E shtunë, 27 Korrik, 2024

TARAVARI APEL KUVENDARËVE: TË RESHTOHEMI ME OPOZITËN, TA BËJMË HISTORINË

Lideri i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Arben Taravari, ka kërkuar mbështetjen e kryesisë që partia të shkojë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të 24 prillit, gjegjësisht 8 majit, bashkë me opozitën shqiptare të mbledhur në koalicionin Lidhja Evropiane për Ndryshim (LEN), raporton KDP.

“Duke besuar pa lëkundje në bashkëpartiakët e mi dhe në vizionin tonë të përbashkët, kërkoj besimin e tyre që Aleanca për Shqiptarët të futet në garën zgjedhore me opozitën shqiptare, e bashkë më tej të bëjmë më të mirën për këtë vend!”, ka shkruar Taravari në një postim në Facebook. “Ne jemi në rrugën tonë, jemi në rrugën e trasuar nga Arben Xhaferi. Kjo rrugë do të na çojë aty ku përkasim, në familjen e madhe evropiane, gjithnjë duke kultivuar aleancën tonë të përhershme me SHBA dhe NATO me të cilët ndajme të njejtin vizion dhe të njëjtat vlera.”

Sipas tij, asnjëherë ky ndryshim nuk ka qenë më i sigurtë dhe më i prekshëm. “Askush nuk ka kredibilitet më të madh se Aleanca për t’a sjellur Këtë Ndryshim!”, ka theksuar Taravari.

Ky vendim i tij vjen pas disa javësh konsultime e takime të shpeshta, brenda dhe jashtë ASH-së.  Taravari thotë se “pas një reflektimi të thellë personal, ka ardhur koha që të shpalos publikisht qëndrimin tim, si kryetar partie përsa i përket zgjedhjeve parlamentare që po afrohen.”

“Shumica e lexon historinë, por rrallë ka raste ku të jepet mundësia ta shkruash atë. Sot këtë Mundësi e kemi para nesh. Le të jemi ne ata që do e shkruajnë Historinë!”, ka apeluar Taravari.

“Duke marrë parasysh sugjerimet sa të vlefshme aq edhe dashamirëse të të gjithë miqve, antarëve dhe përkrahësve, kam zgjedhur të dëgjoj edhe zërin e popullit që sot po flet më qartë se kurrë.”

“Qytetari po kërkon Ndryshim! Populli po kërkon një sistem politik të çliruar nga epidemia e korrupsionit, që është bërë frenuesi më i madh për mirëqenien dhe zhvillimin e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.”

“Në cilësinë e kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, ftoj publikisht Kuvendin e partisë të më mbështesë në këtë rrugëtim dhe bashkë, t’i prijmë këtij procesi që unë e quaj Ndryshimi i Madh dhe i Shumëpritur!”, ka apeluar Taravari.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Të fundit