E diel, 16 Qershor, 2024

LINDJA E MESME PO RRËSHQET MË PRANË LUFTËS

“Është e vështirë të mendosh për një kohë kur ka pasur kaq shumë rrezik, pasiguri dhe paqëndrueshmëri në botë”. Me këto fjalë sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, iu referua jostabilitetit rajonal, të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gazë.

“Është e vështirë të mendosh për një kohë kur ka pasur kaq shumë rrezik, pasiguri dhe paqëndrueshmëri në botë”. Me këto fjalë sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, iu referua jostabilitetit rajonal, të shkaktuar nga lufta e Izraelit në Gazë.

“Dritat e kuqe në pultin global po fiken e po ndizen”, tha ai.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, pasi Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz, dhunuar e rrëmbyer qindra të tjerë.

Në përgjigje, Izraeli nisi një fushatë të egër hakmarrjeje në enklavën me mbi 2 milionë banorë, të kontrolluar nga Hamasi. Që atëherë u vranë më shumë se 23.000 palestinezë dhe u dëmtuan ose shkatërruan afro 70 për qind e shtëpive dhe ndërtesave në Gazë, sipas autoriteteve palestineze.

Shtetet e Bashkuara dolën në ndihmë të Izraelit, duke i dërguar armatim në vlerë prej qindra miliona dollarësh.

Lufta, në fakt, bëri që ato ta rikthejnë vëmendjen në Lindjen e Mesme dhe të shpërqendrohen disi nga përpjekjet për ta ndihmuar Ukrainën që t’i kundërvihet pushtimit rus.

“Shtetet e Bashkuara janë angazhuar me disa partnerë për ta ndihmuar Izraelin që të mbrohet, për t’i rritur ndihmat humanitare për civilët në Gazë dhe, natyrisht, për t’i mbrojtur interesat tona të sigurisë kombëtare në rajon”, përsëriti John Kirby, zëdhënës i Këshillit për Siguri Kombëtare i SHBA-së, në fillim të këtij muaji.

Përtej fushëbetejës në Gazë, SHBA-ja është duke punuar për të frenuar edhe mbështetësit dhe aleatët e Hamasit – në mesin e tyre: Irani, grupi Hezbollah në Liban dhe rebelët e Huthit në Jemen.

Javën e kaluar, SHBA-ja, Britania dhe aleatë të tjerë sulmuan pozicione të Huthit, në përgjigje të sulmeve të tij në Detin e Kuq. Këto sulme, prej muajsh, kanë bërë që shumë anije mallrash ta ndryshojnë drejtimin e lundrimit – gjë që ka ndikuar në rritjen e çmimeve në treg.

Paraprakisht, më 2 janar, një udhëheqës i lartë i Hamasit u vra në një sulm me dron në Liban. Ndonëse Izraeli nuk e pranoi e as mohoi përgjegjësinë, Hezbollahu – grupi i fuqishëm militant libanez, i cili ka kryer disa sulme kundër Izraelit – tha se do të hakmerret.

Një ditë më vonë, më 3 janar, dy shpërthime misterioze në Iran lanë të vdekur afro 100 persona.

Këtë javë, pastaj, Irani sulmoi me raketa Irakun dhe Sirinë, duke pretenduar se kishte në shënjestër një bazë të Izraelit për spiunazh dhe një grup terrorist anti-iranian. Ushtria iraniane kreu një sulm tjetër në Pakistan dhe tha se cak ishte një grup militant sunit. Në përgjigje, Pakistani kreu disa sulme vdekjeprurëse në Iran.

Duke folur në Forumin e Davosit të mërkurën, ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amir-Abdollahian, tha se fundi i luftës në Gazë, do t’u jepte fund edhe sulmeve të tjera në rajon.

“Siguria e Detit të Kuq është e lidhur me zhvillimet në Gazë dhe të gjithë do të vuajnë nëse krimet e Izraelit në Gazë nuk ndalen. Të gjitha frontet do të mbeten aktive”, tha ai.

Para vitit të ri, administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, deklasifikoi informacione të inteligjencës që treguan se grupet paraushtarake iraniane i koordinojë sulmet e rebelëve të Huthit në Detin e Kuq, duke iu ofruar atyre informacione për shënjestrimin e anijeve tregtare. Izraeli është shumë i varur nga trafiku i anijeve në këtë zonë.

Në një prononcim për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Omar Rahman, nga Këshilli i Lindjes së Mesme për Çështje Globale, e përshkruan gjithë këtë situatë si “jashtëzakonisht të tensionuar”.

“Mendoj se vërtet kemi arritur në prag të një lufte të plotë. Një version i luftës, në një nivel të mesëm, është duke ndodhur tashmë në rajon. Por, po shkojmë drejt një konflikti potencialisht të shkallës së plotë. Dhe burimi i kësaj që po ndodh është tek ajo që po shpaloset në Rripin e Gazës”, thotë Rahman.

Afrika e Jugut e akuzoi Izraelin për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke argumentuar se përgjigjja e tij ndaj sulmeve të Hamasit, shkel konventat ndërkombëtare. Izraeli i kundërshtoi këto pretendime dhe po ndërton rastin e tij ligjor për krimet e kryera nga Hamasi.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi si qëllime të luftës shkatërrimin e Hamasit dhe lirimin e pengjeve të marra nga grupi militant në Izrael. Netanyahu përsërit vazhdimisht se lufta do të vazhdojë derisa të arrihen plotësisht këto qëllime. Por, sipas disave, kjo po shndërrohet në një luftë personale të udhëheqësit izraelit.

Për Exposenë flet Elijah Magnier, ish-korrespondent lufte me bazë në Bruksel, i cili për më shumë se 35 vjet ka mbuluar konfliktet në Lindje të Mesme dhe në Afrikë të Veriut:

“Ka shqetësime serioze se kjo luftë mund të përhapet edhe në vende të tjera. Po ashtu, vende të tjera mund të përfshihen në atë që po ndodh në Gazë, në mbështetje të Gazës”.

“Kjo është diçka që amerikanët po përpiqen ta shmangin, sepse, siç raportojnë mediat në Izrael dhe shumë vëzhgues, kjo po bëhet një luftë personale e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, që të mbetet në pushtet dhe t’i shmangë hetimet për dështimet e tij dhe akuzat për korrupsion në të ardhmen”, thotë Magnier.

Në një analizë të publikuar këtë javë, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare shkroi se për të penguar përshkallëzimin e konfliktit në një luftë rajonale, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të gatshme për një përdorim të kalibruar të forcës, nëse është e nevojshme.

“Me rëndësi të veçantë është sinjalizimi se SHBA-ja është e përgatitur për të goditur objektiva me vlerë për Iranin dhe partnerët e tij në rajon, si: baza ushtarake, depo të armëve, objekte për prodhimin e armëve, qendra të komandës dhe kontrollit, si dhe vende të trajnimeve”, shkroi instituti me seli në Uashington.

Për Omar Rahmanin, nga Këshilli i Lindjes së Mesme për Çështje Globale, zgjidhje ushtarake të konfliktit nuk ka.

“Zgjidhja politike është mundësia e vetme për ta zgjidhur këtë. Sepse, në fund të ditës, populli palestinez jeton nën nënshtrim që 75 vjet, pa të drejta dhe liri themelore. Nëse nuk e adresoni këtë gjë, ai do të vazhdojë t’i rezistojë kësaj gjendjeje, dhe pa marrë parasysh nëse do të jetë Hamasi apo ndonjë grup tjetër, konfliktet do të vazhdojnë. Ky është mësim nga historia që duhet mësuar”, thotë Rahman.

Edhe Magnier pajtohet se gjithçka është e lidhur me atë që ndodh në Gazë, përkatësisht me vendimet e Qeverisë izraelite. Sipas tij, zgjidhje do të ishte ajo me dy shtete – një për izraelitët dhe një për palestinezët.

“Nuk mund të lejoni që miliona palestinezë të jetojnë në një situatë të tillë të padrejtë, në një regjim aparteidi. Duke mos pasur qasje në ujë dhe duke qenë nën kontrollin e izraelitëve nga ajri e nga deti, ata do të rebelohen dhe do të luftojnë, sepse nuk kanë asgjë për të humbur”, thotë Magnier.

Konflikti mes izraelitëve dhe palestinezëve është i vjetër me dekada dhe lidhet me tokën, të drejtat dhe sigurinë. Fuqitë perëndimore, prej vitesh, trumbetojnë për një zgjidhje me dy shtete, por pa ndonjë rezultat konkret.

Nga 7 tetori, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken bëri katër vizita në Izrael dhe në shtetet arabe, në përpjekje për të parandaluar zgjerimin e luftës në një konflikt rajonal. Duke folur në Kajro më 11 janar, ai tha se mënyra më e mirë për të izoluar dhe margjinaluzuar Iranin dhe grupet që ai mbështet, është duke krijuar rrugën për shtetin palestinez.

“Mendoj se ky vizion është shumë i qartë për shumë liderë në rajon”, tha ai.

Në botën perëndimore, por jo vetëm, ka protesta nga të dyja anët – edhe kundër antisemitizmit, edhe në mbështetje të palestinezëve.

Evropa është, gjithashtu, e shqetësuar për tërheqjen e mundshme në konflikt, edhe pse nuk ka ndërmarrë ndonjë masë parandaluese ushtarake. Rritje të antisemitizmit kanë raportuar disa shtete të saj dhe Komisioni Evropian ka premtuar 30 milionë euro për të përforcuar sigurinë në zonat e cenueshme, sidomos në vendet e lutjes ose faljes.

Se cili do të jetë epilogu i këtyre zhvillimeve, nuk është e qartë, por sipas një analize në magazinën amerikane “Time”, lufta në Gazë do të përfundojë “kur SHBA-ja t’i japë urdhër Izraelit”./REL

Të fundit