E shtunë, 27 Korrik, 2024

“LËVIZJET” E FUNDIT TË “NDARJES” PËRFUNDIMTARE?!

Arben Taravari ka paralajmëruar se në Kumanovë do të mbajë takim konsultativ me delegatët e kuvendit, ndërkohë që Fatmir Mexhiti ka theksuar se do të mbahet kuvendi i partisë. Nga ana tjetër, nëpërmjet një njoftimi ASH ka theksuar se askush nuk duhet të bie pre e dezinformatava, sepse në Kumanovë mbahet tubim me qytetarët, ndërsa kuvendi i partisë do të mbahet të shtunën në Shkup. Ndryshe, me propozim të qeverisë, kuvendi për nesër ka caktuar seancë për shkarkimin e dy ministrave mbështetës të Taravarit, Fatmir Mexhitit dhe Azir Aliut.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Fatmir Mexhiti nga krahu i Arben Taravarit në Aleancën për Shqiptarët tha se sonte në Kumanovë përveç takimit me qytetarët, do të mblidhet edhe Kuvendi Qendror i partisë.

Do të jetë një tubim i zakonshëm, normal me qytetarët, ne tash kemi filluar të gjitha partitë me parapërgatitjet, si çdo parti tjetër, për zgjedhjet e ardhshme presidenciale dhe parlamentare, dhe atje do të mbajmë edhe Kuvendin e partisë Aleanca për Shqiptarët, edhe do të marrim drejtimin se si do të shkohet në zgjedhjet parlamentare”, theksoi Mexhiti.

Kurse Arben Taravari për MIA-n, ka thënë se “në Kumanovë do të mbaj takim konsultativ me delegatët e Kuvendit të partisë”.

Në anë tjetër, kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela, për të shtunën, më 10 shkurt,  ka thirrur edhe mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku do të kërkohet llogari nga Taravari duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e tij nga drejtimi i Aleancës për Shqiptarët pasi, sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë. Megjithatë, nga faqja zyrtare në Facebook e Aleancës për Shqiptarët demantojnë se Kuvendi Qendror i partisë do të mbahet sot në Kumanovë.

Përgjatë ditës së djeshme një pjesë e kuvendarëve kanë marrë porosi për TUBIM në qytetin e Kumanovës dhe më pas për TAKIM me z.Taravarin. Ajo që duam t’ju bëjmë me dije është që askush nuk duhet të bëhet pre e dezinformatave se mbahet Kuvendi i Partisë, sepse siç do të konkludoni vet edhe nga ftesa, bëhet fjalë për tubim dhe takim. Kuvendi i Partisë konform statutit të partisë është caktuar për të shtunën në resort Bushi ora 13.00”, thuhet në profilin zyrtar të partisë në Facebook.

Ndryshe, në planifikimin e aktiviteteve, Taravari ka caktuar 10 shkurtin për një ngjarje tjetër. Përveç tubimit të sotshëm në Kumanovë, Taravari ka njoftuar në profilin e tij në Facebook edhe një tubim në Gostivar për të shtunën, 10 shkurt, e tri ditë më vonë edhe një në Tetovë.

Të takohemi dhe të themi faleminderit dhe…ndryshimi ka filluar”, ka thënë Taravari në postim.

Kujtojmë se tensionet kryesore ditë më parë u përqëndruar te dy ministrat që mbështesin liderin Arben Taravari. Krahu i Ziadin Selës njoftoi se ka vendosur të propozojë kandidatë të rinj për ministra të Shëndetësisë dhe Shoqërisë Informative dhe Administratës në vendin e Fatmir Mexhitit dhe Azir Aliut, të cilët i dhanë mbështetje Taravarit.

Për ministër të Shëndetësisë u propozua Ilir Demiri, drejtor aktual i Spitalit Klinik në Tetovë, ndërsa për Ministër të Shoqërisë Informatike dhe Administratës Naim Bajrami, magjistër i Shkencave Politike.

Ndërkaq, nga Qeveria sot njoftuan se kryeministri teknik, Talat Xhaferi ia ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për shkarkimin e ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, dhe të ministrit të Administratës dhe Shoqërisë Informatike, Azir Aliu.

Seanca e Kuvendit për shkarkimin e ministrave të vjetër dhe emërimin e atyre të rinj është caktuar për të premten nga kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski.

Vendimi është marrë për shkak të, siç thuhet, “veprimeve që bien ndesh me Kodin Etik, përfshirë shantazhet dhe presionet ndaj anëtarëve të ASH-së, si dhe takimeve me VMRO DPMNE-në”.

Por, sipas ministrave Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu, propozimi për shkarkim është bërë për shkak të pozicionimit të tyre pas kryetarit të partisë, Arben Taravari, i cili më 3 shkurt njoftoi për vendimin për të kaluar në bllokun opozitar shqiptar – Lidhja Evropiane për Ndryshim.

Ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski, kryetar Lidhjes Social Demokrate (LSDM) ka thënë të enjten se partia që ai drejton do të mbështesë propozimin për shkarkimin e këtyre dy ministrave.

Grupi Parlamentar i LSDM-së do të votojë bazuar në propozimin e Qeverisë, por edhe bazuar në qëndrimin që do të ketë Aleanca për Shqiptarët. Nëse një parti, e cila është pjesë e Qeverisë, kërkon që ministrat e saj të zëvendësohen me të tjerë, atëherë është normale që të ketë një vendim në Kuvend. Kjo ka ndodhur edhe më parë kur parti që ishin pjesë e Qeverisë kishin kërkuar zëvendësimin e kuadrove të tyre”, ka thënë Kovaçevski.

Ai ka shtuar se nuk beson se po “rrezikohet Qeveria teknike”, edhe pse, siç ka thënë ai, bëhet fjalë për “fenomen botëror” që të ketë shkarkime dhe emërime në një qeveri teknike e cila ka mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që do të mbahem më 24 prill dhe 8 maj.

Të fundit