E shtunë, 27 Korrik, 2024

LARGONI NGA EKRANET SHARLATANËT QË PO VRASIN GJUHËN SHQIPE!

Çështje kombëtare shumë serioze e kanë konsideruar një grup intelektualësh dhe studiuesish, promovimin e dijeve nga disa individë të cilët dalin në media e flasin pa asnjë bazë shkencore, kryesisht për gjuhën shqipe, duke krijuar teza të ndryshme. Studiuesit kanë nënshkruar një peticion ku i kërkojnë AMA-s (Autoritetit të Mediave Audiovizive) të merren masa.

Një grup intelektualësh, mes tyre Rexhep Qosja, Bamir Topi, Pëllumb Xhufi, Fatos Tarifa, Xhevat Lloshi etj, i kanë kërkuar AMA-s që të ndërhyjë në një fenomen që po shikohet në ekranet shqiptare, dhe të merren masa.

Në peticion nënvizohet fakti se niveli i ulët i informacionit shkencor në një pjesë të mediave, promovimi i dijeve amatoreske, i një etimologjie vulgare dhe sharlatanizmi kanë krijuar një situatë alarmante, konkretisht për gjuhën shqipe.

Sipas dokumenti, për studiuesit disa studio televizive, janë kthyer në platforma, ku individë të papërgatitur, nga ana shkencore, të cilët promovojnë idenë se shqipja është gjuha më e lashtë në botë apo nëna e të gjitha gjuhëve… për intelektualët këto janë formulime që nuk kanë asgjë shkencore dhe kultivojnë psikoza të sëmura e të rrezikshme në opinionin publik.

“Institucioni që ka për detyrë të ruajë publikun nga informacione të gabuara, të dëmshme e të rrezikshme është AMA. Ky institucion i ka të përfshira në statutin e vet këtë detyrë dhe këtë përgjegjësi në pikën “Parimet themelore për veprimtarinë e transmetimeve audiovizive”, përmes “garantimit të së drejtës së informimit” dhe “respektimit të standardit letrar të gjuhës shqipe”. – thuhet në peticion.

Më tej studiuesit ngrenë pyetjen: A mund të lejohet përbaltja e figurave me kontribut të shquar në fushën e albanologjisë, si ajo e Prof. Eqrem Çabejt, të njohur ndërkombëtarisht nga shkenca albanologjike? Krijohet përshtypja se mediat dhe disa prej personave të ftuar prej tyre duan të krijojnë një “shkencë” shqiptare, që i kundërvihet asaj botërore, çka na bën qesharakë në sy të botës. Në disa emisione televizive sulmohet me një gjuhë antishkencore, gjithçka që është arritur për një kohë shumë të gjatë nga studimet albanologjike dhe, kështu, padija po rreh të mbizotërojë mbi dijen. Studimi i vjetërsisë së gjuhës shqipe nuk mund t’u lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë.’

Shqetësim për grupin e intelektualëve, mbeten edhe moderatorët, që sipas tyre i ftojnë këta individë nëpër emisione, dhe i mbështesin në idetë e tyre haluçinante.

Sipas ekspertëve, agresiviteti i këtyre individëve nëpër ekrane, ka sjellë edhe stepjen e përfaqësuesve të mendimit të njëmendtë shkencor në vendin tonë, pasi ndaj këtyre të fundit nuk kursehen shpifje, sharje e deri kërcënime.

“Studimi i vjetërsisë së gjuhës shqipe nuk mund t’u lihet pseudoalbanologëve, etimologëve të improvizuar, pikëpamjet e të cilëve s’do të pranoheshin nga asnjë forum shkencor brenda e jashtë Shqipërisë”, – thuhet në peticion.

Për studiuesit, liria e medias nuk do të thotë mungesë përgjegjësie në media.

“Duke u bërë jehonë gjithfarë “zbulimesh” lidhur me vjetërsinë e shqipes, disa kanale televizivë kanë ngjallur një histeri nacionalizmi që u siguron “zbuluesve” mijëra pëlqime në portalet e tyre”, – nënvizohet në peticion.

Kjo gjendje, përmbyllet peticioni, pra sulmi i pseudoshkencës ndaj shkencës së vërtetë, duhet konsideruar një çështje kombëtare shumë serioze, dhe një problem që u shtohet problemeve të tjera me të cilët ndeshet vendi ynë; ajo krijon e shton mosmarrëveshje e dasi krejt të panevojshme e dëmprurëse mes bashkatdhetarësh.

Po ashtu sipas asaj që kërkohet në peticion është edhe fakti se AMA ka detyrimin të mos lejojë konfliktet ndëretnike në emisionet televizive. Sipas intelektualëve, as standardi letrar i shqipes nuk respektohet në media.

(Kliko këtu për të lexuar peticionin në format PDF)

Marrë nga: ReportTv.al

 

Të fundit