E shtunë, 27 Korrik, 2024

A DO TË MIRATOHET LIGJI PËR “LISTAT E ZEZA”? AGELER: REFORMAT DO TË FORCOJNË LUFTËN ANTIKORRUPSION

Ambasadorja amerikane e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Maqedoninë e Veriut, Angela Ageler, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se zgjidhjet e reja ligjore për vënien në fuqi të “listës së zezë” amerikane edhe në Maqedoninë e Veriut janë të mirëpritura, përcjell KDP.

“Ne nuk komentojmë zgjidhjet e propozuara legjislative, ne mirëpresim dhe mbështesim fuqimisht të gjitha përpjekjet për hetimin e aktiviteteve të dyshuara kriminale korruptive dhe për të mbajtur përgjegjës ata që abuzojnë me besimin publik për përfitime personale. Supozoj se reformat institucionale dhe legjislative që do të rrisin transparencën dhe do të forcojnë luftën kundër korrupsionit, do të mirëpriten jo vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut”, thotë ambasadorja Ageler për Radion Evropa e Lirë.

Edhe pse propozimi për ndryshimin e Ligjit për masat kufizuese kaloi në seancën e qeverisë, pavarësisht dilemave ligjore të theksuara nga Ministria e Drejtësisë, pyetja është nëse kjo përbërje parlamentare do të ketë kohë t’i votojë, sepse i kanë mbetur edhe dy muaj deri te fushata për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Çelësi në ndryshimet që tani propozon qeveria është se institucioni që do t’i propozojë Qeverisë vendosjen e sanksioneve do të ketë detyrimin t’i dorëzojë të gjitha provat Prokurorisë Publike, e cila, nga ana tjetër, do të duhet të të fillojë procedura penale.

Njoftimi i “hapave të ardhshëm” pasoi shumë muaj kritikash të ashpra si brenda dhe jashtë vendit. Faktori ndërkombëtar është bërë i zëshëm në kritikat se qeveria po përballet keq me korrupsionin, i cili është i përhapur, dhe ka shprehur shqetësimin për sistemin e drejtësisë, i cili sipas BE-së dhe SHBA-së është i pareformuar dhe i paaftë për t’i rezistuar asnjë ndikimi të jashtëm. Nga ana tjetër, organizatat joqeveritare vendase e vendosin korrupsionin në problemin numër një, para papunësisë dhe varfërisë, të cilat ishin në vend të parë vite më parë.

Ndihmës sekretari amerikan i shtetit për çështje evropiane dhe euroaziatike, James O’Brien, gjatë vizitës së tij në Shkup, pa komentuar ndryshimet, tha se “lista e zezë” është mjet i një strategjie më të madhe.

“Ajo që ne duam të shohim është që njerëzit të mësohen të përdorin të gjitha mjetet në dispozicion për të luftuar korrupsionin dhe të ruajnë atë angazhim kur formojnë një qeveri të re,” tha O’Brien.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) vitin e kaluar përditësuan listën e zezë me një numër zyrtarësh, biznesmenësh dhe kompanishë aktuale dhe të mëparshme.

Askush nuk ka ngritur akuza ndaj asnjë prej të sanksionuarve, nuk ka proceduar çështjet e hapura, dhe disa prej atyre që janë në listën e zezë madje u liruan nga burgu me ndryshimet në Kodin Penal, që qeveria prezantoi në shtator vitin e kaluar.

 

Të fundit