E mërkurë, 15 Maj, 2024

XHAFERI MORI MANDATIN PËR TË FORMUAR QEVERINË

Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, ia dorëzoi mandatin Talat Xhaferit për përbërjen e qeverisë kalimtare për realizimin e zgjedhjeve parlamentare. Me këtë ai u bë kryeministri i parë shqiptar që do të kryesojë qeverinë tranzitore 100 ditë para zgjedhjeve që duhet të mbahen më 8 maj, përcjell KDP.

Xhaferi premtoi se në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës, negociatat për përbërjen e qeverisë kalimtare do të zhvillohen sipas nevojës politike dhe situatës në vend.

“Me kënaqësi dhe përgjegjësi të plotë e pranoj mandatin nga presidenti i vendit, me një premtim se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës do të bëhet përbërja e Qeverisë dhe negociatat për përbërjen e Qeverisë në përputhje me nevojën politike dhe situatën në vend”, tha Xhaferi.

-> Çfarë kompetencash do të ketë kryeministri i ri i Maqedonisë së Veriut?

Kuvendi më herët konfirmoi dorëheqjet e kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe Talat Xhaferit, pas së cilës me 64 vota “për” dhe 40 “kundër” zgjodhi kryetarin e ri të Kuvendit, Jovan Mitreski, koordinator i grupit parlamentar të LSDM-së.

“Si çdo deputet, edhe për mua është një nder i madh të zgjidhem kryetar, por mbi të gjitha përgjegjësia është edhe më e madhe. Në këtë drejtim, ju siguroj se me intensitet më të madh do të vazhdoj të punoj në interes të funksionalitetit dhe efikasitetit të Kuvendit, natyrisht në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Punës, rregulloren ligjore, por mbi të gjitha në interes të qytetarëve dhe të shtetit”, tha Mitreski.

VMRO-DPMNE nuk e votoi Jovan Mitreski nga LSDM për kryetar të Kuvendit deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Koordinatori i partisë opozitare, Nikolla Micevski, tha se Mitreski nuk mund ta rregullojë atë që ndodhi në gjashtë vitet e fundit në legjislativ, sepse ai, siç tha, drejtpërdrejt ose tërthorazi ka qenë pjesëmarrës në proceset dhe ngjarjet në të cilat në vend të interesave të qytetarëve, në radhë të parë ishin interesat personale dhe pazaret partiake.

Depuretët e Lidhjes Evropiane për Ndryshim (LEN) nuk morën pjesë në seancën zgjedhore për shkak të bojkotit.

Seanca për zgjedhjen e qeverisë kalimtare duhet të mbahet të dielën më 28 janar.

Zëvendëskryeministri i parë në qeverinë teknike do të jetë Bojan Mariçiq, i cili do të jetë në krye të çështjeve evropiane, ndërsa Artan Grubi mbetet zëvendëskryeministër dhe ministër për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërkomunitare.

Rotacioni i Grubit dhe Mariçiqit vjen pas vendimit për emërimin e një kuadri të BDI-së për kryeministër teknik, me të cilin një ministër nga radhët e LSDM-së zë vendin e zëvendëskryeministrit të parë.

Ndryshime do të ketë edhe në postet drejtuese në MPB dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, të cilat duhet të marrin ministra nga radhët e opozitës.

VMRO-DPMNE propozoi për Ministër të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovskin, kryetar aktual i Komisionit Juridik të VMRO-DPMNE-së dhe avokat shumëvjeçar. Gjoko Velkovski është propozim i ri për kandidat për ministër të Punës dhe Politikës Sociale.

Kuadrot e opozitës që do të marrin pjesë në qeverinë teknike sot në debat i kanë prezantuar prioritetet e tyre, ndërsa kryetari i partisë Hristijan Mickoski ka thënë se 100 ditët e ardhshme janë thelbësore për të pasur një proces të besueshëm zgjedhor.

“Për çdo njeri është e qartë se VMRO DPMNE do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Qëllimi ynë është të fitojmë 61 deputetë për të mundësuar transformimin e plotë të Maqedonisë”, tha Mickoski në debatin “Është e rëndësishme”.

Të fundit