E shtunë, 27 Korrik, 2024

THELLOHET NDARJA NË ASH

Konfliktet brenda Aleancës për Shqiptarët (ASH) vazhdojnë të intensifikohen. Tensionet kryesore aktualisht janë përqëndruar te dy ministrat që mbështesin liderin Arben Taravari. Në një njoftim zyrtar, ASH ka bërë të ditur se Komisioni Kadrovik partiak, me shumicë votash, ka vendosur t`i propozojë kryeministrit Talat Xhaferi, shkarkimin e dy ministrave të ASH-së, Fatmir Mexhitit, ministër i Shëndetësisë, dhe Azir Aliut, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë
Në anën tjetër, të dy ministrat, Aliu dhe Mexhiti, të martën mbrëma mbajtën një konferencë për shtyp para Qeverisë së Republikës së Maqedonisë (RMV), ku theksuan se këtë veprim e përceptojnë si një hakmarrje politike. KDP.MK mëson se deri në fund të javës pritet të mbahet  seanca parlamentare për shkarkimin e dy ministrave nga ASH-ja.

Përgatiti: Enis Shaqiri

Situata politike brenda Aleancës për Shqiptarët po krijon tensione të mëdha, duke nxjerrë në pah dallimet dhe mosmarrëveshjet mes anëtarëve të kësaj force politike.

KDP.MK nga burime konfidenciale mëson se vendin e Mexhitit mund ta zë drejtori aktual i Spitalit Klinik të Tetovës, Ilir Demiri, ndërsa atë të Aliut – një kuadër nga Gostivari, emri i të cilit, më herët, ishte lakuar si një ndër eksponentët e LVV-së në Maqedoni

Për të shkarkuar dy ministrat dhe për të zgjedhur drejtuesit e rinj nevojitet që të votojnë shumica e deputetëve në Parlament. Qeveria teknike u votua me 65 vota, ndërkohë që krahu i Taravarit kontrollon dy nga tetë deputetët e ASH-së. Kjo do të thotë se shkarkimi dhe emërimi i ministrave të rinj nuk pritet të ballafaqohet me mungesë numrash .

Kryeministri Talat Xhaferi, në lidhje me tërheqjen e mundshme të ministrave të ASH-së, ka deklaruar se është duke e monitoruar situatën në Aleancën për Shqiptarët. Sipas tij, në rast se tërhiqet ndonjë nga ministrat e ASH-së, do të duhet të propozohen emra të rinj.

Unë nuk jam politikan Facebook-u, nuk jam kryeministër që qeveris sipas deklaratave dhe aktiviteteve në Facebook. Unë jam kryeministër i kësaj qeverie, për të cilën kam propozuar një përbërje, prandaj anëtarët e qeverisë duhet të deklarohen zyrtarisht në një situatë kur kanë pikëpamje të kundërta, të deklarohen në vijë institucionale, a kanë ndjenja të që i përkasin kësaj përbërje ose jo!?”, theksoi Xhaferi.

Ndërkaq, ministrat Aliu dhe Mexhiti, të pozicionuar në krahë të liderit Arben Taravari, kanë lënë të kuptohetb se nuk do të japin dorëheqje nga postet që ushtrojnë.

Nuk do të japim dorëheqje, sepse fillimisht, siç tha kolegu im Fatmir Mexhiti – ne punojmë në mënyrë transparente dhe kemi punuar me përgjegjësi. Momenti i dytë është që shkarkimin tonë duhet ta kërkojë partia, për këtë gjë ne nuk vlerësojmë që do të kërkojë partia jonë shkarkimin tonë, sepse nuk ka arsye”, tha Azir Aliu, ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Është e dukshme se nuk është në pyetje interesi publik i qytetarëve, por por hakmarrja politike”, tha Fatmir Mexhiti, ministër i Shëndetësisë.

Kujtojmë se përplasjet brenda partisë vijnë pas ballafaqimeve publike mes liderit aktual të ASH-së, Arben Taravari dhe ish-kryetarit të po të njejtës parti, Ziadin Sela. Taravari, vendosi që të shkojë në zgjedhjet parlamentare me opozitën shqiptare, Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Më anë tjetër, kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela, veprimet e Taravarit i ka quajtur si “akt qyqar”, ndërsa për të shtunën, më 10 shkurt, ai ka thirrur edhe mbledhjen e Kuvendit të partisë, ku do të kërkohet llogari nga Taravari duke mos përjashtuar edhe shkarkimin e tij nga drejtimi i Aleancës për Shqiptarët pasi, sipas tij, e ka shkelur rëndë statutin e partisë.

Ndërkaq, sot, vijon të shpërndahet një mesazhë që në fund mbanë vulën e Arben Taravarit, se Kuvendi Qendror i partisë do të mbahet nesër në Kumanovë. E gjithë kjo ngjall dyshimet  se kreu i partisë, Arben Taravari ndoshta do të mbledh Kuvendin Qendror para mbledhjes së caktuar nga kryetari i KQ-së, Ziadin Sela, për ditën e shtunë. Megjithatë, nga faqja zyrtare në Facebook e Aleancës për Shqiptarët demantojnë se Kuvendi Qendror i partisë do të mbahet nesër në Kumanovë.

Të fundit