E premte, 17 Maj, 2024

UASHINGTON: NJË USHTAR AMERIKAN I VË FLAKËN VETES PARA AMBASADËS IZRAELITE

Një ushtar amerikan i ka vënë flakën vetes para ambasadës izraelite në Uashington në shenjë proteste për shkak të luftës në Rripin e Gazës. Nëpunësit e Shërbimit Sekret Amerikan shuan flakët para se burri të dërgohej në spital me lëndime të rënda. BBC raporton se gjendja e tij është kritike.

Forcat Ajrore të SHBA-së konfirmuan se fjala është për një ushtar në shërbimin aktiv, por ai nuk është identifikuar. Policia, shërbimi sekret dhe autoritetet e tjera po hetojnë rastin.

Në një video të transmetuar drejtpërdrejt në platformën Twitch, burri u prezantua dhe tha se ishte pjesëtar i Forcave Ajrore.

Para se t’i vinte flakën vetes, ai tha se “më nuk dëshiron të jetë bashkëpjesëmarrës  në gjenocid” dhe teksa digjej bërtiti: “Palestina e lirë”!

Njësiti për asgjësimin e bombave u dërgua në vendngjarje për shkak të shqetësimeve për një automjet të dyshimtë që mund të ketë qenë i lidhur me burrin.

Kjo më vonë u shpall e sigurt pasi nuk u gjetën materiale të rrezikshme. Asnjë anëtar i personelit të ambasadës nuk u lëndua në incident, tha një zëdhënëse e ambasadës.

Ministria izraelite e Punëve të Jashtme tha se ai njeri nuk ishte i njohur për stafin e ambasadës.

BBC rikujton se nuk është hera e parë që dikush i vë flakën vetes para misionit diplomatik izraelit në SHBA: Në dhjetor, një demonstrues i vuri flakën vetes përpara konsullatës izraelite në shtetin amerikan të Xhorxhias.

Policia njoftoi se protestuesi i kishte vënë flakën vetes me benzinë, kurse në vendngjarje u gjet një flamur palestinez, – përcjell kdp.mk.

Të fundit