E diel, 23 Qershor, 2024

RREGULLIMI I MEDIAVE ONLINE: GJITHÇKA QË DUHET TË DINI

Gjoba deri në 40 mijë euro, licencim i mediave online dhe monitorim i tyre, kalimi nga funksionimi si organizata joqeveritare në kompani…

Ndryshimet e tilla, që i sjell Projektligji për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) për funksionimin e mediave online, të cilat prodhojnë video, u kundërshtuan nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).

AGK-ja dhe KMSHK-ja i kërkuan Qeverisë së Kosovës që të tërhiqet nga kjo tentativë, mirëpo kjo e fundit nuk dha sinjal se do ta zbatojë këtë kërkesë.

Në mes të mospajtimeve lidhur me këtë projektligj, Radio Evropa e Lirë ju sjell përgjigje në disa prej pyetjeve kryesore për të.

Pse u ndërmorën këto ndryshime?

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha REL-it se ky ligj “është i mbështetur dhe buron nga direktiva e Bashkimit Evropian”.

Në Raportin e fundit të Progresit, të publikuar nga Komisioni Evropian në fund të vitit të kaluar, BE-ja rekomandoi që Kosova ta rishikojë Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave, ashtu që të jetë në linjë me Direktivën evropiane për Shërbimet e Mediave Audio-Vizuale.

Me këto ndryshime, KPM-ja do të ketë mandat ta monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

“Ai [Ligji] parasheh rregulla të njëjta të veprimit për shërbimet mediale audio-vizuale, të cilave u nënshtrohen edhe televizionet private dhe publike sot. Për këtë, kompetencë ekskluzive ka Komisioni i Pavarur i Mediave, një organ i pavarur kushtetues, jo Qeveria”, tha Kryeziu për REL-in.

Ai shtoi se këto ndryshime do ta adresonin një shqetësim tjetër të shprehur në raportet vjetore të Bashkimit Evropian, për “mungesën e transparencës financiare”.

Në Raportin e fundit të Progresit thuhet se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”.

Direktiva për Shërbimet e Mediave Audio-Vizuale është përditësuar për herë të fundit nga BE-ja në vjeshtën e vitit 2019.

Komisioni Evropian e kishte vendosur 19 shtatorin e vitit 2020 si afat të fundit për harmonizimin e ligjeve kombëtare të vendeve anëtare të BE-së me këtë direktivë.

Projektligji u miratua nga Qeveria e Kosovës më 27 dhjetor të vitit të kaluar dhe u dërgua për miratim në Kuvendin e Kosovës.

BE-ja nuk u përgjigj në pyetjet e REL-it për këtë temë.

Pse kundërshtojnë AGK-ja e KMSHK-ja?

Edhe pse ndryshimet thuhet se janë bërë në linjë me Direktivën e BE-së, AGK-ja dhe KMSHK-ja i vlerësuan ato si tentim të Qeverisë për t’i sulmuar mediat online që prodhojnë materiale audio-vizuale.

Juristja e mediave, Flutura Kusari, tha më 1 shkurt se Qeveria e Kosovës është dashur të argumentojë ndaj kërkesës së BE-së se, në kontekstin e Kosovës, vetërregullimi i mediave online është opsion më i mirë sesa rregullimi përmes KPM-së.

Sipas saj, një gjë të tillë e ka bërë në të kaluarën Finlanda.

Për këtë arsye, drejtuesit e AGK-së dhe KMSHK-së, Xhemajl Rexha dhe Imer Mushkolaj, kërkuan që në vend që të ndryshohet mënyra e rregullimit të mediave, të fuqizohen aktorët që aktualisht kontrollojnë përmbajtjen në mediat online.

Përveç përfshirjes së mediave online që prodhojnë video në monitorimin e KPM-së, AGK-ja kundërshtoi edhe rritjen e numrit të anëtarëve të KPM-së nga shtatë në 11 dhe zgjatjen e mandatit të tyre.

Anëtarët e KPM-së votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Sipas AGK-së, kjo rritje e stafit në KPM mund të keqpërdoret nga Qeveria “për t’i dërguar njerëzit e tyre”, të cilët do të mund të qëndronin më gjatë në pozitat e tyre, duke rrezikuar kështu, sipas tyre, pavarësinë e KPM-së.

Kusari, gjithashtu, shprehu shqetësim se gjobat e larta mund të çojnë deri në shuarjen e shumicës së portaleve dhe shtoi se kjo mund të përdoret nga Qeveria për t’i censuruar mediat.

Të tre e quajtën këtë iniciativë të Qeverisë së Kosovës si “sulm të ri” ndaj mediave, duke iu referuar kështu edhe një vendimi të mëparshëm të autoriteteve të Kosovës, i cili mund të çonte në mbylljen e Televizionit kombëtar privat, Klan Kosova.

Si monitorohen aktualisht mediat online?

Tekstet e publikuara në mediat online aktualisht monitorohen nga KMSHK-ja. Ky trup vetërregullues nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave.

Vendimet e formës “Ankesa miratohet” dhe “Ankesa miratohet pjesërisht”, pastaj, mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Kryetari i KMSHK-së tha se, megjithatë, në shumicën e rasteve, videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

Direktiva e BE-së parasheh që KPM-ja t’i mbikëqyrë videot e publikuara online në të njëjtën mënyrë si monitorohen materialet e publikuara nëpër televizione dhe radio.

Në Shqipëri, në vitin 2018, kryeministri Edi Rama kishte propozuar rregullimin e mediave online, mirëpo kishte hasur në rezistencë nga aktorë lokalë e ndërkombëtarë, si Qendra Evropiane për Lirinë e Medias, Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Reporterët pa Kufij.

Më vonë, shkaku i kundërshtimit të madh, Rama ishte tërhequr nga ky propozim.

Çfarë rekomandojnë organizatat ndërkombëtare?

Pas konferencës së 1 shkurtit të organizuar nga AGK-ja dhe KMSHK-ja, një grup i organizatave ndërkombëtare përkrahën thirrjen e tyre që Qeveria e Kosovës të tërhiqet nga ky ndryshim ligjor.

Në mesin e organizatave që nënshkruan këtë deklaratë, ishin: Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Mediave (ECPMF), Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), si dhe asociacionet e gazetarëve në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.

“Për qëllimet e kësaj nisme legjislative, direktiva është interpretuar gabimisht, pa e marrë parasysh kontekstin vendor dhe duke injoruar organin ekzistues vetërregullues në Kosovë. Direktiva e BE-së, në asnjë mënyrë, nuk parasheh që shteti t’i vendosë nën kontroll mediat online përmes një procesi të detyrueshëm të licencimit”, thuhet në deklaratën e publikuar më 2 shkurt.

Në këtë deklaratë thuhet se KPM-ja nuk duhet ta ketë në dorë regjistrimin e mediave online, pasi që, siç thuhet, anëtarët e KPM-së veprojnë me “udhëzime direkte ose indirekte” prej aktorëve politikë ose aktorëve dominues në sektorin privat.

Radio Evropa e Lirë kontaktoi për këtë temë edhe Këshillin e Evropës, Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, mirëpo, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje./REL

Të fundit