E mërkurë, 12 Qershor, 2024

PËR EURON ËSHTË ENDE HERËT, POR LEKU FRINGO I RI DUHET SOT!

Vjet e vizituan Shqipërinë 10.1 milionë shtetas të huaj. Këtë vit priten rreth 12 milionë. Ç’heqin të shkretët me çmimet, që diku kuotohen me “lekë të rinj” e diku me “lekë të vjetër”…

Nga Eduard Zaloshnja

Para disa vjetësh, bleva diçka me kartë krediti që kushtonte 68 mijë lekë të reja.  Dhe ky veprim më shkaktoi dhimbje koke jo të vogla, ngaqë ne shqiptarët, edhe pse kanë kaluar 60 vjet nga ndërrimi i parasë tonë kombëtare, vazhdojmë t’i kuotojmë çmimet në lekë të vjetër. Kështu, shitësja e dyqanit, në vend që ta ngarkonte kartën time të kreditit me 68 mijë lekë (sa ç’ishte çmimi), e ngarkoi me 680 mijë lekë. Kjo, sepse në mendjen e saj, 68 mijë lekët e rinj janë baraz me 680 mijë lekë të vjetër.  Dhe pikërisht këtë shifrën e fundit shënoi ajo në aparatin e kartës së kreditit. (Sa për kuriozitet, për të korigjuar gabimin e shitëses, m’u desh të bëja shumë e shumë telefonata, si dhe nja dy rikthime tek dyqani.)

Imagjinoni sa kokëçarje mund të kenë patur 10.1 milionë turistët e vjetshëm, e sa do të kenë 12 milionë turistët e sivjetshëm me “lekët e vjetër” dhe “lekët e rinj”!

Incidenti i mësipërm më kujtoi që në fëmijërinë e hershme, më ngacmonte vazhdimisht pyetja se pse kartmonedha njëlekëshe – më e përdorura nga fëmijët e atëhershëm – quhej nga të gjithë dhjetëlekësh. Dhe kur pyesja të mëdhenjtë për këtë gjë, përgjigjia që merrja, me sa mbaj mend, ishte pak a shumë kjo: “Njëlekëshi i ri para disa vitesh ka zëvendësuar dhjetëlekëshin e vjetër, por njerzit vazhdojnë ta quajnë dhjetëlekësh si dikur.” Dhe kur pyesja se pse kartmonedhat e vjetra ishin zëvendësuar me të rejat, përgjigjia ishte gjithnjë evazive.

Deri në vitin 1991, marifeti i të shumëzuarit me 10 të vlerës së lekëve të rinj funksiononte për bukuri për gjithë shqiptarët. Por pas liberalizimit të tregut, inflacioni gjigand dhe mungesa e uniformitetit në etiketimin e çmimeve në dyqanet/marketet/restorantet filloi të krijonte probleme. Dhe këto probleme ishin jo të vogla, sidomos për të huajt që filluan të vizitonin me shumicë Shqipërinë, si dhe për emigrantët që kalonin pushimet në atdhe.

Tani që kanë kaluar 60 vjet nga koha kur leku i ri zëvendësoi të vjetrin, ndoshta ka ardhur dita që një lek fringo i ri të dalë në qarkullim. Dhe kjo jo thjesht për të eliminuar konfuzionin e të huajve/emigrantëve me dyzimin e çuditshëm të lekëve të rinj e të vjetër – kostoja e nxjerrjes në qarkullim të një leku fringo të ri nuk do të justifikohej vetëm me kaq.

Arsyeja kryesore për nxjerjen në qarkullim të një leku fringo të ri do të ishte lufta kundër ekonomisë kriminale e informale.

Sipas të dhënave në faqen e internetit të Bankës së Shqipërisë, rreth 40% e të gjithë lekëve që qarkullojnë në ekonominë tonë ndodheshin në fund të vitit 2023 jashtë sistemit bankar. Kuptohet që jo të gjithë lekët që qarkullojnë jashtë sistemit bankar kontribuojnë në ekonominë kriminale e informale, por sasia e madhe e tyre padyshim përbën një mbulesë të mirë për tranzaksione të dyshimta.

Në këto kushte, emetimi i lekëve fringo të rinj do të ishte një mjet efikas për të futur në banka pjesën dërrmuese të kartmonedhave shqiptare që qarkullojnë jashtë tyre.

Për t’u realizuar ky synim, duhet të caktohet një datë, brenda së cilës të gjithë lekët që janë në qarkullim duhet të paraqiten për këmbim me lekët fringo të rinj, sipas një kursi zyrtar. Do të jetë mirë që leku fringo i ri të ankorohet fillimisht tek euroja. Raporti 1 me 10 me euron do të ishte më i përshtatshëm, pasi raporti 1 me 1 mund të shkaktojë inflacion artificial (të ngjashëm me atë që u vërejt fill pas futjes së euros në qarkullim në Greqi, Itali, Spanjë e Portugali). Kështu, në qoftë se shkëmbimi do të bëhej sipas kursit të sotëm, 1 lek fringo i ri do të shkëmbehej me 10,35 lekë të rinj (ose 103.5 lekë të vjetër).

Për shuma mbi një kufi të caktuar, bankat mund të detyrohen me ligj që të hapin depozita për klientët që sjellin lekët aktualë për shkëmbim. Ndërsa për shuma nën atë kufi, mund të japin lekë fringo të rinj (në qoftë se klienti i do në dorë). Në këtë mënyrë, të gjitha lekët, të pastër e të pistë, nga janë e nga s’janë, do të detyrohen të kalojnë nëpër sistemin bankar. Dhe një pjesë e mirë e tyre, ta do mendja, do të mbesin në të.

Po a do të zbuloheshin padronët të gjitha parave të pista me një manovër të tillë monetare? Me gjasa jo. Ata që duan të fshehin lekët që kanë grumbulluar në mënyrë jo të ndershme (me trafiqe ilegale, mita, evazion fiskal, etj) ose i shkëmbejnë me valutë, ose përdorin të afërm apo miq të tyre për t’i depozituar nëpër banka. Por sidoqoftë, rëndësi ka që një pjesë e mirë e lekëve që sot qarkullojnë jashtë sistemit bankar të futen në të. Dhe pas kësaj, do të jetë më i lehtë kontrolli i daljeve të parasë nga ky sistem.

A do të ishte kushtetues një ligj që do t’i detyronte qytetarët të depozitonin lekët e tyre në banka, pas kalimit të një kufiri të caktuar për shkëmbim të drejtpërdrejtë? Kushtetuta nuk ka ndonjë nen që e pengon në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë gjë. Ndërkohë, në legjislacionin shqiptar ekzistojnë precedentë që kufizojnë qarkullimin e parasë për raste të veçanta. Për shembull, një qytetar nuk mund t’i transferojë paratë e veta nga banka e tij në një bankë jashtë Shqipërisë, në qoftë se shuma është e barasvlefshme me mbi 10 mijë dollarë (përveçse kur e ka të justifikuar transferimin).

A do të justifikohej kostoja e prodhimit të kartomonedhave dhe monedhave të reja me reduktimin që nxjerrja e lekut fringo të ri do t’i bënte vlerave monetare që qarkullojnë larg syrit kontrollues të shtetit? Kësaj pyetje vlen t’i përgjigjen specialistët e Ministrisë së Financave dhe të Bankës së Shqipërisë. Sa për shqiptatarët e thjeshtë dhe sidomos për turistët e huaj, varrosja përfundimtare e fjalëve “lekë të rinj” e “lekë të vjetër” do të ishte mëse e mirëpritur…

Për euron, është ende herët të bëhet monedha zyrtare e Shqipërisë (siç është në Kosovë), por leku fringo i ri duhet qysh sot!

Të fundit