rëndë Ukrainës.

“Planet tona për kundërofensivën ishin në tryezën e Kremlinit përpara se të fillonte kundërsulmi”, – përcjell kdp.mk deklaratën e Zelenskyt në konferencën e shtypit.

E pyetur nga AFP-ja, Presidenca e Ukrainës konfirmoi se Zelensky ka menduar për rrjedhjen e informacioneve.

Zelensky tha se udhëheqësit e tij ushtarakë kanë zhvilluar disa plane luftarake për vitin 2024 për të kompensuar ”rrjedhjen e informacioneve” në të ardhmen.

Kundërofensiva e madhe ukrainase në verën e vitit 2023 hasi në vija të forta mbrojtëse ruse që shteruan burimet e ushtrisë ukrainase dhe nuk lejuan çlirimin e zonave të pushtuara nga Rusia.

Në të njëjtën konferencë për shtyp, presidenti ukrainas tha se fitorja e Ukrainës do të varet nga ndihma ushtarake e Perëndimit dhe shtoi se është i sigurt se Kongresi amerikan do të miratojë paketën e shumëpritur të ndihmës.

“Nëse do të jemi të fortë, me armë, nuk do ta humbim këtë luftë”, – tha Zelensky, i cili është optimist për aftësinë e Kongresit amerikan për të miratuar paketën e ndihmës në vlerën 60 miliardë dollarë, e cila aktualisht po bllokohet nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve.

Presidenti Zelensky tha se që nga fillimi i luftës kanë humbur jetën 31.000 ushtarë ukrainas. Pas shumë muajve, këto janë shifrat e para zyrtare për viktimat ushtarake.

“Ukraina ka një plan të qartë për një kundërofensivë të re kundër forcave ruse”, -theksoi Zelensky, duke shtuar se ai nuk mund të jepte publikisht detaje.

Ai përmendi se deri në verë duhet të mbahet samiti i paqes në Zvicër, në të cilin Ukraina do të paraqesë “formulën e saj të paqes, një dokument për përfundimin e luftës me kushtet e Kievit”.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë deklaroi se forcat e Moskës u zhvendosën në pozicione më të favorshme pranë Avdeyevkas dhe kanë zmbrapsur shtatë sulme të armikut.

Zëvendësi i presidentit ukrainas, Oleksandr Kubrakov, njoftoi në Platformën X se në Poloni janë shkatërruar “pa ndëshkim” rreth 160 tonë grurë ukrainas.

Kryeministri britanik Rishi Sunak, ndërkohë i ka bërë thirrje Perëndimit që të jetë “më i guximshëm” në konfiskimin e aseteve ruse dhe që Ukrainës t’i dërgojë shumën e kamatave të paguara për mjetet e ngrira ruse./KDP/

Të fundit