E enjte, 20 Qershor, 2024

BASHKËPUNIMI ME NON GRATAT, NJË ÇËSHTJE PËR T’U RISQARUAR NGA SHBA

Nga Preç Zogaj

Kohë më parë, pasi u zgjodh kryetar i grupit parlamentar të deputetëve demokratë të mbledhur rreth Rithemelimit të Berishës, Gazmend Bardhi u pyet në një emision televiziv se si do të bashkëpunojë me Berishën. Pyetja konsideronte kapërcimin e tij nga përcaktimet dhe qëndrimet programatike të Partisë Demokratike zyrtare në lidhje me të shpallurit non grata SHBA, ku vetë Bardhi kishte spikatur si një zë pa kompromis.

Ai dha një përgjigje të zhdërvjellët, por edhe provokative, që ndërsa pohonte  relativizimin nga kryeministri Edi Rama të të shpallurve non grata në kampin e shumicës, e hidhte topin vetvetiu në oborrin e ambasadës amerikane në Tiranë.

Përgjigja ishte: Siç bashkëpunon Edi Rama me non gratat e tij në qeveri. Askush prej jush, shtoi duke iu drejtuar gazetarëve të panelit, nuk merret me non gratat që qeverisin Shqipërinë, ndërsa mua më thoni shmangeni ju dhe bëjeni copash opozitën se do rrimë peng i një çështjeje që nuk është e imja.

Morali i fabulës: Përderisa Rama nuk ka pengim të qeverisë në koalicion me PSD-në, kryetari i së cilës, Tom Doshi, është shpallur non grata apo të kandidojë në vend të një ish deputeti të sanksionuar djalin e tij, përse duhet të vetëpengohem unë, të ulem në një tryezë me Berishën, të njoh de fakto lidërshipin e tij dhe të koordinoj aksionin politik me të? Me fjalë të tjera pse Ramës i lejohet e mua jo? Pse duhet të tregohemi më katolikë se Papa?

Në vija të përgjithshme ka vërtetësi në paralelizmin e përdorur nga Bardhi dhe grupi i deputetëve që kaluan ylberin bashkë me të. Në mënyrën e tij Rama e ka sfiduar politikën amerikane të sanksionimeve non grata në kuadrin e luftës së Uashingtonit kundër korrupsionit dhe minimit të demokracisë në vendet aleate.

Por paralelizmi në fjalë ka edhe asimetri të forta.

Kryetari i PSD-së, Tom Doshi, e dorëzoi mandatin e deputetit kur u shpall non grata. Berisha nuk e beri një gjë të tillë. Përkundazi. Përveçse mbajti mandatin e deputetit, ndërmori lëvizjen e njohur të Foltores për të rimarrë pas tetë vitesh edhe drejtimin e PD-së. Doshi bëri një hap prapa, Berisha bëri përpara, në një betejë sedre dhe karshillëku me SHBA, që ka çuar në përçarjen dhe dobësimin si asnjëherë tjetër të kësaj partie.

PSD është një parti e vogël aleate me  PS-në. Ajo nuk ka as statusin e partisë king maker. Rama i ka numrat të qeverisë edhe pa të po ti nevojitet. Kurse Berisha është kryetar i formacionit të Rithemelimit, praktikisht në vend të parë për momentin në spektrin e tkurrur opozitar.

Miku i Ramës, ish kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjel Dako, i saksionuar gjithashtu non grata, është duke u hetuar në burg. Rama nuk e ka ndihmuar dot, madje i ka dhënë duart në kuadrin e vijës së sjelljes sipas së cilës gjithkush përgjigjet personalisht para drejtësisë për shkeljet dhe abuzimet në detyrë. Në krahun tjetër Berisha, për çèshtjen e tij, i prin përpjekjes për të sfiduar e deligjitimuar SPAK-n dhe drejtësinë e re duke i ndihimuar vetevetiu, në versionin e suksesit të betejës së tij, gjithë zyrtarët dhe ish zyrtarët që po përballen e do të përballen me drejtësinë e re.

Siç shihet krahasimi i non gratave çalon më shumë se çdo krahasim. Qoftë për nga pesha e tyre politike, qoftë për nga impakti në jetën poltike të vendit. Megjithatë, instrumentalizmi i qasjes së kryeministrit Rama është përdorur si një justifikim i mirë nga Bardhi me shokë për të shtruar udhën e hequr pengesën e përfshirjes së tyre në një aleancë apo në në një formacion politik të drejtuar nga një i shpallur non grata.

Githkush është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij dhe të ndjekë interesin e tij. Politika është në evoluim të vazhdueshëm. Mbëshetja popullore për opozitën dhe grupet përbërëse të saj gjithashtu. Sondazhet e fotografojnë javë për javë e muaj për muaj këtë lëvizje në ndërvartësi të ngushtë nga koha dhe ngjarjet e reja që jeton vendi, Europa, planeti. Kush nuk shkon symbyllur me mendimin “bëjë, o zot ëndërr” e sheh qartë se elektorati opozitar nuk do të lëvizë nga shtëpia për të rinovuar një grusht rrogëtarësh në Kuvend.

Personalisht, kam menduar e mendoj se një formacion i drejtuar nga dikush që nuk pranohet në SHBA dhe nga SHBA nuk i fiton kurrë zgjedhjet në Shqipëri. Edhe po të bashkoheshin gjithë deputetët. Në mesataren e gjykimit të tyre njerëzit janë të qartë, të zgjuar, të drejtë.

Bindjet e mia nuk është e thënë të jenë bindje të çdokujt. Njerëzit udhëhiqen nga pragamatizmi. Sipas kuptimit që kanë për pragmatizimin në momentin e dhënë. Lulzim Basha e pezulloi Berishën me kërkesën e përfaqësuesve të Presidentit dhe Departamentit të Shtetit. Këta shkuan disa herë në selinë e PD-së. E thanë dhe e kanë përsëritur se SHBA nuk mbeshtet një parti që drejtohet  nga dikush që është sanksionuar prej tyre. Kështu kanë bërë. Por, relativizimi i gjësë nga kryeministri apo deputetë të opozitës i thërret të shprehen çfarë mbetet siç është thënë dhe çfarë mund të ketë ndyshuar në qëndrimet e tyre.

Të fundit