E diel, 16 Qershor, 2024

KURTI: KOSOVA NUK E NDALON DINARIN, NDALON FUTJEN ME THASË

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se BQK-ja, i ka ofruar Bankës Popullore të Serbisë lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro. KA siguruar edhe hapjen e llogarive bankare në euro për serbët pa pagesë.

Kryeministri i KosovësAlbin Kurti ka publikuar një video mesazh në gjuhën serbe dhe u ka shpjeguar qytetarëve serb vendimin për dinarin, duke thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nuk e ndalon Serbinë që të ndihmojë financiarisht serbët e Kosovës. Sipas tij, çdo pohim i kundërt është propagandë e rreme që synon krijimin e tensioneve etnike. Kurti tha se BQK i ka ofruar Bankës Popullore të Serbisë lehtësime për konvertimin e dinarëve në euro dhe ka siguruar hapjen e llogarive bankare në euro pa pagesë për të gjithë serbët që ende nuk e kanë bërë këtë.

“Përmes tyre mund të merret edhe ndihma për komunitetin serb, e dërguar nga qeveria e Beogradit, e pranuar në euro dhe e regjistruar përmes llogarisë bankare për hir të transparencës dhe vendosjes së ligjshmërisë. Në këtë mënyrë, shuma e parave të dërguara nga Beogradi do të përputhet saktësisht me paratë që do të merrni në Kosovë”, tha kryeministri Kurti në video adresimin e tij për serbët.

Presionet ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës pas presioneve ndërkombëtare u pajtua që të ketë një periudhë kalimtare rreth zbatimit të vendimit të BQK-së, për përdorimin e Euros si e vetmja valutë për pagesa në Kosovë. Autoritetet ndërkombëtare kërkuan madje nga qeveria e Kosovës që ta pezullojë menjëherë zbatimin e vendimit. Sipas tyre, kjo mund të nxisë tensione të reja.

Edhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së, më kërkesë të Serbisë, diskutoi javën e kaluar në një seancë të jashtëzakonshme çështjen e ndalimit të përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuҫiq, vendimin e Kosovës për ndalimin e dinarit serb e cilësoi si “vazhdimësi të sulmeve sistematike ndaj serbëve”, dhe akuzoi  institucionet e Kosovës se “kanë krijuar kushte të padurueshme për serbët”.

Vuçiqi akuzon Kosovën

“I ashtuquajturi lidership ka vazhduar sulmet ndaj popullatës serbe pasi që mbijetesa i tyre në provincën jugore varet nga buxheti i Serbisë”, tha Vuçiq. Sipas tij, “Ky është sulm ndaj popullatës serbe dhe e bën situatën në Kosovë të vështirë”.

“Prishtina po i pamundëson veprimet e të gjitha institucioneve shëndetësore, kulturore e arsimore që ofrojnë kushtet bazike. Çdo parandalim i financimit të spitaleve, shkollave e çerdheve të Serbisë është sulm i drejtpërdrejt ndaj serbëve dhe ndaj themelimit të Asociacionit”, u shpreh Vuҫiq.

Ndërsa kryeminsitri Kurti në të njëjtën seancë akuzoi palën Beogradin për instrumentalizimin e serbëve dhe shtoi se euro është monedha e vetme zyrtare në Kosovë, ndaj Kosova po përpiqet të zbatojë ligjet dhe rregullat që zbatohen në të gjitha vendet e tjera. Kurti foli edhe për benefitet që u jepen serbëve në Kosovë dhe jo shkeljen e të dretave të tyre.

Sidoqoftë, serbët e Kosovës që nga paslufta përdorin dinarin i Serbisë, përmes një sistemi paralel për paga, pensione, ndihma sociale, dhe përfitime tjera. Sipas listës Srpska partia më e madhe e serbëve të Kosovës, me ndalimin e përdorimit të dinarit serb do të preken afro 100.000 serbë të Kosovës. /DW

Të fundit