E diel, 23 Qershor, 2024

RUMANI: ÇDO ORË SHPYLLËZOHEN 4 HEKTARË

Në Karpatet rumune gjenden pyjet më të vjetër e më të pasur në Europë, sa i përket biodiversitetit. Por sipas ekspertëve 20 vitet e fundit vendi ka humbur mbi 700 mijë hektarë pyje. Saga e prerjeve të paligjshme vazhdon.

Kamionë të mëdhenj janë ngarkuar me stiva trungjesh në një sheshpushim të sajuar buzë rruge, në rajonin e Suceava-s në Rumani, skaji veri-lindor që kufizohet me Ukrainën dhe Moldavinë. Mjete të tonazhit të rëndë shkojnë e vijnë, herë të zbrazur dhe herë bosh. Kjo është një pamje që e has shpesh në këto anë. Për vendasit është e zakonshme. Prerja e pyjeve, e ligjshme apo e paligjshme qoftë, nuk u tërheq më vëmendjen. Megjithatë, në këtë udhëtim në terren së bashku me kolegë rumunë jam e vetëdijshme se të jesh gazetare dhe të raportosh mbi shpyllëzimin në Rumani, do të thotë të mos mirëpritesh këtejpari.

Kamionë që transportojnë lëndë drusore në rajonin e Suceavas, Rumani
Kamionë që transportojnë lëndë drusore në rajonin e Suceavas, RumaniFotografi: Eli Driu

Këtë e vërtetojmë më së miri tek ky sheshpushim, ku fotografojmë shpejt e shpejt dhe largohemi, në drejtim të qendrës së fshatit. Kur makina jonë bën ndalesën e radhës dhe shoferi, i vetmi mashkull i ekipit, largohet për pak çaste, kolegen time Maria e ndalon një burrë i ri në moshë dhe i kërkon llogari se pse fotografuam biznesin e tij pak çaste më parë. Pas një bisede të shkurtër mes tyre, nga mimikat e të cilëve kuptohet herë acarim dhe herë qetësim i situatës, Maria më shpjegon në mënyrë të përmbledhur se pronari i atij biznesni është pikërisht ai, dhe pretendon se çdo gjë është e licensuar dhe po kryhet sipas ligjit.

Pasi jemi ndarë prej tij dhe vazhdojmë rrugën, kontrollojmë në sistem targën që mbajtëm mend nga vendngjarja, për të kuptuar më shumë rreth historikut të kompanisë. Asnjë denoncim zyrtar ndaj tij, por nga një tjetër kërkim zbulojmë për lidhje familjare të pronarit me një nga politikanët e asaj zone.

Që nga viti 2021, Rumania ka vënë në dispozicion të qytetarëve një databazë online të quajtur “SUMAL 2.0”, që u vjen në ndihmë të denoncojnë abuzuesit. “Me zhvillimin e sistemit ‘Forest Radar’ (Radari i Pyjeve), sistem i cili gjurmon në kohë reale masën drusore, fenomeni i prerjes së paligjshme ka rënë ndjeshëm. Nëse në vitin 2014 në rang kombëtar, prerja e paligjshme arrinte deri në 292 mijë metër kub, në vitin 2023 kishim shifrën prej 72.970 metër kub” – thotë për Deutsche Welle Ministria rumune e Mjedisit, e Ujërave dhe e Pyjeve.

Rreziku i shfarosjes së pyjeve qindra-vjeçarë

Ciprian Galusca nga organizata mjedisore “Green Peace”, ka nisur të hulumtojë fenomenin e shpyllëzimit që prej vitit 2016. “Menaxhimin e pyjeve në Rumani do ta përshkruaja si një akullnajë. Ne shohim sot majën e saj, sepse janë bërë shumë përpjekje nga organizatat, aktivistët, pylltarët madje dhe gazetarët, që kanë kontribuar për ekspozimin e prerjeve të paligjshme. Por realiteti është që ka një tjetër pjesë nën ujë të kësaj akullnaje, që është shumë më e madhe dhe më e rëndësishme. Sepse ajo lidhet me pyjet e virgjër dhe vlera të rralla, të vetmit të mbetur në Europë” – pohon Galusca për DW.

Rumani: Ciprian Galusca nga organizata mjedisore "Green Peace”,
Ciprian Galusca nga organizata mjedisore “Green Peace”Fotografi: Elona Elezi/DW

Sipas tij, rajoni më problematik për prerjet masive dhe të paligjshme të pyjeve është Suceava. “Në 20 vitet e fundit, në të gjithë zonën e Karpateve ne kemi humbur rreth 4 hektarë për orë” – thekson Galusca, vlerë e cila përllogaritet në mbi 700 mijë hektarë gjatë dy dekadave. Dhe bashkë me pyjet, rrezikohet i gjithë zinxhiri i biodiversitetit, në veçanti ariu i murrmë.

“Në Rumani gjendet ende popullata e fundit e mishngrënësve të mëdhenj, çka do të thotë se vendi mbetet ende një habitat i mirë për këto specie. Por realiteti është që ato kërcënohen seriozisht si pasojë e ndërhyrjes agresive në pyje. Ne shohim një pakësim të këtyre specieve sepse po shkatërrohen pyjet qindra-vjeçarë”.

Bashkë me pyjet rrezikohet i gjithë zinxhiri i biodiversitetit, në veçanti ariu i murrmë
Bashkë me pyjet rrezikohet i gjithë zinxhiri i biodiversitetit, në veçanti ariu i murrmëFotografi: Jakub Mrocek/Zoonar/picture alliance

Nga shënjestra e industrisë drusore dhe trafikantëve të pyjeve duket se nuk shpëton asnjë lloj peme. “Nëse shohim praktikat e ndjekura dhe tregun, kuptojmë se bredhi dhe halorët në përgjithësi preferohen së tepërmi, sepse rriten drejt dhe në trajtë standarde. Por tashmë industria ka filluar të përdorë edhe drurët me gjethe, si përshembull ahun, pasi e përdor në masë të gjerë për biomasë drusore, për prodhimin e energjisë” – analizon Galusca.

Sipas të dhënave që na u vunë në dispozicion nga Ministria, gjatë vitit 2023 u regjistruan 6413 raste të prerjeve të paligjshme dhe një vëllim druri i prerë në mënyrë të paligjshme në masën e 73 mijë metrave kub.

Prerjet e (pa)ligjshme dhe jetë në rrezik

Në ndryshim nga vitet e kaluara, ku mbizotëronte prerja e paligjshme, së fundi duket se në shqetësim janë kthyer pikërisht ato kompani që e kanë licensën për të prerë, por që abuzojnë me prerjet edhe brenda zonave me ekosistem shumë të pasur.

Rumani | Mihai Dragolea - autor dhe regjisor i një dokumentari mbi shpyllëzimin
Mihai Dragolea – autor dhe regjisor i një dokumentari mbi shpyllëzimin në RumaniFotografi: Elona Elezi/DW

“Kur shkon në pyll, sheh që ka pemë të shenjuara dhe të pashenjuara. Dhe për shembull, në letra ke një trung me diametër 30 centimetër, që në realitet është 40 ose 50 centimetër. Pra, në dokumente zvogëlohet madhësia e trungjeve që priten dhe pastaj gjithçka tjetër kryhet në mënyrë të paligjshme” – thotë Mihai Dragolea, autor dhe regjisor i një dokumentari mbi shpyllëzimin në Rumani, i cili ka rrezikuar jetën në terren, sëbashku me një koleg të tijin.

Në vitin 2021 ata nisën punën për të dokumentuar fenomenin. Në terren shkuan bashkë me një aktivist mjedisor i cili që prej vitit 2020 kish denoncuar në rrjetet sociale persona dhe kompani abuzuese. Kamera e tyre nuk u prit mirë në atë klimë të acaruar prej kohësh, dhe Mihai me ekipin e tij u dhunuan keqas në rajonin e Suceava-s, por mundën të shpëtojnë në kohë. “Kur nisëm xhirimet, kuptuam se kishim hyrë në një botë që nuk e njihnim” – tregon me sinqeritet Dragolea për DW. Për ngjarjen e rëndë nuk u dënua askush, edhe pse ndaj dhunuesve pati një proces gjyqësor. Megjithatë, e gjithë situata e rëndë nuk e ndaloi regjisorin e ri që të vijojë punën. Shpagim për atë që pasuan, duket se do të jetë dita kur dokumentari të shfaqet anembanë botës. Mihai dhe bashkëpunëtorët e tij ishin me fat. Ndër vite në Rumani kanë humbur jetën edhe rojtarë pylli. Rasti i fundit u shënua në tetor 2019, kur Liviu Pop, u qëllua për vdekje me një pushkë gjahu teksa po luftonte prerjen e paligjshme.

“Përfituesi më i madh nga pyjet rumune, është industria. Druri që përfundon për mobilje, ai i papërpunuari, arrin shifrën 300 mijë – 500 mijë metër kub në vit” – thekson Galusca.

Rumani | Në letër vendi ka legjislacionin më të gjelbër në Europë
Në letër Rumania ka legjislacionin më të gjelbër në EuropëFotografi: Elona Elezi/DW

Ndërsa ministria e Mjedisit, Ujërave dhe Pyjeve, thotë se “Në situatat kur volumi i masës drusore i gjetur në terren është në realitet më i madh se ai i përcaktuar në lejen e shfrytëzimit, atëherë operatori ekonomik kërkon rregullimin e sasisë së prerë të drurit, në përputhje me atë që është miratuar për shfrytëzim”. Kjo, sipas ministrisë, realizohet përmes inspektimeve në terren nga policia pyjore dhe nga vlerësimet e përfshira në Dokumentin e Vlerësimit të Volumit (APV), ku rezulton se në 95% të rasteve kompanitë e zbatojnë kuotën e përfshirë në lejen e shfrytëzimit dhe vetëm 5% ka një devijacion, që “u bën bisht” kontrolleve të institucioneve.

Përveç industrisë, konsumatorët janë një pjesë e qenësishme e përdorimit të lëndës drusore. Referuar statistikave zyrtare Rumania ka rreth 3 milionë konsumatorë që si burim për ngrohjen gjatë dimrit kanë drurin, shifër vjetore e cila kap shifrën e 15-20 milionë metër kub.

Ligje që mungojnë apo ligje që nuk zbatohen?

Tri vite më parë, Komisioni Europian ndërmori hapa ligjorë ndaj Rumanisë – vend anëtar i Bashkimit Europian që prej vitit 2007 – për mosmbrojtjen e pyjeve të fundit natyralë në rajon, pas lobimit të pandërprerë të organizatave ndërkombëtare mjedisore “Agent Green”, “ClientEarth” dhe “EuroNatur”. Shkak për këtë masë ekstreme ishte prerja e paligjshme ndër vite edhe brenda zonave të mbrojtura. Në fakt, sitet e “Natura 2000” kanë qenë për shumë dekada “zona të nxehta” të masakrës pyjore në Rumani.

“Në letër Rumania ka legjislacionin më të gjelbër në Europë. Tashmë ka dhe legjislacionin e gjurmimit, me vendosje sistemi GPS në kamionë, databazë elektronike etj. Por është shumë e vështirë të ndjekësh këtë legjislacion me një ekip shumë të vogël njerëzish që punojnë në policinë pyjore apo institucionet e tjera. Nuk ka mjaftueshëm njerëz që të kuptojnë të gjithë atë çka po ndodh në pyje. Ndërsa për sa u përket parqeve kombëtare, ka mbrojtje strikte që po zbatohet. A jemi ne të kënaqur me këtë mbrojtje? Jo, nuk mjafton. Sepse ne shohim që ka shumë prerje edhe brenda këtyre zonave të mbrojtura. Menaxherët e këtyre parqeve nuk kanë ambicie dhe vendosmëri për të mbrojtur vërtet këto parqe. Dhe ka dhe mungesë interesi nga ana e ministrisë së Mjedisit, sepse tekefundit, është ai institucioni që duhet të vendosë për mbrojtjen e këtyre zonave” – përfundon përfaqësuesi i “Green Peace”.

Vetë ministria thotë se ka një plan konkret për prerjet e paligjshme, duke zbatuar politikat për marrjen në zotërim edhe të fondeve pyjore me pronësi private, madje edhe në rastet kur pronari nuk dihet./DW

Ky hulumtim u mbështet nga German-South Eastern Programme 2023, International Journalists’ Programme (IJP)

Të fundit