E shtunë, 27 Korrik, 2024

OSMANI: PËRSE VMRO-DPMNE-ja PO E MINON PUNËN E DERITASHME?

Ministri i Jashtëm dhe nënkryetar i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë për Tv21, ka vlerësuar se para zgjedhjeve Presidenciale dhe Parlamentare, deri tani, skena politike në Maqedoninë e Veriut kurrë nuk ka qenë në “variantin bardhë e zi, narrativën bardhë e zi – në një front evropian dhe front antievropian”:

”Njerëzit do të thonë ‘po, por të gjitha partitë politike flasin për Evropën’! Unë nuk flas për një front retorik, flasë për veprat dhe vendimet politike që i bëjnë partitë politike. Mendoj se aktualisht polarizimi është refleksion direkt i polarizimit gjeopolitik. Bota nuk ka qenë kurrë (kaq) e polarizuar ndërmjet demokracive dhe autokracive dhe ky polarizim dhe debat i madh gjeopolitik pasqyrohet edhe tek ne në dy fronte politike. Në frontin Evropian dhe atë antievropian. Vendi është në udhëkryq – ose do t’i hapë kapitujt dhe do të hyjë në procesin e pakthyeshëm evropian ose do të hyjë në një izolim të thellë në të cilin të gjitha arritjet e shtetit do të rrezikohen gjatë viteve që pasojnë”- citon kdp.mk shefin e diplomacisë, Bujar Osmani.

Duke folur për çeljen e negociatave për anëtarësim me të drejta të plota në BE dhe aspekte të ngërçit të krijuar si rezultat i mosndryshimit të Kushtetutës dhe përfshirjes së bullgarëve në të, Osmani ka vlerësuar se “ne qëllimisht ia dolëm që të heqim fokusin nga çështjet që kanë të bëjnë me identitetin dhe historinë në korpusin e çështjeve të pakicave dhe të drejtat e njeriut. Në këtë terren ne jemi më të mirët, jemi dëshmuar deri tani se si mjedis shumetnik jemi më të suksesshëm në Ballkan dhe nuk kemi pse të frikësohemi nga cilado pakicë e duhet të ketë të drejta. Ia dolëm që shiftin ta largojmë nga çështjet historike dhe identitare. Përmes bllokimit të ndryshimeve kushtetuese pozita në realitet çfarë bën? – Na rikthen në debatin për çështjet historike dhe identitare. Kur ia dolëm përmes ndihmës së SHBA-së dhe BE-së që në Bullgari, në Sofje, ta përmbysim deklaratën bullgare e cila ishte e fokusuar tërësisht në çështje historike dhe identitare, ta zhbëjmë atë deklaratë dhe të fusim një parim të ri, atë të të drejtave të njeriut dhe pakicave, dhe tani diçka që e arritëm me mundim me Brukselin dhe Uashingtonin dhe me faktorë të caktuar pozitivë politikë në Bullgari, opozita jonë po e minon këtë. Pse, cili është qëllimi që të minohet defokusimi i suksesshëm nga çështjet historiko-identitare?”- pyeti kryediplomati Osmani duke shtuar se për këtë duhet të pyetet opozitarja VMRO-DPMNE.

I pyetur pse kjo parti nuk po e bën publik planin për integrimin evropian të vendit, të kërkuar edhe nga ambasadorja amerikane në Shkup, ai tha se “opozita nuk ka plan”:

“Nuk kanë plan dhe presin të përfundojnë zgjedhjet, të fitojnë pushtet politik dhe pastaj të ulen e të shpikin zgjidhje. Kjo nuk bëhet kështu. Në zgjedhje dilet me një vizion të saktë për atë se çfarë mendoni të bëni. Unë ju them – përmbysja e Deklaratës bullgare të parlamentit bullgar me çka fokusi nga historia dhe identiteti e kaluam në të drejta të njeriut dhe pakicave të pasqyruara në ndryshime kushtetuese dhe paln veprimi për pakicat, ishte një betejë e përbashkët mes nesh, Uashingtonit, Brukselit dhe faktorëve konstruktivë politikë në Bullgari. Ishte një punë e mundimshme, ishte një investim i madh i partnerëve tanë, i yni dhe disa faktorëve konstruktivë në Bullgari, që dikush këtu përpiqet ta minojë. Me siguri që të na kthejë në situatën paraprake kur me Bullgarinë duhej të flasim për identitete dhe histori”- ka vlerësuar Osmani në intervistë dhënë Tv21.

Të fundit