E shtunë, 27 Korrik, 2024

REKOMANDIM PËR SHPALLJE TË EPIDEMISË NË SHKUP

Pas 18 rasteve të konfirmuara të kollës së mirë, Komisioni për Sëmundje Infektive propozon shpallje të epidemisë në zonën e Qytetit të Shkupit. Ditët e fundit numri është në rritje, veçanërisht në territorin e qytetit të Shkupit, ku janë konfirmuar 14 raste.

Sugjerohet që pikat e vaksinimit të punojnë me dy ndërrime, ndërsa shtesë të punohet edhe të shtunën. Rekomandohet gjithashtu ndalimi i pranimit të fëmijëve të pavaksinuar për pertusis në kopshte.

Komisioni pret që këto masa të nxisin interesin për vaksinim, sepse fokusi është mbrojtja e më të vegjëlve.

Kryetari i Komisionit për Sëmundje Infektive, Aleksandar Petliçkovski dje në konferencë për shtyp tha se shpallje e epimidisë  tingëllon pak e frikshme, por në realitet duhet të na lehtësojë përballimin e rrezikut që vjen me kollën e mirë.

“Në atë drejtim ne jemi duke u përgatitur, gjegjësisht presim që të nxjerrim një udhëzim të përgatitur për trajtimin e gjendjeve epidemike nga Instituti i Shëndetësisë Publike dhe aktivitetet kyçe duhet të synojnë përfundimin e vaksinimeve të humbura”, tha Petliçkovski.

Në vend, siç shtoi. është i pakënaqshëm niveli i mbulimit me vaksinimin kundër kësaj sëmundje.

Mes të infektuarve ka edhe persona të vaksinuar. Siç ka sqaruar Petliçkovski, ka rënie të imunitetit mesatarisht pas 10 vitesh, prandaj janë shqyrtuar të gjitha opsionet për rifreskim të imunitetit te të sëmurët e rëndë dhe personat mbi 65 vjeç.

“Megjithatë, këto janë rekomandimet tona fillestare, sepse për momentin jemi në gjendje vërtet të mirë, krahasuar me rajonin. Kemi 18 raste dhe asnjë të vdekur”, përfundoi Petliçkovski.

Të 18 rastet në vend, siç theksoi, janë të ndara dhe pikërisht kjo është arsyeja që në territorin e qytetit të Shkupit të shpallet epidemi, për të mos lejuar shfaqjen e grupimeve.

“Shpallja e epidemisë do të na japë mundësi për ta zbutur situatën shumë më lehtë, tashmë e shohim se çdo ditë raportohen dy raste të reja, po forcohet. Nuk e dimë se ku do të shkojë. Është koha e duhur për të ndërmarrë disa hapa konkretë”, ishte decid Petliçkovski.

Te pacienti katërvjeçar, i cili është vaksinuar kundër kollës së mirë, ndërsa është shtruar në Klinikën për fëmijë, siç ka sqaruar Petliçkovski, ka të bëjë me një gjendje që tregon për aplikimin e terapisë imunosupresive.

“Terapia imunosupresive u jep hapësirë ​​njerëzve, fëmijëve që janë vaksinuar të kenë mundësi të infektohen, megjithatë, sigurisht që infeksioni do t’i kalojë më lehtë sesa nëse nuk imunizohej. Dhe vetë vaksinimi ka një efikasitet ndërmjet 80 dhe 90 për qind, kështu që gjithmonë ekziston mundësia që infeksioni të gjejë hapësirë ​​në një mjedis relativisht të mbuluar me një popullatë me vaksina për të shpërthyer në disa më të mëdha”, theksoi Petliçkovski.

Edhe në Serbi, siç theksoi nga rreth 700 persona me infeksion të konfirmuar me kollë të mirë, rreth 64 për qind janë vaksinuar.

Pertusis, e njohur gjithashtu si kolla e mirë, është një infeksion shumë ngjitës i frymëmarrjes i shkaktuar nga bakteri Bordetella pertussis.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, pertusisi përhapet lehtësisht nga personi në person, kryesisht përmes pikave nga kollitja ose teshtitja. Sëmundja është më e rrezikshme për foshnjat me gji dhe është një shkak i rëndësishëm i sëmundjes dhe vdekjes në këtë grupmoshë.

Simptomat e para zakonisht shfaqen 7 deri në 10 ditë pas infektimit. Këto përfshijnë temperaturë të lehtë, rrjedhje hundësh dhe kollë. Pneumonia është një ndërlikim mjaft i zakonshëm, ndërsa ndodhin kriza dhe sëmundje të trurit, por më rrallë.

Për sa i përket kollës së mirë më së shumti sëmuren foshnjat deri në një vjeç dhe fëmijët e të rinjtë nga 10 deri në 20 vjeç, por nuk përjashtohet që të sëmuren edhe të rriturit. Siç kanë apeluar shumë ekspertë në periudhën e kaluar, vaksinimi është mbrojtja më e sigurt, më e besueshme dhe më efektive kundër kollës së mirë dhe të gjitha sëmundjeve të tjera për të cilat ekzistojnë vaksina./MIA

Të fundit