E diel, 5 Maj, 2024

GJND nuk urdhëron armëpushim në Gazë, i kërkon Izraelit të parandalojë gjenocidin

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e urdhëroi Izraelin të premten që të parandalojë aktet e gjenocidit kundër palestinezëve dhe të bëjë më shumë për të ndihmuar civilët, megjithëse nuk dha urdhër për armëpushimin e kërkuar nga Afrika e Jugut.

Ndërsa vendimi nuk shqyrtoi shpresat palestineze për një urdhër detyrues për të ndalur luftën në Gazë, masa përbën një pengesë ligjore për Izraelin, i cili kishte shpresuar për hedhjen poshtë të çështjes së ngritur në bazë të konventës për gjenocidin të miratuar pas Holokaustit.

Shtetet e Bashkuara thanë se vendimi i gjykatës përputhet me qëndrimin amerikan.

Shtetet e Bashkuara, sipas deklaratës së Departamentit të Shtetit, “vazhdojnë të besojnë se akuzat për gjenocid janë të pabaza dhe vënë në dukje se gjykata nuk bëri gjetje për gjenocid apo thirrje për armëpushim në vendimin e saj dhe se bëri thirrje për lirimin e pakusht dhe të menjëhershëm të të gjitha pengjeve që mbahen nga Hamasi.”

“Vazhdimisht e kemi bërë të qartë që Izraeli duhet të ndërmarrë të gjithë hapat e mundshëm për të minimizuar viktimat civile, të lejojë më shumë ndihmë humanitare dhe të marrë masa kundër retorikës denigruese,” thuhet në reagimin e Departamentit amerikan të Shtetit.

“Vendimi i gjykatës është po ashtu në përputhje me qëndrimin tonë se Izraeli ka të drejtën të ndërmarrë veprime për parandaluar përsëritjen e sulmeve terroriste si ai i 7 tetorit, në përputhje me ligjin ndërkombëtar,” sipas deklaratës.

Gjykata konstatoi se palestinezët gëzonin mbrojtje në bazë të konventës, dhe se rasti do të shqyrtohej për të dëgjuar nëse të drejtat e tyre po mohoheshin në luftën që gjykata tha se po shkaktonte dëme të mëdha humanitare. Gjykata po ashtu u bëri thirrje grupeve të armatosura palestinezë që të lirojnë pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit që shkaktoi konfliktin.

Zyrtarët palestinezë e vlerësuan në përgjithësi vendimin, duke thënë se asnjë shtet nuk është mbi ligjin. Sami Abu Zuhri, zyrtar i lartë i Hamasit, tha për agjencinë e lajmeve Reuters se vendimi do të kontribuonte në “izolimin e pushtimit dhe ekspozimin e krimeve në Gazë”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se gjykata “kishte refuzuar me të drejtë kërkesën e ashpër” për ta privuar Izraelin nga ajo që ai e quajti “të drejtën themelore për të mbrojtur veten”, duke e urdhëruar atë që t’i ndalojë luftimet.

“Por pretendimi se Izraeli po kryen gjenocid kundër palestinezëve nuk është vetëm i rremë, por është i egër dhe madje gatishmëria e gjykatës për ta diskutuar këtë është një turp që nuk do të fshihet për breza”, tha zoti Netanyahu.

Afrika e Jugut e ngriti çështjen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) në fillim të këtij muaji, duke i kërkuar që të marrë masa urgjente për të ndalur luftimet, ku janë vrarë më shumë se 26,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar si organizatë terroriste. Lufta dhe bombardimet intensive kanë shkaktuar zhvendosjen e shumicës së popullsisë së Rripit të Gazës.

Në çështjen e ngritur përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), Afrika e Jugut kishte kërkuar ndaljen e menjëhershme të operacionit ushtarak izraelit në Rripin e Gazës. Gjykata nuk e pranoi këtë kërkesë.

Gjykata tha se Izraeli duhet të sigurohet që ushtria të mos kryejë gjenocid, të ndëshkojë aktet nxitëse dhe të ndërmarrë masa për të përmirësuar situatën humanitare dhe të raportojë brenda një muaji lidhur me përparimet. Gjykata nuk shqyrtoi akuzat për gjenocid, proces që mund të zgjasë disa vite. Megjithëse vendimi nuk mund të apelohet, gjykata nuk ka asnjë mekanizëm për t’u siguruar që vendimi i saj të zbatohet.

Izraeli i kishte kërkuar gjykatës që ta refuzonte çështjen në tërësi, duke i quajtur të rreme akuzat e Afrikës së Jugut dhe “tejet të shtrembëruara”. Izraeli thotë se ndërhyri në Gazë për të mbrojtur veten kundër armikut që sulmoi i pari dhe e fajëson Hamasin për vdekjet mes popullsisë civile në Rripin e Gazës, gjë që mohohet nga militantët./VOA

Të fundit