E diel, 16 Qershor, 2024

MBI 2200 VIKTIMA TË ABUZIMIT SEKSUAL NGA PJESËTARË TË STAFIT TË KISHËS NË GJERMANI

Sipas një raporti të publikuar të enjten të paktën 1,259 persona, pjesë e stafit të Kishës Protestante të Gjermanisë, kanë kryer abuzime seksuale gjatë dekadave të fundit me të paktën 2,225 viktima.

Autorët e raportit vlerësojnë se numri aktual i abuzuesve ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë, me afro 3,500 persona, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA, shkruan Euronews.

Numrat bazohen në studimin e dokumenteve dhe dosjeve nga kishat rajonale dhe nga organizata e ndihmës sociale dhe e mirëqenies sociale të Luteranëve, e njohur si Diakonie.

Martin Wazlawik nga Universiteti i Hanoverit, i cili mbikëqyri studimin mbi dhunën seksuale në Kishën Protestante në Gjermani, i përshkroi shifrat e zbuluara si “maja e ajsbergut”.

Më 2020 Kisha Protestante kishte kërkuar që studimi të bëhet dhe kishte ndarë 3.6 milionë euro për financimin e tij. Mirëpo objektivi kryesor i studimit që kishte kërkuar Kisha ishte analizimi i strukturave të brendshme të kishës, që kontribuojnë në dhunën dhe abuzimin me pushtetin.

Kisha Protestante e Gjermanisë që përfaqëson 19.2 milionë të krishterë protestantë përmes 20 kishave të saj rajonale, shprehu keqardhje për viktimat gjatë prezantimit të studimit në Hanover.

Peshkopi Kirsten Fehrs i Hamburgut njëherësh kreu i Këshillit të Kishës Protestante në Gjermani (EKD), u kërkoi një falje viktimave duke thënë se gjithashtu se edhe vetë kanë qenë fajtorë.

“Si institucion, ne kemi qenë gjithashtu fajtorë për krime të panumërta kundër njerëzve të panumërt,” tha Fehrs.

Të fundit