E diel, 16 Qershor, 2024

DASH KUNDËR VENDIMIT TË KOSOVËS PËR KUFIZIMIN E DINARIT SERB

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) tha të enjten se vendimi “i njëanshëm” i Kosovës për ta zbatuar një rregullore të Bankës Qendrore të Kosovës – e cila përcakton që vetëm valuta euro të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin – ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Konform kësaj qeveria amerikane ka lënë të kuptohet se është  thellësisht e zhgënjyer me këtë veorim të autoriteteve kosovare, – përcjell kdp.mk njoftimin e Radios Evropa e Lirë.

Me gjithë trysnin ndërkombëtare, Kosova e nisi më 1 shkurt zbatimin e rregullores, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në vend, megjithëse përmes një periudhe të papërcaktuar tranzicioni të lehtësuar.

“Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për t’i vlerësuar pasojat, për t’i dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjetër për gjetjen e një zgjidhjeje funksionale”, tha DASH për Radion Evropa e Lirë.

DASH-i i bëri thirrje Kosovës ta shtyjë zbatimin e këtij vendimi “menjëherë”, derisa, siç tha, të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe popullata të jetë edukuar mjaftueshëm se si do të vazhdojë periudha e tranzicionit.

“Vendimi u shpall pa përgatitje apo konsultim adekuat”, tha DASH.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”, theksoi DASH duke bërë të ditur se ka kërkuar nga autoritetet në Kosovë të shpjegojnë se çfarë problemi urgjent synon të zgjidhë kjo rregullore dhe nëse nevojitet urgjenca.

“Nuk kemi dëgjuar asnjë përgjigje të përshtatshme. Shumë qytetarë të Kosovës tani nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat apo do t’i marrin pensionet. Ky veprim nuk është gjithashtu në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet që ndikojnë në mirëqenien e komunitetit të pakicës serbe”, – thuhet në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit: “Qeverisja e mirë dhe partneriteti i mirë ndërkombëtar kërkojnë kohë për të vlerësuar pasojat, për të dëgjuar perspektivat dhe për t’u konsultuar me të tjerët për një zgjidhje të zbatueshme…Pasoja e këtij dhe veprimeve të ngjashme të njëanshme i kufizon mundësitë e Shteteve të Bashkuara si avokate e Kosovës në arenën ndërkombëtare”, thuhet në përgjigje.

Që nga paslufta më 1999, Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka përdorur dinarin për t’i paguar pensionet, ndihmat sociale dhe pagat për institucionet paralele që ka në Kosovë, përfshirë këtu edhe spitalet dhe shkollat.

Banorët e dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë e kanë shfrytëzuar dinarin edhe për pagesat në dyqane dhe restorante.

DASH tha se shumë qytetarë serbë të Kosovës nuk e dinë se si do t’i paguajnë faturat e tyre, apo si do t’i marrin pensionet.

“Ky veprim nuk është, po ashtu, në përputhje me përkushtimin e Kosovës për të punuar përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për adresimin e çështjeve të cilat prekin mirëqenien e pakicës serbe”, theksoi DASH.

Më herët, ambasadori amerikan në Kosovë tha pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se SHBA-ja e kundërshton zbatimin e vendimit për rregulloren dhe shprehu shqetësimin për ndikimin e saj te serbët e Kosovës.

“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja, ashtu siç e kuptojnë ne, nuk e merr parasysh plotësisht ndikimin që do të ketë tek individët, posaçërisht individët që marrin mbështetje financiare nga Qeveria serbe. Ne mendojmë se kjo çështje meriton shqyrtim më të kujdesshëm dhe diskutime në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Jemi të shqetësuar se ka mundësi ti përshkallëzojë tensionet etnike dhe të jetë problematike për jetën e përditshme e një numri të qytetarëve të Kosovës”, shtoi ai.

Ndërkohë, Banka Popullore e Serbisë (NBS) kërkoi shfuqizimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës dhe kërkoi që çështja të zgjidhet me dialog politik.

Ajo tha për Radion Evropa e Lirë se “nuk mund të bëhet fjalë” për një marrëveshje mes saj dhe Bankës Qendrore të Kosovës, siç sugjeroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kjo çështje duhet të zgjidhet ekskluzivisht në kuadër të dialogut në nivelin ekzistues”, tha NBS-ja, duke iu referuar bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ofrojë periudhë të gjatë tranzicioni për largimin nga përdorimi të dinarit serb.

“Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja përmes një deklarate të lëshuar më 1 shkurt.

Blloku evropian po ashtu bëri thirrje që Kosova “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga Brukseli.

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se rregullorja e BQK-së nuk nënkupton se do të ndalet trasferet e parave nga Serbia dhe po ashtu nuk nënkupton dënime financiare për posedimin e valutave të shteteve të tjera./REL&VOA/

 

Të fundit