E shtunë, 27 Korrik, 2024

ARTISTËT BALLKANIKË ZBËRTHEJNË ME ART TË VËRTETËN DHE GËNJESHTRËN

Pesë artistë nga vende të ndryshme ballkanike do të mblidhen në “Galerinë 17” për të shpalosur perceptimin e tyre mbi të vërtetën e të rremen. “Visibility Horizon” e kuruar nga maqedonasja Ana Frangovska synon të hapë diskutime mbi historinë, politikën, komunikimin, mediat, e çka jo tjetër. Mbi të gjitha të bëhen të dukshme vizionet. Me këtë ekspozitë “Galeria 17” e hap programin për sivjet.

Artistët Kristina Janjiq nga Serbia, Sofia Dimova nga Bullgaria, Gjorgji Despodov nga Maqedonia e Veriut, Elia Kaloganni nga Greqi dhe Valdrin Thaqi nga Kosova bëhen bashkë me vepra arti në Prishtinë për të eksploruar edhe problemet e transmetimit të informacionit e njohurive. Sipas tekstit kuratorial, ata përballen me realitetin dhe flasin për konsumimin e së “vërtetës së rreme ose të riformuar”.

Kuratorja Frangovska vlerëson se politika është e mbuluar me bindje të rreme dhe se e vërteta e politika duket e vështirë për t’u përmbushur. Krahas politikës ajo shënjestron edhe lajmet e rreme si produkte të medias moderne.

Audienca sot bombardohet me burime, informacione dhe metoda me autenticitet të ndryshëm, duke e bërë të vështirë dallimin e faktit nga trillimi. Lajmet e rreme kanë qenë gjithmonë pjesë e peizazhit global. Besueshmëria e informacionit dhe lajmet e rreme kanë formësuar kulturën dhe politikën globale. Kjo fsheh dështimet e partive politike pas të vërtetës. Prevalenca e mediave sociale ka përkeqësuar përhapjen e gënjeshtrave. Kjo lejon një komunitet virtual ku anëtarët e rrjetit social mund të mbështesin sjelljen e individëve. Keqinformimi ka pasoja të rënda”, ka shkruar kuratorja maqedonase Ana Frangovska për ekspozitën.

Konceptin e ka ndërlidhur edhe me romanin distopik “1984” të shkrimtarit George Orwell që portretizon shoqërinë ku regjimi totalitar pohon kontrollin e tij në të gjitha fushat. Gjithashtu, manipulon ngjarjet historike dhe i shtyp ata që i rezistojnë pushtetit.

“Visibility Horizon” e bën të dukshëm horizontin e vizioneve, duke treguar se si artistët ndryshojnë mënyrën e përjetimit dhe të ndjenjës së informacionit. I bën ata të mendojnë se çfarë duan të shohin dhe çfarë jo./ Marrë nga Koha.net

Të fundit