E shtunë, 27 Korrik, 2024

HISTORIKU I ZGJEDHJEVE PRESIDENCIALE (1991- 2024)

Përgjatë një periudhe prej 33 vitesh, Maqedonia e Veriut ndodhet edhe në një moment tjetër të rëndësishëm në historinë e saj, mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale të këtij viti, (22 prill – raundi parë, tetë maj – raundi i dytë). Pas shpalljes së pavarësisë nga ish-Jugosllavia, për të shtatën herë vendi po përgatitet, dhe tashmë është në proces për një sfidë të re, zgjedhjen e shefit të shtetit për një mandat tjetër pesë vjeçar. Gara për postin e presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut ka sjellë një numër rekord kandidatësh, duke shënuar pjesëmarrjen e 13 pretendentëve si asnjëherë më parë. Por, cili është historiku i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut që nga viti 1991?

Përgatiti: Enis Shaqiri

Pas 33 viteve, që kur u shkëput nga ish-Jugosllavia dhe shpalli shtetin e pavarur, Maqedoni e Veriut në pranverë të këtij viti (22 prill  2024) do të mbajë zgjedhjet e shtata të rregullta presidenciale.

Mirëpo, cili është historiku i zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, nga viti 1991, kur edhe u pavarësua si shtet.

Kiro Gligorov, Presidenti i parë i RM-së (1991-1999)

Presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë ishte Kiro Gligorov, i cili u zgjodh me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Ai fitoi mbështetjen e 114 deputetëve nga një total prej 119 deputetësh. Zgjedhjet e mëvonshme për president u zhvilluan në mënyrë të hapur dhe të drejtpërdrejtë, duke lejuar pjesëmarrjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote të regjistruar në Listat e Zgjedhore.

Zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale në Maqedoni u mbajtën më 16 tetor 1994. Në këto zgjedhje u paraqitën katër kandidatë, Lubisha Georgevski, Kiro Gligorov, Halid Shabani dhe Gjorgjia Atanasofski.

Por, pas shqyrtimit të dokumenteve, Komisioni Shtetëror Zgjedhor vendosi të pranoj vetëm kandidaturat e Kiro Gligorovit, i cili u propozua nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Lubisha Georgevskit, i cili u propozua nga VMRO – DPMNE, ndërsa hodhi poshtë kandidaturat e Halid Shabanit dhe Gjorgjia Atanasovskit me pretekst se dokumentet e tyre nuk ishin të kompletuara.

Këto zgjedhje u mbajtën vetëm në një rreth zgjedhor me rivotim në vende të caktuara zgjedhore për shkak të parregullsive të konstatuara. Në zgjedhje votuan gjithsej 1.053.761 votues ose 77,44% e votuesve të regjistruar në Listën e Zgjedhore. Kiro Gligorov fitoi 52,55% (715.087 vota) nga votat e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listat Zgjedhore, ndërkaq kundërkandidati i tij, Lubisha Georgievski fitoi 14,49% (197.109 vota).

Pas kundërshtimeve të subjekteve të autorizuara për mënyrën e votimit të datës 16 tetor 1994, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i anuloi votimet në shtatë njësi zgjedhore, gjegjësishtë në 11 vendvotime dhe me 30 tetor 1994 u mbajtën zgjedhjet për përsëritjen e votimit të raundit të parë. Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të para Presidenciale të zhvilluara me 16 dhe 30 tetor të vitit 1994, për Lubisha Georgevskin votuan 197.210 apo 14.49% ndërsa për Kiro Gligorovin votuan 715.774 apo 52.60%.

Njëra nga specifikat e këtyre zgjedhjeve ishte se, KSHZ shpalli si vota të pavlefshme 130.810 fletvotime (12,41%). Kështu Kiro Gligorov u bë Presidenti i parë i Republikës së Maqedonisë i zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta, ndërkohë që e ushtroi funksionin shef i shtetit deri më 19 nëntor të vitit 1999.

Boris Trajkovski, Presidenti i dytë i
RM-së (1999-2004)

Zgjedhjet e dyta me radhë të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta presidenciale u mbajtën në vitin 1999.  Në zgjedhje morën pjesë gjashtë kandidatë: Boris Trajkovski (VMRO DPMNE), Vasil Tupurkovski nga Alternativa Demokratike (AD), Muarem Nexhipi nga Partia për Prosperitet Demokratik të Shqiptarëve (PPDSH), Muhamed Halili nga Partia për Prosperitet Demokratik (PPD), Stojan Andov nga Partia Liberal-Demokrate (PLD) dhe Tito Petkokvski nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM).

Rrethi i parë u mbajt më 31 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 14 nëntor të vitit 1999. Për shkak të parregullsive të konstatuara, procesi zgjedhor i rrethit të dytë u përsërit më 5 dhjetor të vitit 1999, në gjithsej 230 vendvotime.

Pas votimit të rrethit të parë, 32,71% e votave (343.606 vota) i takuan kandidatit Tito Petkovski, 20,85% (219.098 vota) Boris Trajkovskit, 15,54% (163.206 vota) Vasil Tupurkovskit, 14,85% (155.978 vota) Muarem Nexhipit, 10,66% (111.983 vota) Stojan Andovit, dhe 4,35% (45.731 vota) Muhamed Halilit.

Gjithsej 11.013 fletëvotime u shpallën të pavlefshme (0,68%). Në rrethin e parë në votim dolën 1.039.602 votues ose 64,44% nga votuesit e regjistruar në Listat Zgjedhore.

Branko Cërvenkovski, Presidenti i tretë i RM-së (2004-2009)

Zgjedhjet e treta presidenciale u mbajtën më 14 prill të vitit 2004. Qytetarët, në rrethin e parë zgjedhor, zgjodhën midis katër kandidatëve të propozuar: Branko Cërvenkovski (LSDM), Gëzim Ostreni nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), Zudi Xhelili nga Partia Demokratike e Shqiptarëve (PDSH) dhe Sashko Kedev (VMRO-DPMNE).

Në ditën e votimit në zgjedhje dolën 935.372 votues ose 55,2% e votuesve të regjistruar në Listat Zgjedhore.  Sipas të dhënave nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, 42,47% e votave (385.347 vota) i fitoi Branko Cërvenkovski, 34,07% (309.132 vota) i fitoi Sashko Kedev, 14,79% nga numri i përgjithshëm i votave, (134.208 vota) i takuan Gëzim Ostrenit, ndërsa 8,67% nga numri i përgjithshëm i votave të  vlefshme (gjithsej 78.714) i fitoi Zudi Xhelili. Ndërkaq, në rrethin e dytë zgjedhor, të mbajtur më 28 prill të vitit 2004, shumicën e votave i fitoi Branko Cërvenkovski, i cili u bë Presidenti i tretë me radhë i Republikës së Maqedonisë. Ai e fitoi besimin e 550.317 votuesve, përkatësisht 60,5% të numrit të përgjithshëm të votave, kundrejt Sashko Kedevit të cilin e mbështetën 329.179 votues, përkatësisht 36,2% nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme. Në rrethin e dytë morën pjesë 909.289 zgjedhës ose 53,6% e zgjedhësve të regjistruar në Listën e Zgjedhësve. Branko Cërvenkovski e ushtroi funksionin President i Republikës së Maqedonisë nga 12 maji 2004 deri më 12 maj të vitit 2009.

Gjorge Ivanov, Presidenti i katërt i
RM-së (2009-2019)

Zgjedhjet e katërta presidenciale u mbajtën më 22 mars të vitit 2009. Në këtë cikël zgjedhor në garë morën pjesë shtatë kandidatë. Pas rrethit të parë zgjedhor, në dy vendet e para u gjetën kandidati i mbështetur nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, i cili fitoi 35,04% nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme (345.850 vota) dhe kandidati i mbështetur nga LSDM, Lubomir Danaillov Fërçkovski i cili fitoi 20,54% nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme (202.691 vota).

Imer Selmani nga Demokracia e Re (DR) fitoi 14,95% të votave (147.547 vota), më pas vijuan Lube Boshkovski nga të Bashkuar për Maqedoninë (BM) me 14,88% (146.878 vota), Agron Buxhaku (BDI) me 7,46% (përkatësisht 73.629 vota), Nano Ruzhin (PLD) i cili fitoi 4,06% nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme (ose 40.042 vota), ndërsa Mirushe Hoxha (PDSH) u mbështet me 3,06% të votuesve (30.225 vota).

Në rrethin e parë, në zgjedhje dolën 1.019.258 e votuesve ose 56,88% e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e zgjedhësve (1.792.028 qytetarë me të drejtë vote). Rrethi i dytë i zgjedhjeve u mbajt më 5 prill të vitit 2009. Gjorge Ivanov fitoi 63,14%, përkatësisht 453.616 nga numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të vlefshme, ndërsa kandidati për president Lubomir Danaillov Fërçkovski garën zgjedhore e përfundoi duke fituar 36,86% nga numri i përgjithshëm i votave, përkatësisht 264.828 vota.3114 Në rrethin e dytë zgjedhor në votim dolën 764.039 zgjedhës, ose 42,63% e qytetarëve të regjistruar në Listën e Zgjedhore.

Zgjedhjet presidenciale të vitit 2014 ishin zgjedhjet e pesta
të drejtpërdrejta presidenciale në Republikën e Maqedonisë. Në to qytetarët zgjodhën ndërmjet katër kandidatëve të propozuar: Gjorgje Ivanov (VMRO-DPMNE), Stevo Pendarovski (LSDM), Iljaz Halimi (PDSH) dhe Zoran Popovski (GROM).

Në rrethin e parë zgjedhor të mbajtur më 13 prill 2014, nga gjithsejt 1.779.572 votues të regjistruar në Listën zgjedhore, dolën 869.617 votues, respektivisht 48,86% .

Nga ky numër, 51,69% të votave (respektivisht 449.442 vota) morri kandidati i VMRO-DPMNE-së, Gjorgje Ivanov, ndërsа 37,51% të votave (respektivisht 326.164 vota) morri kandidati i LSDM-së, Stevo Pendarovski. Këto dy kandidatë vazhduan në rrethin e dytë i cili u mbajt më 27 prill 2014.

Iljaz Halimi, me mbështetje prej 4,48% (respektivisht 38.966 vota të fituara) dhe Zoran Popovski me mbështetje prej 3,61% (respektivisht 31.368 vota të fituara) e përfunduan garën zgjedhore në rrethin e parë.

Rrethi i dytë zgjedhor përfundoi me fitoren e Gjorgje Ivanov, i cili mori 55,28% (respektivisht 534.910 vota) nga numri i përgjithshëm i votave, kundrejt 41,14% votave të fituara (respektivisht 389.077 vota) nga Stevo Pendarovski.

Stevo Pendarovski,
President i pestë i RMV-së (2019-2024)

Kurse zgjedhjet e gjashta presidenciale u mbajtën më 21 prill dhe 5 maj 2019. Për postin e presidentin konkurruan tre kandidatë: Kandidati i pavarur i mbështetur nga BESA dhe Aleanca për Shqiptarët, Blerim Reka, Gordana Siljanovska – Davkova e mbështetur nga partia opozitare (VMRO-DPMNE), si dhe Stevo Pendarovski mbështetur nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM), dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI).

Në zgjedhjet e gjashta presidenciale, u regjistruan gjithsej 1.808.131 votues. Në rrethin e parë votuan 753 520 (41,67%), ndërsa në rrethin e dytë votuan 843,508 (46,65%) votues.

Nga ky numër votuesish, Pendarovski mori 323.892 vota, Gordana Siljanovska-Davkova nga (VMRO-DPMNE) 319.364 vota, ndërsa kandidati Blerim Reka, i mbështetur nga partitë opozitare shqiptare Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja BESA,  79.921 vota.

Këto ishin zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Prespës, e cila zgjidhi kontestin e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe vendi u emërua me Maqedonia e Veriut.

Ndërkaq, në zgjedhjet presidenciale të 22 prillit të këtij viti, në garën për karrigen presidenciale janë paraqitur 13 kandidatë.

Garuesit e partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE dhe Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM)  pritet të konfirmohen nga kuvendet qendrore të partive. Stevo Pendarovski i Lidhjes Social Demokrate do të garojë për një mandat të dytë, teksa Gordana Siljanovska Davkova e VMRO-DPMNE-së garon sërish pas pesë vjetësh. Në vitin 2019 ajo humbi përballë zotit Pendarovski.

Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI)  dhe Arben Taravarin e opozitës së njohur tani me moton ‘VLEN’.

Kandidaturën për president i pari e shpalli Velo Makrovski, i cili do të mbledhë nënshkrime si kandidat i pavarur. Kandidaturë për president ka shpallur edhe Maksim Dimitrievski, kryetar i partisë ZNAM. Kurse Stevço Jakimovski, kryetari aktual i Komunës së Karposhit, do të jetë kandidat për president nga radhës e subjektit politik GROM. Bashkimi Demokratik Boshnjak për here të parë do të ketë kandidat për president, Mersiha Smailoviq do të garojë nga ky subjekt. Ndërsa Biljana Vankovska do të jetë kandidate e “Të Majtës”

Sistemi Zgjedhor i Maqedonisë së Veriut për zgjedhjet Presidenciale

Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut zgjidhet në zgjedhje të përgjithshme të drejtpërdrejta dhe të lira, me votim të fshehtë për mandat prej 5 vitesh. Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Maqedonisë është rregulluar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe me Kodin Zgjedhor. Zgjedhje presidenciale organizohen në 6 njësi zgjedhore.

Ndryshimet e fundit për legjislacionin zgjedhor

Në periudhën e kaluar, janë bërë disa ndryshime lidhur me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Maqedonisë. Ndryshimet kanë të bëjnë me organet shtetërore zgjedhore, financimin e fushatave politike, pjesëmarrësit në fushatë, si dhe dispozitat ligjore të shërbimeve mediale audio-vizuale.

 

 

 

 

Të fundit