E mërkurë, 12 Qershor, 2024

NDALIMI I ARTISTËVE NGA KOSOVA NË SHQIPËRI: AKUZA, KEQARDHJE E HETIM

Drama me ndalimin e tre pjesëtarëve të grupit të artistëve nga Kosova, të dyshuar për trafikim tritoli, ka vazhduar të mërkurën me dramë akuzash, keqardhjeje e paralajmërim për hetim të rastit. Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, midis kërkimfaljes ka akuzuar edhe treshen e ndaluar, i është kundërpërgjigjur dramaturgut Jeton Neziraj, e opozita ka shpërthyer me akuza ndaj “narkpolicisë” për ndalim “me urdhër politik”. Një sqarim akuzues i mbështjellë me kërkimfalje nga Qeveria e Shqipërisë, akuzat e opozitës, sqarimet e Policisë dhe hetimi ndaj tyre, si dhe akuzat e artistëve për pasaktësi në sqarimet qeveritare e kanë karakterizuar ditën e mërkurë sa i përket ndalimit e shoqërimit të grupit të artistëve nga Kosova në Shqipëri, – shkruan koha.net.

Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka kërkuar falje për atë që i ka ngjarë ekipit të shfaqjes “The Handke Project” në natën midis të dielës dhe të hënës në Shqipëri. Në një adresim publik në rrjete sociale, Balla ka thënë të jetë i “keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kilogramësh tritoli”. Sipas tij, në ditën e katër të shkurtit Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej, duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër.

Sipas tij, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Bëhet fjalë për pikën ku paguhet tarifa e shfrytëzimit të “Rrugës së Kombit”.

“Pas mjetit të parë tip ‘BMW’ me targa të Kosovës, objekt kontrolli ishte edhe një automjet i dytë tip ‘Skoda’, i cili nga intervistimi i pasagjerëve rezultoi se udhëtonin së bashku”, ka shkruar Balla. Më tej ka treguar se personat janë shoqëruar për në Kukës e më pas në Tiranë.

“Për sa u takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta të mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt sesa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje”, ka thënë ai. Por, sipas Ballës, nuk duhet nxitur mllef ndaj Policisë.

“Së fundmi, keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë”, ka shkruar ai.

Tre veta të ekipit të shfaqjes që është produksion i qendrës “Multimeda” ishin ndaluar e, sipas tyre, edhe maltretuar.

“Për një kohë kaq të shkurtër disaorëshe kemi parë e ndeshur një botë njerëzish që objektiv të parë kanë poshtërimin e uljen e dinjitetit të tjetrit; që gjuhën seksiste, dhunën psikike, shakatë pa kripë e kërcënimet i kanë kryefjalë të punës e sjelljeve të tyre. Ne thjesht ndihemi të turpëruar për sjelljet dhe veprat e tyre”, shkruhet në deklaratën e “Multimedia”. Këtë e ka thënë edhe dramaturgu Jeton Neiziraj, njëherësh udhëheqës i “Multimedias”.

Sipas tij, deklarata e ministrit Balla ka së paku një pasaktësi: “Ai shkruan: ‘…automjeti i dytë tip ‘Skoda’, i cili nga intervistimi i pasagjerëve rezultoi se udhëtonin së bashku’. Ne nuk jemi intervistuar fare nga Policia kur jemi ndaluar. Kemi provuar me ngulm t’ua bëjmë me dije Policisë që ne po ktheheshim nga Italia. Pra, përse do të thoshim që ‘jemi bashkë me makinën nga Gjilani’, kur ne nuk ishim, nuk kishim lidhje me ta”, ka thënë Neziraj. Sipas tij, për në Kukës dhe më pas në Tiranë janë shoqëruar me arsyetimin se po verifikoheshin emrat e tyre duke qenë në terr të plotë informativ.

“Por, në adresimin e tij publikut, zoti Balla na jep një dëshmi të rëndësishme. Ai në fund shkruan: ‘Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë’. Pra, sipas tij, fokusi do të duhej të ishte te suksesi i Policisë, dhe jo te një ‘dëm kolateral, si ky me artistët’. Dhe kjo është mendësia e pushtetit – e një pushteti të keq, që dinjitetin e shkelur të qytetarit, maltretimin e terrorizimin e tij e konsideron të dorës së dytë, të parëndësishëm, kundrejt ‘suksesit të kapjes së tritolëve’”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, krejt kjo është për keqardhje dhe është qasje që duhet të ndryshojë.

“Para se tritolët, Policia duhet ta ketë prioritet qytetarin, dinjitetin e tij dhe jo vetëm të artistit, natyrisht, por të secilit qytetar”, ka thënë ai. Ka treguar se të mërkurën janë kontaktuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në Tiranë dhe kjo i ka gëzuar, pasi, sipas tij, duket se ka vërtet një vullnet për ta hetuar incidentin.

Për dallim nga ministri Balla, Policia e Shtetit në një përgjigje për KOHËN të mërkurën ka dhënë version tjetër.

Oficeri policor, Sejfulla Metko, asistent në Drejtorinë Vendore të Policisë në Tiranë ka sqaruar se kanë qenë në kërkim të një grupi që trafikonte tritol.

“Gjatë kryerjes së operacionit për arrestimin e personave të përfshirë, rezultoi se dy mjete u larguan nga vendi i ngjarjes, ku për të cilat dyshohej se ndodheshin shtetasi L. P. dhe një shtetase me emrin ‘Flaka’”, ka sqaruar ai. Sipas zyrtarit policor, ky informacion u është dhënë strukturave të tjera policore dhe Pikës Kufitare Morinë, pasi dyshohej se automjetet mund të kalonin në atë territor.

“Në datën 05.02.20223, ora 01:30, punonjësit e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në pikën e pagesës të Rrugës së Kombit, Milot – Morinë, kanë ndaluar dy automjete që ecin njëra pas tjetrës. Në automjetin e parë me targë… ndodheshin shtetasit L. P. dhe Sh. H (persona që kërkoheshin nga ana jonë), ndërsa në mjetit tjetër tip ‘Skoda’ me targë… ndodheshin drejtues mjeti shtetasi J. N. dhe pasagjerë V. K. si dhe shtetasja F. R. Duke qenë se në automjetin e parë ndodheshin dy personat e kërkuar nga ana jonë, si dhe në automjetin tjetër gjendej një vajzë me emrin ‘Flaka’, lindën dyshime se mund të kishin lidhje me operacionin policor që ishte në ndjekje, nga ana e punonjësve të policisë të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës”, ka treguar ai në deklaratë më shkrim, prej së cilës KOHA ka hequr emrat e plotë dhe detajet e të ndaluarve.

Sipas përgjigjeve, pas verifikimeve të kryera dhe deklarimeve të marra shtetasve në automjetin ‘Skoda’, si dhe ballafaqimet me personat e arrestuar, rezultoi se të tre këta shtetas nuk kishin lidhje me procedimin që ndiqej nga ana e Policisë, dhe për këtë arsye u lanë të lirë. Në përgjigje saktësohet se nga verifikimi i bërë rezultoi se shtetasja e përfshirë në këtë procedim ishte F. A., e cila më pas është shpallur në kërkim policor.

“Në momentin e sqarimit të situatës, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë u ka kërkuar falje tre shtetasve të mësipërm për shoqërimin e tyre. Gjithashtu në datën 06.02.2024, drejtori vendor i Policisë Tiranë ka telefonuar shtetasen F.R. dhe i ka kërkuar falje në emër të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë”, ka sqaruar kryekomisari Metko.

Për këtë çështje ka reaguar edhe opozita në Shqipëri. Deputeti Flamur Noka në një konferencë për media ka thënë se artisti Jeton Neziraj, bashkë me një grup artistësh të tjerë që po ktheheshin në Rinas nga Firence, ku kishin vënë në skenë një pjesë teatrore, “janë ndjekur nga banditë me uniformë gjatë rrugës dhe janë shoqëruar dhe ndaluar në stacionin e narkopolicisë në Kukës”.

“Aty, me urdhër politik, janë keqtrajtuar shtazërisht, fizikisht dhe psikikisht, dhe janë mbajtur për disa orë, dhe më pas janë rikthyer në Tiranë, ku ka vazhduar keqtrajtimi i tyte përgjatë natës në Drejtorinë e Policisë, duke u liruar të nesërmen”, ka thënë, midis të tjerash, ai./koha.net/

 

Të fundit