E shtunë, 18 Maj, 2024

SHPORTA E KONSUMIT SHKON NË 58 MIJË DENARË

Shporta e konsumit sindikal në muajin janar u rrit për 641 denarë. Qytetarët ndikohen vazhdimisht nga rritja e inflacionit dhe nevojave bazë për jetë, pavarësisht se masat e qeverisë janë në fuqi për ngrirjen e çmimeve të produkteve të caktuara, përcjell KDP. 

Sipas Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (SSM), një familje prej katër anëtarësh në muajin janar kishte nevojë për 57.163 denarë për të mbuluar shpenzimet minimale, që është për 641 denarë më shumë se muajin e kaluar. Vetëm ushqimet dhe pijet janë më të shtrenjta këtë muaj për 277 denarë në krahasim me dhjetorin.

Kjo do të thotë se dy të punësuar me pagë mesatare neto prej 38.359 denarë duhet të ndajnë pothuajse tre të katërtat e të ardhurave të tyre për të përmbushur standardin bazë të jetesës, që është 74,5 për qind.

Më e rëndë është gjendja për rreth 80 mijë punëtorë të cilët marrin pagë minimale prej 20.175 denarë. Një punonjës me pagë mesatare dhe tjetri me pagë minimale mezi ia dalin mbanë muajit.

Llogaritjet e shportës së konsumit, sipas Lidhjes së Sindikatave, nënkuptojnë se një familje me katër anëtarë i duhen minimalisht 930 euro në muaj për të përballuar shpenzimet bazë.

Nëse një amvisëri duhet të jetojë në banesë me qira prej 60 metrash katrorë, duhet të japë 15.375 denarë shtesë, dhe kështu llogaritja shkon në 72.538 denarë në muaj për shportën e konsumit, pjesa më e madhe e së cilës shkon për ushqim dhe pije dhe 21.007 denarë.

Sindikata i kërkon qeverisë që të marrë masa më efektive për mbrojtjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe rritjen e të ardhurave minimale.

Me qëllim të frenimit të inflacionit, Qeveria me propozim të Ministrisë së Ekonomisë miratoi ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili duhet të miratohet në Kuvend.

Ligji duhet të mbrojë të drejtat e konsumatorëve nëse ata cenohen nga përdorimi i praktikave të padrejta tregtare, praktikave mashtruese dhe agresive tregtare nga tregtarët.

Analisti ekonomik Visar Ademi thotë se shteti është i suksesshëm në miratimin e ligjeve, por problemi, sipas tij, është se nuk është i suksesshëm në zbatimin e ligjeve.

“Kemi partizim dhe politizim të gjithë shoqërisë dhe mendoj se kjo do të ndikojë shumë në realizimin e këtyre praktikave. Zbatimi i ligjeve është i dyshimtë. Së dyti, në një ekonomi liberale, në të cilën ne varemi nga oferta dhe kërkesa, nuk mund të rregulloni aktivitetet ekonomike me ligj”, thotë Ademi.

Ministria e Ekonomisë thotë se ligji i ri për praktikat e padrejta tregtare do të ndalojë tarifat që konsiderohen të pajustifikuara dhe të ngarkuara nga prodhuesit, organizatat e prodhuesve, organizatat furnizuese dhe tregtarët me shumicë.

 

Të fundit