E shtunë, 27 Korrik, 2024

MEXHITI DHE ALIU PRITET TË SHKARKOHEN JAVËN QË VJEN, JA KUSH I ZËVENDËSON

Ministrat e Aleancës për Shqiptarët (ASH) që përkrahën liderin e partisë, Arben Taravari, pritet që të shkarkohen javën e ardhshme nga ana e deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, mëson KDP nga burime konfidenciale.

Në këtë drejtim. Komisioni i kadrovik i partisë Aleanca për Shqiptarët ka marrë vendim që t’i propozojë kryeministrit teknik Talat Xhaferi shkarkimin e ministrit të Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu dhe ministrit të Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Sipas burimeve, vendin e Mexhitit mund ta zë drejtori aktual i Klinikës së Tetovës, Ilir Demiri, ndërsa atë të Aliut – një kuadër nga Gostivari.

Për të shkarkuar dy ministrat dhe për të zgjedhur drejtuesit e rinj nevojitet që për këtë të votojnë shumica e deputetëve në Parlament. Qeveria teknike u votua me 65 vota, ndërkohë që krahu i Taravarit kontrollon dy nga tetë deputetët e ASH-së. Kjo do të thotë se shkarkimi dhe emërimi i ministrave të rinj nuk pritet të ballafaqohet me mungesë numrash në Parlament.

“Komisioni i Personelit i Aleancës për Shqiptarët, i përbërë nga 7 anëtarë, si organi i vetëm i ASH për çështjet kadrovike, me shumicë 5 votash, vendosi t’i propozojë Kryeministrit shkarkimin e Ministrit të Shoqërisë së Informacionit dhe Administratës dhe ministrit të Shëndetësisë”, thonë nga shërbimi për shtyp i partisë.

Ky vendim vjen pas ballafaqimeve publike mes liderit aktual Arben Taravari dhe ish-kryetarit të partisë Zijadin Sela.

Në njoftimin e sotëm partiak të Aleancës për Shqiptarët, thuhet se vendimi është miratuar pasi “nëpërmjet pushtetit të postit ministror, ​​por pa post partiak, dy ministrat kryejnë veprime që bien ndesh me kodin e etikës, përfshirë shantazhin dhe presionin për anëtarët dhe punonjësit e ASH-së, si dhe për koketimin e sotëm publik me VMRO-DPMNE-në, duke vizituar ministrin e saj”, thuhet në komunikatë.

Xhaferi tha për MIA-n se është duke e monitoruar situatën në Aleancën për Shqiptarët, e cila ka tre ministra në qeveri dhe se do të veprojë sipas kompetencave të tij.

Përshkallëzimi i tensioneve brendapartiake vjen në një moment kur partia, e cila është partneri aktual në qeveri, po vendos se si do të pozicionohet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të planifikuara për 8 maj.

Të fundit