E premte, 26 Korrik, 2024

MILIONA TË HUAJ MUND TË DËBOHEN NGA GJERMANIA

Në vitin 2022 në Gjermani jetonin rreth 23.8 milionë vetë me prejardhje të huaj. Kjo korrespondon me 28.7 për qind të popullsisë. Pothuajse gjysma e tyre kanë nënshtetësi gjermane, rreth dymbëdhjetë milionë vetë. Shumica e tyre kanë lindur në Gjermani, shkruan  DW, përcjell KDP.

Në takimin e mbajtur në Potsdam në fund të nëntorit, ku morën pjesë politikanë nga partia e djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe anëtarë të krahut konservator të Unionit Kristiandemokrat të qendrës së djathtë (CDU) është biseduar për dëbimin e “miliona njerëzve”.

Në këtë takim, siç zbuloi dhe publikoi në muajin janar rrjeti investigativ Correctiv, u diskutuan plane për dëbimin e një numri të madh shtetasish me origjinë të huaj, pavarësisht nëse kanë apo jo pasaportë gjermane. Shtetasit gjermanë me origjinë të huaj do të dëboheshin nëse nuk do të asimiloheshin, siç u tha.

Por shtetësia gjermane mbrohet posaçërisht nga Kushtetuta gjermane. Neni 16 thotë: “Shtetësia gjermane nuk mund të hiqet”. Kjo dispozitë u fut në Kushtetutë edhe për shkak të praktikës naziste të dëbimit me forcë dhe heqjes së shtetësisë, veçanërisht të qytetarëve me origjinë hebreje.

“Kjo mbrojtje vlen edhe për personat me shtetësi të dyfishtë”, thekson në një intervistë për ARD, avokati i specializuar për të drejtën kushtetuese, Ulrich Karpenstein, nënkryetar i Dhomës së Avokatëve të Gjermanisë.

Edhe pse Kushtetuta lejon disa përjashtime për shtetasit me nënshtetësi të dyfishtë, ajo ofron shumë pak mundësi për heqjen e shtetësisë, për shembull në rastet e aktiviteteve terroriste. Edhe nëse do të shtoheshin disa opsione të reja që mund të çonin në heqjen e shtetësisë, ato në asnjë rrethanë nuk duhet të lidhen me ngjyrën e lëkurës, siç u diskutua në takimin e Potsdamit.

“Gjithashtu, arsyet e mundshme për heqjen e shtetësisë nuk duhet të lidhen as me origjinën dhe as me konceptin e asimilimit”, shpjegon Karpenstein. “Këto plane janë pa mëdyshje jokushtetuese. Për të realizuar ide të tilla duhet të injorosh si Kushtetutën gjermane ashtu edhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.” Dhe kjo do të ishte e mundur vetëm në rastin e një grushti shteti.

Por pavarësisht kësaj, “planet e dëbimit masiv” të diskutuara në Potsdam, trembin shumë gjermanë. Në një anketë të kryer nga instituti dimap Infratest për ARD, 51 për qind e të anketuarve me prejardhje emigrante thanë se planet u shkaktonin frikë të madhe ose shumë të madhe. Ngjashëm e shohin këtë çështje edhe 48 për qind e të anketuarve pa rrënjë të huaja.

Në Perëndim të Gjermanisë frika është pak më e lartë (49 për qind thonë se frika është e madhe apo shumë e madhe) sesa në Lindje (42 për qind). Dallime të mëdha në grupmosha nuk ka. Tek personat e moshës 35 deri në 49 vjeç frika është pak më e ulët dhe arrin në 41 për qind. Frika është veçanërisht e theksuar tek mbështetësit e të Gjelbërve dhe SPD-së, me 69 dhe 61 për qind. Vetëm tetë për qind e mbështetësve të AfD-së kanë frikë nga dëbimet e tilla, ndërsa 76 për qind prej tyre janë përgjigjur se kanë pak frikë ose aspak.

Të fundit