E shtunë, 27 Korrik, 2024

INTERVISTË, AKADEMIK BEXHETI: JA KUSH JANË SHFRYTËZUESIT MË TË MËDHENJ TË PASURIVE SHTETËRORE    

A mund të bëhet një përllogaritje e të mirave natyrore në bazë të shfrytëzuesve, me qëllim që të njëjtat të vihen në funksion të së mirës së të gjithë qytetarëve? Akademiku dhe Rektor i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti, thotë se është koha për një bilanc të tillë makroekonomik. Në një intervistë ekskluzive për KDP-në, ai flet edhe për debatin rreth kryeministrit të parë shqiptar, rolin dhe domethënien e tij, mosvotimin nga ana e opozitës si dhe për organizimin e oligarkëve për të mbajtur dominimin etnik në ekonominë e vendit.

KDP: Më 28 janar u zgjodh kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Pushteti e paraqiti si arritje të madhe, madje historike, kurse opozita e relativizoi duke thënë se është vetëm drejtues i një qeverie teknike. Si e vlerësoni Ju? 

BEXHETI: Fillimisht dua të shpreh edhe kënaqësinë për këtë arritje të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndërsa Kryeministrit i uroj që me sukses e dinjitet të përgënjeshtrojë të gjithë alarmuesit se shteti na qenka në rrezik me Kryeministër shqiptar! Kjo dëshmoi edhe tezën se s’ka më pozita të ndaluara për shqiptarët në Maqedoni. Këto padyshim janë arritje meritore për t’u vlerësuar. Njëkohësisht mendoj se nuk ka nevojë për ndonjë triumfalizëm, do ta quaja folklorik, edhe nga ana jonë. Për shkak se, nga prizmi im, kjo është arritje e gjithë shtetit dhe, pse jo, edhe e demokracisë. Gjithë ata që duan ta minimizojnë këtë duke e cilësuar si kryeministër “teknik” apo afatshkurtër, dua t’i përkujtoj se menjëherë pas pavarësimit, qeverisjen e parë Maqedonia e nisi me një qeveri teknike, po ashtu, për një kohë me mandat të shkurtër!

KDP: Përpos politikanëve opozitarë maqedonas, edhe opozita shqiptare nuk e mbështeti kryeministrin shqiptar. Si duket kjo nga prizmi Juaj?

BEXHETI: Ishte e pritshme se opozita maqedonase nuk do ta mbështesë qeverinë e parë me një kryeministër shqiptar, por jo edhe ajo shqiptare. Të parët nuk arritën ta “mbulojnë diellin me shoshë”, për ta kuptuar se këtë e bënë vetëm për shkak të përkatësisë etnike të Kryeministrit dhe periudhës parazgjedhore, ama të dytët, sinqerisht nuk i kuptoj përse!  Së paku humbën shansin parazgjedhor të jenë pjesë e kësaj zgjedhjeje. Parimisht, opozita shqiptare ka shume të drejtë në kërkesën për përfaqësim opozitar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve, por kjo indinjatë apo arsye, jo që është e zbehtë, por as që duhet të zë vend si argument për këtë.

KDP: Përpos politikanëve, kishte edhe afaristë, bile nga ata të ashtuquajtur oligarkë, të ngritur mbi bazë të konjunkturave me qendrat e vendosjeve politike, të cilët nuk hezitojnë t’i akuzojnë shqiptarët për dominim politik dhe ekonomik. Nga këndvështrimi akademik dhe i ekspertit për çështje ekoniomike, si e vlerësoni këtë?

BEXHETI: Këto hipoteza të qëllimshme po plasohen që para një viti, por në thelb nuk ofrojnë asnjë argument, asnjë dëshmi me relevacë se gjoja shqiptarët po favorizohen në atë që unë do ta quaja hisemarrje ekonomike, prandaj gjykoj se, si të këtilla, këto hipoteza të grupeve të frustruara nuk çojnë kurrfarë peshe. Kjo ngase këta “oligarkë”, sikurse i cilësoni ju, më nuk kanë monopol absolut mbi resurset e shtetit, ndonëse për hir të së vërtetës, vazhdojnë të zhvatin asetet publike të shtetit tonë të përbashkët. Në një shkrim timin po në portalin tuaj, për ostrakizmin ekonomik të shqiptarëve në tri dekadat e fundit, trajtova vetëm një segment – atë të përjashtimit të shqiptarëve nga privatizimi i kapitalit shoqëror! Në këtë vijë, po shtoj edhe një dimension tjetër, që fare nuk është prekur deri më sot – atë të shfrytëzimit të resurseve natyrore publike. Pa hyrë në periudhën socialiste të vendit, nga pavarësia e deri më sot, shumë afaristë apo oligarkë, u pasuruan që në fillimet trasformimit ekonomik pikërisht përmes shfrytëzimit të resurseve minerale, jominerale dhe të atyre tokësore (tokë bujqësore, pyje e kullota) në pronësi të shtetit, pa paguar çmim real e aq më pak të tregut. Për më tepër një dukuri e tillë vazhdon edhe sot e kësaj dite.

KDP: A ka dëshmi konkrete për këto përmasa dhe a mund të vlerësohen sipas shfrytëzuesve?

BEXHETI: Edhepse një klasifikim etnik nuk është i zbatueshëm dhe i preferueshëm, për të arritur tek e vërteta shkenca nuk ka kufij metodologjik se si duhet t’u qaset analizave të kësaj fushe. Para 15 vitesh na thonin ”mos analizoni ndarjen e buxhetit neper komunat mbi bazën etnike se nuk ekziston një klasifikim i tillë ndërkombëtar”, por pikërisht këto analiza dhe qasje me dekada përmirësuan decentralizimin fiskal edhe tek komunat maqedonase. Që nga marrja e Ministrisë së Financave në qeverisje nga shqiptarët në këtë mandat, në relacione konsultative, i kam sugjeruar ministrit Besimi të krijojë një sektor të veçantë për evidentimin, bilancimin dhe menaxhimin efikas të resurseve publike në shtet, gjë të cilën edhe e realizoi. Nuk ekzistojnë akoma të dhëna të sistemuara për këtë, por zotërimi i resurseve si, fjala vjen, i xeheroreve të plumbit dhe zinkut “Sasa”, me shkritoret e tyre “Zletovo” – Probishtip; xeheroreve të bakrit “Buçim”- Radovish; shkritoreve të feronikelit  “FENI” – Kavadar; xeheroreve “Sileks” – Kratovë; xeheroreve të mermerit në Prilep; xeheroreve të kromit në Radushë dhe Lojan,…kjo e fundit ndër të parat e këtij lloji në Evropë, dhe shumë tjera më të vogla se këto, janë në duart e maqedonasve, jo pse territorialisht janë në rajonet joshqiptare, por sepse afaristët “e brengosur”, i shfrytëzojnë këto pa kompensime të rregulluara, varësisht nga vlerat e tregut. Të vetmet minerale jometale ku mund të gjeni ndonjë kompani shqiptare janë gurthyeset malore apo eksploatimi i rërës në ndonjë shtrat lumi!

Këto dhe shumë tjera të ngjajshme i eksploatojnë koorporata me emërtime ndërkombëtare, por me prapavijë pronësore vendore si Solvej Investment Group, Indominerali &metali, Sileks, SASA, etj! Më gjeni një të vetme xeherore që e shfrytëzojnë shqiptarët? Për një përpjekje e ND Group (e familjes Destani me Euromax Resurse) për xeheroren “Elovica”-Shtuka, u alarmua i gjithë vendi ende pa folluar!

Pos kësaj, sa tokë bujqësore shtetërore shfrytëzohet nga maqedonasit e sa nga shqiptarët? Sa kullota dhe pyje, po ashtu, në pronësi shtetërore shfrytëzohet nga shqiptarët? Sa ndërmarrje publike me kapital shtetëror apo edhe me koncesione shtetërore (Aeroporti TAV, Telekomi, EVN,…etj.) kanë të punësuar dhe menaxhmente me pjesëmarrje shqiptare?

Në të vetmin resurs që shqiptarët janë të pranishëm është buxheti i shtetit, posaçërisht në disa sektorë si arsimi, shëndetësia, mbrojtja sociale, gjyqësori, infrastruktura bazike,…etj. Në fakt, jemi afruar përpjestimisht edhepse midis afër 1.300 shfrytëzuesve buxhetorë ka akoma të tillë që s’kanë as 5% shqiptarë (si psh. AShAM, anëtar i së cilës jam)!

KDP: Dhe, çka më tej, sipas jush?

BEXHETI: Mbase është koha e fundit të krijohet bilanci makroekonomik i të gjitha resurseve publike sipas llojeve, vendndodhjeve, vlerave (qofshin edhe të përafërta), shfrytëzuesve, kompensimeve, që të njëjtat të utilizohen në të mirë të qytetarëve, pa dallim etnie e kulture. Për shkak se aktualisht gjithë ata që frustrohen dhe alarmojnë për gjoja “dominimin” ekonomik shqiptar sillen sikurse ai udhëtari që shtyhet të hyjë në autobusin e mbushur dhe sapo ia del të hyjë, u kthehet të tjerëve duke iu thënë “mos u shtyni se s’ka më vend”!

Të fundit