E mërkurë, 15 Maj, 2024

KUSARI: LAJMI PËR TENTIM ATENTATI NDAJ KRYEMINISTRIT KURTI NUK PËRMBUSH ASNJË NGA ELEMENTET BAZIKE TË GAZETARISË!

Flutura Kusari, juristja e njohur e së drejtës së medias, këtë të hënë ka komentuar një lajm të RTK-së, të së shtunës që lamë pas, sipas të cilit “burime të besueshme nga institucione të sigurisë në Kosovë, kanë thënë për RTK-në, se, menjëherë pas mbledhjes së KS të OKB-së, kanë siguruar të dhëna se nga Serbia ka përpjekje për vrasjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurtit në Shkup”. Kusari, sikurse transmeton kdp.mk, në një postim në facebook thotë se “lajmi nuk përmbush asnjë nga elementet bazike të gazetarisë dhe as parimet etike dhe ligjore”:

Të shtunën në RTK është transmetu një tekst (se ai lajm nuk mund të quhet) për një planifikim të një atentati kundër kryeministrit.

Lajmi nuk e përmbushë asnjë nga elementet bazike të gazetarisë dhe as parimet etike dhe ligjore.

Për më tepër teksti është dematu nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë.

Unë e lexova tekstin dhe ende nuk po muj me iu besu syve që RTK-ja transmeton një tekst të tillë (edhe njëherë, ai lajm nuk mund të quhet).

Duket si tekst i shkruar nga partia.

Mezi po pres me pa çka ka me bo menaxhmenti dhe bordi për këtë shkelje flagrante dhe të pafalshme të misionit të RTK-së. Përgjegjës për plasimin e atij teksti është drejtori i televizionit dhe udhëheqësit e faqes online të RTK-së.

Masat që do t’i merr menaxhmenti dhe bordi do ta determinojnë pavarësinë e tyre”,- ka shkruar Flutura Kusari në facebook.

Spekulimet për atentat, sikurse dihet i përgënjeshtroi edhe Ministria e Brendshme, në Shkup, por për këtë pretendim të atentatit ndaj Kryeministrit Kurti, rezultoi të mos ishin  informuar as institucionet përkatëse në Kosovë, si  u.d. Kryeprokurori i shtetit Besim Kelmendi, e as Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj.

“Për momentin në Zyrën tonë nuk ka ndonjë veprim në lidhje me këtë lajm”, – ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, – Kryeprokurori I Kosovës, Besim Kelmendi.

“Jo nuk kam ndonjë informatë”, – ka thënë në anën tjetër Kryeprokurori Isufaj.

Në bazë të Kodit të Procedurës Penale dhe ligjeve të aplikueshme, secili institucion ligjzbatues në Kosovë përfshi Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, e kanë obligim për të informuar menjëherë dhe pa asnjë vonesë Prokurorin e Shtetit nëse udhëheqësit kryesorë shtetërorë janë subjekt i kërcënimit ose dyshimeve që rrezikojnë jetën e tyre.

 

Të fundit