E enjte, 20 Qershor, 2024

GJND-ja NUK URDHËRON ARMËPUSHIM NË GAZË, I KËRKON IZRAELIT TË PARANDALOJË VDEKJET

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka urdhëruar të premten armëpushim në Gazë, por i ka kërkuar Izraelit që t’i marrë të gjitha masat për të parandaluar akte të gjenocidit, njofton Radio Evropa e Lirë.

Gjykata ka thënë se ka juridiksion për të vendosur për masa urgjente, të kërkuara nga Afrika e Jugut, në rastin kundër Izraelit, në luftën e tij kundër Hamasit në Gazë.

Gjykata nuk ka marrë vendim në kërkesën e Afrikës së Jugut nëse ka ndodhur gjenocid në Gazë.

Megjithatë, e ka njohur të drejtën e palestinezëve në Gazë që të mbrohen prej akteve të gjenocidit.

Gjykata ka thënë se Izraeli duhet të marrë masa për të përmirësuar situatën humanitare në Gazë.

Sipas saj, Izraeli duhet t’i raportojë gjykatës brenda një muaji, për të treguar se çfarë po bën për të zbatuar urdhrin.

Izraeli i ka konsideruar akuzat si të “pabaza”.

Ndalja e luftimeve në Gazë ka qenë kërkesa kryesore e Afrikës së Jugut.

Si pasojë e operacionit ushtarak të Izraelit në Gazë, janë vrarë më shumë se 25.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kryetarja e trupit gjykues, Joan Donoghue, ka thënë se gjykata është “thellësisht e shqetësuar” nga vazhdimi i humbjes së jetëve dhe vuajtjeve të njerëzve.

Izraeli i ka shpallur luftë Hamasit më 7 tetor 2023, pak pasi grupi ka kryer sulme vdekjeprurëse në tokën e tij, duke i lënë rreth 1.200 njerëz të vrarë dhe duke marrë mbi 240 pengje.

Disa janë liruar ndërkohë.

Kombet e Bashkuara dhe agjenci ndërkombëtare për ndihmë, vlerësojnë se luftimet kanë shkaktuar katastrofë humanitare në Gazë, pasi një çerek i këtij territori, me 2.3 milionë banorë, po përballet me uri.

Johanesburgu beson se Izraeli është duke vepruar në kundërshtim me Konventën e OKB-së për Gjenocid, të vitit 1948, e cila është hartuar pas Luftë së Dytë Botërore dhe Holokaustit.

Afrika e Jugut dhe Izraeli janë pjesë e Konventës së OKB-së për Gjenocid.

Të fundit