E enjte, 25 Korrik, 2024

ÇKA PO NDODH ME LLOGARITË E EVN-së?

Një “urim” i veçantë u ka mbërritur qytetarëve në këtë fillimvit, në formë të faturave për energjinë elektrike. Kjo ka shkaktuar ankesa të shpeshta të qytetarëve, të cilët përveç shtrenjtimit të produkteve ushqimore, tash po ballafaqohen edhe me shtrenjtim të energjisë. Përveç në EVN, edhe Komisioni Regulator ka pranuar 30 ankesa për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike të janarit, shkruan REL, përcjell KDP.

Regullatorët kanë thënë se nuk do të ketë rritje çmimi ndërsa EVN arsyetohet se konsumi është rritur. Qytetarët ankohen se për të njëjtën sasi të energjisë elektrike të konsumuar kanë marrë fatura shumë më të larta.

Faturat e janarit janë të larta, ankohen disa qytetarë. Konsumatorët me të cilët bisedoi REL thonë se krahasuar me dy muajt e fundit të vitit të kaluar, kanë shuma dukshëm më të larta në faturat e janarit, ndonëse pretendojnë se konsumi i tyre pothuajse nuk është rritur.

Sipas sqarimit të Komisionit Rregullativ (RKE), për muajin janar kosto shtesë në faturat e energjisë elektrike është vetëm artikulli i ri – “qasje në rrjet”, i cili është 200 denarë, gjegjësisht 236 denarë me TVSH.

Megjithatë, disa qytetarë ankohen se rritja e faturave të tyre për muajin e parë të vitit 2024 është shumë më e lartë se 200 denarët e paralajmëruar.

Shumë qytetarë kanë postuar në rrjetet sociale faturat e larta të energjisë, ndërkohë që thonë se nuk përdorin energjinë elektrike për ngrohje.

Para disa ditësh ka reaguar edhe partia Alternativa në Kumanovë, duke u bërë thirrje institucioneve kompetente që të mbrojnë qytetarët.

“Faturat e qytetarëve të Kumanovës, të harxhimit të energjisë elektrike janë të frikshme. Fatura të tilla nuk gjen askund në botë. Kjo sidomos i dëmtoi mërgimtarët, të cilët qëndruan në vendlindje një ose dy javë, ndërsa paguan energji elektrike nga 300 deri në 1000 euro. I dëmtoi edhe kumanovarët të cilët paguan fatura të energjisë elektrike dyfish më të larta se në të kaluarën. Prandaj i pyesim publikisht institucionet e shtetit dhe drejtuesit e EVN-së se kur do të jetë mjaft? A do të ngopet dikur grykësia e tyre dhe zhvatja e xhepit të qytetarëve?”

Përveç njoftimeve nga Komisioni Rregullativ se nga janari do të futet pika “qasje në rrjet” me të cilën faturat do të rriten për 200 denarë, tarifa e lirë është rritur edhe në faturat e energjisë elektrike të pranuara muajin e kaluar.

Pra, nga 1 janari tarifa e lirë është rritur nga 1,4013 denarë për kilovat orë në 1,7522 denarë. Mirëpo, nga ana tjetër, në faturat e janarit është ulur tarifa e rrjetit, gjegjësisht nëse në dhjetor ishte 2.6230, në janar për tarifën e rrjetit paguhen 2.3032 denarë.

SHA MEPSO, Elektrodistribuimi dhe MEMO kërkuan nga Komisioni Rregullativ që nga 1 janari të rritet çmimi i energjisë elektrike për 27 për qind, por mundësia për një rritje të tillë u hodh poshtë.

Përllogaritjet për çmimin e energjisë elektrike nga viti 2024 do t’i bëjë EVN, por fjalën përfundimtare për çmimin e ka Komisioni Rregullativ për Energji, i cili i mbikëqyr llogaritjet.

Në maj duhet të dihet se kush do të jetë furnizuesi i ri universal i energjisë elektrike dhe pas 1 korrikut nuk dihet se cili do të jetë çmimi i energjisë elektrike. Çmimi i energjisë elektrike në tregun e rregulluar aktualisht subvencionohet për 84 për qind dhe subvencionimi do të vazhdojë deri në fund të qershorit.

Të fundit