E mërkurë, 24 Korrik, 2024

ASHMAA DHE SHGM DËNOJNË ASHPËR DEKLARATAT E KOVAÇEVSKIT KUNDËR GAZETARËVE

Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (ASHMAA) dënoi ashpër deklaratën e kryetarit të e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili akuzoi mediat se “vetë janë shitur dhe akoma po shiten” dhe se vendosen në shërbim të një partie politike. Shqetësime mbi deklaratën e Kovaçevskit shprehi edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut (SHGM). Nga SHGM, rikujtuan Kovaçevskin se nëse politikanët kanë dilema  për mënyrën e raportimit të ndonjë medie, mund të paraqesin ankesë pranë organeve vetërregulluese të medias.

Etiketimi i medias, sidomos në periudha të ndjeshme si ato parazgjedhore, ndikon negativisht në lirinë e shprehjes dhe cenon dinjitetin e punonjësve të medias”.

ASHMAA paralajmëroi se politikanët duhet të tregojnë respekt të lartë për profesionin e gazetarit, në vend që t’i sulmojnë ashpër.

“Politikanët duhet të jenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kanë dhe në vend që të përdorin komunikim të papërshtatshëm, të tregojnë respektin më të lartë për profesionin e gazetarit dhe një nga shtyllat kyçe të demokracisë – mediat”, thuhet në reagimin e ASHMAA.

Nga ASHMAA kujtojnë se është e nevojshme të respektohen standardet dhe u bën thirrje politikanëve që të përmbahen nga përdorimi i gjuhës që diskrediton median.

Ndërsa Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) shprehi shqetësim serioz për deklaratën e ish-kryeministrit Kovaçevski. Nga atje potencuan se deklaratat e tilla  mund të interpretohen si ndikim dhe presion politik mbi lirinë e medias dhe pavarësinë editoriale në periudhën parazgjedhore, veçanërisht ndaj servisit publik.

SGHM thekson se deklaratat e tilla të liderëve të partive politike, të cilat ngrenë pikëpyetje për objektivitetin dhe paanshmërinë e raportimit mediatik të RTVM-së, dëmtojnë imazhin e servisit publik, por edhe parimet demokratike dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar në mënyrë të saktë dhe të paanshme.

Kujtojmë se Ligji që rregullon punën e RTVM-së në nenin 111 thotë se shërbimi publik ofron informacione të paanshme, gjithëpërfshirëse dhe të rëndësishme dhe ato duhet t’i prezantojë në mënyrë të qartë, pa mëdyshje dhe në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të formojnë mendimin e tyre. Për më tepër, këto informacione nuk përfaqësojnë ose favorizojnë pikëpamjet ose interesat e një partie të caktuar politike, shoqate, interesi personal, feje ose ideologjie ndërsa në programe ta respektojë në mënyrë të barabartë opinionin dhe bindjet e shërbimeve të tjera mediatike”, theksuan nga SHGM.

Shoqata e Gazetarëve rikujton se nëse politikanët kanë dilema apo mosmarrëveshje për mënyrën e raportimit të shërbimin publik apo ndonjë medie tjetër, në vend që të ndajnë kualifikime personale të papërshtatshme, ata mund të paraqesin ankesë pranë organeve vetërregulluese të medias, përkatësisht: Këshillin e Nderit në SHGM si dhe Këshillin për Etikë në Media.

 

Të fundit