E premte, 26 Korrik, 2024

HISTORIANI SERB: REAGIMET E BEOGRADIT E TË PRISHTINËS JANË TRAGJIKOMIKE!

Historiani Milan St. Protiq, në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve FoNet ka deklaruar se Rezoluta e Parlamentit Evropian me të cilën kërkohet hetim ndërkombëtar për pohimet për parregullësi në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar në Serbi, dhe suspendimi i fondeve evropiane nëse konstatohet ndërhyrja direkte e pushtetit në mashtrimin e votuesve, vështirë se do të mund të refuzohet nga Beogradi zyrtar. Mendoj se Presidenti e ka shumë të vështirë të reagojë, sepse refuzimi do të dëshmonte se Serbia nuk është e interesuar për integrimet evropiane, – përcjell kdp.mk thekse nga intervista e historianit të njohur serb në të cilën ka komentuar edhe tonet polemizuese mes Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës Botërore.

Duke komentuar seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit për Kosovën dhe paraqitjet e Vuçiqit dhe Albin Kurtit, historiani dhe ish diplomati i njohur serb Milan. St. Protiq, tha se ata janë të ngjashëm edhe për nga aspekti i infantilizmit dhe për nga aspekti i zemërngushtësisë, por edhe kokëfortësisë, mirëpo se kjo nuk është arsyetim për Serbinë.

Sido që ta merrni, shpjegoi ai, “Kosova është një sistem i ri politik, për të mos përdorur ndonjë shprehje më të ashpër, dhe në kushte të tilla pjekuria e mjaftueshme ndoshta do të mund të kuptohet më lehtë”.

Mirëpo, për një vend, për një popull, që kanë një traditë të gjatë dhe një histori të gjatë dhe shumëçka tjetër që vlenin në të, mënyra sesi sillet presidenti i tij është një turp, të më falni”, – vlerëson Protiq.

Ai mendon se kontesti për heqjen e përdorimit të dinarit në veri të Kosovës është “një gjë e fabrikuar nga të dyja palët”.

I fabrikuar nga Prishtina, e cila që në fillim udhëheq një politikë kapricioze, duke ia dëshmuar vetes dhe të tjerëve se është sovrane në territorin e vet, ndaj përdor gjithçka që ka në dispozicion dhe kjo ndonjëherë duket edhe tragjikomike”, – ka konstatuar Protiq, duke shtuar se tragjikomik është edhe reagimi i Beogradit, “për shkak se nga një çështje  që në fakt nuk është thelbësore, bën në një problem të përmasave të paparashikuara, siç ishte rasti edhe me targat”.

E njëjta gjë është tani edhe me valutën. Këto nuk janë çështje esenciale, përsëriti Protiqi, por janë shumë të volitshme që si njërit publik ashtu edhe tjetrit, edhe atij në Kosovë dhe këtij në Serbi, t’i servohet një moment krejtësisht i  parëndësishëm, si temë e identitetit kombëtar dhe shtetëror. Siç saktësoi ai, Prishtina e shpallë valutën evropiane si kombëtare dhe përmes kësaj dëshiron të dëshmojë sovranitetin e saj, kurse Serbia insiston që serbët në Kosovë të paguhen me dinarë, ndërsa një pjesë të mirë të obligimeve të veta duhet t’i paguajnë në euro.

I pyetur për rrezikun që Serbia, në vend të subjektit në skenën ndërkombëtare, të bëhet objekt në marrëdhëniet e fuqive të mëdha, Protiq vlerësoi se “ajo tashmë është objekt”, pasi që nga fillimi i krizës jugosllave e deri më sot, ajo vetëm iu është përgjigjur pyetjeve nëse pranon apo jo atë që dikush tjetër ia gatuan dhe i pa propozon.

Është e vështirë të parashikohet se ku do të shkojë Serbia në të ardhmen, tha Protiq, i cili mendon se pushteti me kalimin e shpejtë të kohës do të duhet të përcaktohet për njërën ose palën tjetër dhe se në këtë pozicion mes dy zjarreve nuk do të mund të mbijetojë e të mos pësojë dëme të mëdha, edhe nga njëra, edhe nga pala tjetër.

Ai as që mendon se “ajo pala tjetër” është e kënaqur me këtë lloj politike që po ndiqet në Serbi, i bindur se në Moskë nuk shikohet me admirim sjellja e presidentit të Serbisë dhe e pushtetit të tij.

I pyetur nëse publiciteti i madh që mediat proqeveritare i dhanë intervistës së Carlson Tuckert me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, është tregues se Serbia sërish parapëlqen Donald Trumpin në postin e Presidentit të SHBA-së, ai vlerësoi se një qëndrim i tillë është naiv.

Sipas mendimit të tij, në Serbi ka një paragjykim sesi Trump ka qenë dhe do të jetë më i mirë për Serbinë se ç’është administrata e demokratëve. Siç theksoi ai, është një interpretim naiv dhe i papjekur i marrëdhënieve botërore dhe karakterit të pushtetit në Amerikë, të cilit mund t’i besojnë vetëm njerëzit naivë dhe të paditur.

Ardhja e Trumpt, nëse do të fitonte zgjedhjet në SHBA, do të kishte shumë më tepër pasoja për gjendjen e brendshme në Amerikë, sesa që të ketë ndonjë ndryshim dramatik në planin ndërkombëtar, – përfundoi Protiq.

 

Të fundit