E shtunë, 27 Korrik, 2024

MEDIA SERBE: VUÇIQIT I MBËRRIJNË FATURAT PËR BANJSKËN DHE ZGJEDHJET E VJEDHURA

“Çdo fjalë formale do të ishte e tepërt”, shkruhet në njoftimin e shkurtër nga kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili u dërgua mediave të mërkurën pasdite pas takimit të tij me ambasadorët e vendeve të Quintit. Siç mëson portali i pavarur serb “Nova”, ka arsye serioze për këtë hidhërim të kreut shtetëror serb, sepse ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë së Madhe, Francës dhe Italisë, përfaqësuesi i ambasadës së SHBA-së dhe shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian, nuk kanë pasur kurrfarë mirëkuptimi për kërkesat dhe propozimet e Presidentit të Serbisë lidhur me situatën në Kosovë. “Sipas të gjitha gjasave,  ngadalë po mbërrijnë faturat e pagesës për Banjskën dhe zgjedhjet e paradokohshme për të cilat vëzhguesit e huaj thanë se kurrë më parë nuk kishin parë diçka të ngjashme”- përcjell kdp.mk shkrimin e portalit “Nova”.

Pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të Quintit, mediat në Serbi morën një njoftim të shkurtër, me të cilin deri tani shumica e tyre nuk është ndeshur.

“Kabineti i Presidentit të Serbisë njofton publikun se nuk do të ketë kurrfarë komunikate nga takimi që ka mbajtur me përfaqësuesit e BE-së. Çdo fjalë formale do të ishte e tepërt”, –  ishte porosia nga Presidenca serbe, në stilin “nuk mund t’ju ​​flas asgjë tani, ende më dhemb koka”.

E, arsye për kokëdhimbje, sikurse mësojmë, ka shumë.

Takimi nisi pak pas orës 18:00, në ndërtesën e Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës. Tema kryesore ishte heqja e dinarit në Kosovë, një vendim për këtë i Prishtinës që dje hyri në fuqi. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Zyrës për Kosovë dhe Metohi, Petar Petkoviq. Ai pas kësaj e tha këtë:

“Të gjithë e patën të qartë në mjedisin ku e patëm takimin se Albin Kurti është fajtori kryesor. Serbët në Kosovë dhe Metohi kanë të drejtë të jetojnë, të shfrytëzojnë qarkullimin pagesor dhe të funksionojnë institucionet tona. Nga kjo  kurrë nuk do të heqim dorë”, – deklaroi Petkoviq duke shtuar se Vuçiqi ka mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë.

Mirëpo, siç mësojmë, kërkesat e tij janë refuzuar.

Presidenti i Serbisë, sipas burimeve të Nova-s, ka kërkuar që Prishtina ta anulojë këtë masë, por “ka marrë vetëm një rrudhje krahësh dhe shtyerjen e gjobitjes së qytetarëve” në Kosovë.

Këtë më vonë e ka konfirmuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi:

“Nesër nuk hyn në fuqi dekreti që ndalon dinarin, nesër hyn në fuqi dekreti i Bankës Qendrore të Kosovës që rregullon transaksionet me para të gatshme. Nga nesër nuk lejohet importimi i parave në Kosovë nëse nuk keni licencë nga Banka Qendrore, e cila lejon transportin e parave”, – tha Bislimi të mërkurën në mbrëmje dhe sqaroi se nuk do të aplikohen gjoba, por do të punohet për informimin dhe edukimin e popullatës, dhe se shpreson se përmes negociatave ndërmjet Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Kombëtare të Serbisë “të gjendet një mekanizëm për transferin transparent të mjeteve“,- ka thënë Bislimi.

Pasojat e Banjskës dhe të zgjedhjeve të parregullta

Drejtori programor i Qendrës për Politika Bashkëkohore, Nikola Burazer, thotë se është e qartë se pas Banjskës dhe situatës me zgjedhjet e paradokohshme në Serbi, Aleksandar Vuçiq detyrimisht duhet të jetë më bashkëpunues.

“Nuk e dimë se çfarë është thënë saktësisht në atë takim, por e dimë se Serbia, në këtë moment, ka dy probleme serioze. I pari është situata në Kosovë, kurse i dyti kriza paszgjedhore. Edhe pse këto dy probleme nuk janë të lidhura drejtpërdrejt, në këtë moment ato e bëjnë pozitën e pushtetit në Serbi  tepër të vështirë. Në bashkësinë ndërkombëtare ende ekziston qëndrimi se Kurti është më pak bashkëpunues se Vuçiqi, mirëpo muajt e fundit gjërat kanë ndryshuar me të vërtetë. Pas situatës me zgjedhjet në Serbi dhe akuzave për rregullsinë e tyre, Vuçiq tani duhet të jetë edhe më bashkëpunues”, – thotë Burazer.

Më anë tjetër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti po e shfrytëzon këtë situatë për të marrë vendime si ky për dinarin.

“Ndërsa ato vërtetë mund të shkaktojnë probleme serioze për bashkësinë serbe në Kosovë dhe Metohi. Në këtë kontekst nuk duhet harruar as Banjskën. Deri në atë ngjarje, Kurti ishte ai që konsiderohej problem, kurse pas Banjskës, ndryshon në mënyrë drastike pozicioni i Serbisë dhe i vetë Vuçiqit në negociata, sepse kërkohen përgjigje për përfshirjen e shtetit tonë në këtë rast”, – konkludon Burazer.

Kuraja nga Moska

Pas takimit me përfaqësuesit e Quintit, Aleksandar Vuçiq, tashmë si me shabllon, bisedoi me ambasadorin rus Aleksandar Bocan Harchenko dhe ka paralajmëruar për sot në orën 13.00 një tjetër fjalim të jashtëzakonshëm për qytetarët e Serbisë. “E informova ambasadorin Bocan-Harçenko për lëvizjen e fundit të njëanshme të Prishtinës, të drejtuar qartë kundër popullit serb në Kosovë dhe Metohi, si dhe për pasojat e mundshme të këtij akti të papërgjegjshëm të regjimit të Kurtit”, – ka shkruar Vuçiq në Instagram, duke shtuar se  me ambasadorin ka biseduar për  marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të tjera rajonale dhe ndërkombëtare me interes të përbashkët për të dyja shtetetet.

“Përsërita mirënjohjen time për Rusinë për mbështetjen e saj në respektimin e integritetit territorial të Serbisë”, – ka shkruar Vuçiq.

Në të njëjtën kohë dhe në favor të tezës se vjedhja e zgjedhjeve në Serbi nuk do të kalojë pa u vënë re nga bashkësia ndërkombëtare, ka mbërritur letra  të cilën deputetët e Parlamentit Evropian nga Partia Popullore Evropiane (EPP), të Gjelbrit dhe Social Demokratët (S&D) ia drejtuan Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Vargelhi dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borelli. Në të kërkojnë që të nisë një hetim ndërkombëtar për zgjedhjet parlamentare, krahinore dhe lokale nën kujdestarinë e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe të Komisionit Evropian.

Në letër kërkohet edhe që rezultatet e zgjedhjeve të mos njihen derisa të përfundojë hetimi i plotë i pavarur për parregullsitë zgjedhore. Deputetët kërkojnë  hetim me vëmendje të veçantë për zgjedhjet për Kuvendin e Qytetit të Beogradit, si dhe që ato rezultate t’i paraqiten Parlamentit Evropian.

“Ne mbetemi në mbështetje të qytetarëve të Serbisë që po protestojnë për mundësinë e tyre për të ushtruar të drejtat e tyre demokratike, si dhe për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Fatkeqësisht, pohimet serioze për zgjedhjet e paradokohshme nuk janë në përputhje me standardet demokratike dhe e minojnë këtë synim”, – thuhet ndër të tjera në letrën e deputetëve të Parlamentit Evropian./nova.rs/

Të fundit