E mërkurë, 12 Qershor, 2024

BRITANIA I SANKSIONON UDHËHEQËSIT E BURGUT KU VDIQ NAVALNY

Britania e Madhe ka vendosur sanksione të mërkurën kundër gjashtë udhëheqësve të burgut të largët të Arktikut, ku vdiq lideri opozitar rus, Alexei Navalny, javën e kaluar.

Të sanksionuarit, përfshirë kryetarin dhe pesë nënkryetarët e burgut, e kanë të ndaluar hyrjen në Britani të Madhe tani, ndërsa asetet e tyre do të ngrihen, tha sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, David Cameron.

Është e qartë se autoritetet ruse e kanë parë Navalnyn si kërcenim dhe vazhdimisht u përpoqën ta heshtnin”, tha Cameron.

Personat që janë përgjegjës për trajtimin brutal që ia bënë Navalnyt duhet të jenë shumë të vetëdijshëm se ne do t’i mbajmë përgjegjës”, shtoi ai.

Autoritetet ruse në Arktik njoftuan më 16 shkurt për vdekjen e Navalnyt.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e promovoi zëvendësdrejtorin e Shërbimit të Burgjeve të Rusisë (FSIN), Valery Boyarinev, në gradën e gjeneral-kolonelit, vetëm tri ditë pas vdekjes së kritikut të zëshëm të Kremlinit në burgun e Arktikut, tha të martën një bashkëpunëtor i Navalny.

Kremlini – i cili për shumë vite e ka shmangur përmendjen e Navalnyt përmes emrit – e theu heshtjen zyrtare më 19 shkurt duke thënë se një hetim është duke u kryer dhe se do të bëhet sipas ligjit rus.

Vendndodhja e trupit të Navalnyt nuk është bërë e ditur nga autoritetet ruse, ndërsa përpjekjet për ta gjetur atë janë ndaluar.

Yulia Navalnaya, bashkëshortja e liderit të ndjerë opozitar rus, i ka akuzuar autoritetet ruse se po e fshehin trupin e Navalnyt, pasi po presin që të zhduken prej trupit të tij gjurmët e agjentit nervor Noviçok.

Më shumë se 67.000 qytetarë rusë i kanë dërguar letra Komisionit Hetues të Rusisë, duke i kërkuar që trupi i Alexei Navalnyt t’i kthehet familjes, raportoi të martën mediumi Meduza.

Perëndimi e ka akuzuar shtetin rus në krye me Putinin për vrasjen e tij.

Navalny ka qenë i dënuar me më shumë se 19 vjet burgim për akuza që ai dhe mbështetësit e tij i kanë konsideruar të motivuara politikisht.

Ai ishte helmuar më 2020 me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë pati fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.

Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg./REL/

Të fundit